Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 99

Jezui shëron dy të verbër dhe ndihmon Zakeun

Jezui shëron dy të verbër dhe ndihmon Zakeun

MATEU 20:29-34 MARKU 10:46-52 LUKA 18:35–19:10

  • JEZUI SHËRON DY TË VERBËR NË JERIKO

  • TAKSAMBLEDHËSI ZAKE PENDOHET

Jezui dhe ata që udhëtojnë me të mbërrijnë në Jeriko, që është rreth një ditë udhë larg Jerusalemit. Jerikoja është një qytet i përbërë nga dy pjesë. Qyteti i vjetër ndodhet afërsisht 1,6 kilometra larg qytetit të ri, të ndërtuar në kohën e Perandorisë Romake. Ndërsa Jezui dhe turmat shkojnë nga njëra pjesë e qytetit te tjetra, dy të verbër dëgjojnë zhurmat. Një prej tyre quhet Bartime.

Me të dëgjuar se po kalon Jezui, Bartimeu dhe shoku i tij nisin të thërrasin: «Zotëri, Bir i Davidit, ki mëshirë për ne!» (Mateu 20:30) Disa nga turma u thonë rreptësisht që të heshtin, por ata të dy thërrasin edhe më fort. Kur vë re trazirën, Jezui ndalet dhe kërkon t’i sjellin burrat që po thërrasin. Ata që janë me Jezuin, u afrohen lypësve dhe i thonë njërit prej tyre: «Merr zemër! Ngrihu, ai po të kërkon.» (Marku 10:49) Nga gëzimi, i verbri hedh tej mantelin, ngrihet vrik në këmbë dhe shkon te Jezui.

«Çfarë doni që të bëj për ju?»—pyet Jezui. Ata i përgjërohen: «Të na hapen sytë, Zotëri.» (Mateu 20:32, 33) I shtyrë nga keqardhja, Jezui u prek sytë dhe i thotë njërit prej tyre: «Shko, besimi yt të shëroi.» (Marku 10:52) Dy lypësve të verbër u kthehet shikimi dhe, pa dyshim, fillojnë t’i japin lavdi Perëndisë. Kur shohin çfarë ndodh, edhe të tjerë nxiten t’i japin lavdi Perëndisë. Tani të dy të saposhëruarit nisin të ndjekin Jezuin.

Ndërsa Jezui kalon përmes Jerikosë, rreth tij mblidhen plot njerëz. Të gjithë duan të shohin atë që shëroi të verbrit. Nga të katër anët, njerëzit shtyhen që t’i afrohen Jezuit, por disa nuk arrijnë as ta shohin. Një nga këta është Zakeu, kreu i taksambledhësve të Jerikosë dhe të rrethinave të saj. Ngaqë është shtatvogël, nuk arrin të shohë ç’po ndodh. Prandaj vrapon përgjatë rrugës ku po kalon Jezui, dhe hipën në një fik Egjipti. Nga aty lart sheh gjithçka. Kur Jezui afrohet dhe sheh Zakeun hipur në pemë, i thotë: «Zake, zbrit shpejt, sepse sot më duhet të rri në shtëpinë tënde.» (Luka 19:5) Zakeu zbret dhe nxiton për në shtëpi që të mirëpresë mysafirin e nderuar.

Kur vërejnë atë që po ndodh, njerëzit zënë të flasin nëpër dhëmbë. Sipas tyre, është e gabuar që Jezui po shkon mysafir te shtëpia e dikujt që ata e konsiderojnë mëkatar. Si taksambledhës, Zakeu është pasuruar duke zhvatur paratë e tyre.

Kur Jezui hyn në shtëpinë e Zakeut, njerëzit murmuritin: «Ai shkoi si mysafir në shtëpinë e një mëkatari.» Sidoqoftë, Jezui beson se Zakeu mund të pendohet. Dhe Zakeu nuk e zhgënjen. Ai çohet dhe i thotë: «Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap të varfërve, dhe çfarë t’i kem zhvatur ndokujt, po ia kthej katërfish.»—Luka 19:7, 8.

Ç’mënyrë e shkëlqyer për të treguar se është penduar sinqerisht! Me anë të regjistrit të taksave, ai mund të llogaritë shumën e saktë që u detyrohet judenjve dhe zotohet t’ua kthejë katërfish. Kjo është edhe më tepër nga sa kërkon ligji i Perëndisë. (Eksodi 22:1; Levitiku 6:2-5) Gjithashtu, Zakeu premton se gjysmën e pasurisë do t’ua japë të varfërve.

Jezui kënaqet që Zakeu tregon me prova se është penduar, dhe i thotë: «Sot për këtë shtëpi ka ardhur shpëtimi, pasi edhe ky është bir i Abrahamit. Po, Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë ata që kishin humbur.»—Luka 19:9, 10.

S’ka kaluar shumë që kur, me anë të ilustrimit të djalit plëngprishës, Jezui foli për ata që kishin «humbur». (Luka 15:11-24) Ai jep një shembull real të dikujt që ishte i humbur, por u gjet. Krerët fetarë dhe ndjekësit e tyre mund ta përflasin e madje ta kritikojnë Jezuin që u kushton vëmendje njerëzve si Zakeu. Prapëseprapë, Jezui vazhdon të kërkojë e të shpëtojë bijtë e humbur të Abrahamit.