Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 100

Ilustrimi i dhjetë minave

Ilustrimi i dhjetë minave

LUKA 19:11-28

  • JEZUI TREGON ILUSTRIMIN E DHJETË MINAVE

Jezui dhe dishepujt kanë si destinacion Jerusalemin, por ka mundësi që tani janë ende në shtëpinë e Zakeut. Dishepujt besojnë se «Mbretëria e Perëndisë», me Jezuin si mbret, do të qeverisë së shpejti. (Luka 19:11) Por nuk e kanë kuptuar siç duhet këtë çështje, ashtu si nuk kanë kuptuar se Jezui duhet të vdesë. Ndaj me anë të një ilustrimi, Jezui i ndihmon të kuptojnë se koha kur do të qeverisë Mbretëria, është goxha larg.

Ai thotë: «Një njeri nga derë fisnike u nis për në një vend të largët që të merrte pushtet si mbret, e pastaj të kthehej.» (Luka 19:12) Një udhëtim i tillë zgjaste ca. Nga ilustrimi kuptohet qartë se ‘njeriu nga derë fisnike’ është Jezui, dhe ‘vendi i largët’ ku shkon është qielli, aty ku Ati do t’i japë pushtet si mbret.

Para se të niset, ‘njeriu nga derë fisnike’ thërret dhjetë skllevër, i jep secilit nga një minë argjendi dhe u thotë: «Bëni tregti me to derisa të vij unë.» (Luka 19:13) Minat e argjendit kanë vlerë të madhe dhe për të fituar një të tillë, një bujk duhet të punojë më tepër se tre muaj.

Mbase dishepujt e kuptojnë se dhjetë skllevërit e ilustrimit janë ata vetë, ngaqë më parë Jezui i ka krahasuar me punëtorët e të korrave. (Mateu 9:35-38) Sigurisht, Jezui nuk u ka kërkuar të korrin grurë të mirëfilltë, por të bëjnë dishepuj të tjerë që do të jenë pjesë e Mbretërisë së Perëndisë. Dishepujt përdorin çdo gjë me vlerë: kohën, energjinë dhe të mirat materiale, që të mbledhin trashëgimtarë të tjerë të Mbretërisë.

Jezui e vazhdon kështu ilustrimin: «Banorët e atij vendi e urrenin [njeriun nga derë fisnike], prandaj dërguan pas tij një delegacion ambasadorësh që të thoshin: ‘Nuk duam që ky njeri të bëhet mbreti ynë.’» (Luka 19:14) Dishepujt e dinë se judenjtë nuk e pranojnë Jezuin, madje disa duan ta vrasin. Pasi Jezui të vdesë dhe të ngjitet në qiell, judenjtë në përgjithësi do ta tregojnë hapur se nuk e duan si Mbret, duke i përndjekur dishepujt e tij.—Gjoni 19:15, 16; Veprat 4:13-18; 5:40.

Çfarë bëjnë dhjetë skllevërit me minat, gjatë kohës që ‘njeriu nga derë fisnike’ merr «pushtet si mbret» dhe kthehet? Jezui tregon: «Në fund, ai u kthye pasi kishte marrë pushtetin si mbret, dhe thirri skllevërit, të cilëve u kishte dhënë paratë, për të marrë vesh çfarë kishin fituar nga tregtia. Atëherë u paraqit i pari dhe tha: ‘Zotëri, me minën tënde fitova dhjetë mina të tjera.’ Ai i tha: ‘Të lumtë, skllav i mirë! Meqë u tregove i besueshëm në një gjë kaq të vogël, po të jap autoritet mbi dhjetë qytete.’ Pastaj erdhi i dyti dhe i tha: ‘Zotëri, me minën tënde fitova pesë mina të tjera.’ Edhe këtij i tha: ‘Edhe ty po të vë në krye të pesë qyteteve.’»—Luka 19:15-19.

Nëse dishepujt e kuptojnë se janë si këta skllevër dhe i përdorin pa u kursyer gjërat me vlerë për të bërë dishepuj, mund të jenë të sigurt se Jezui do të kënaqet e do t’i shpërblejë për punën e papërtuar. Sigurisht, jo të gjithë dishepujt e Jezuit kanë të njëjtat rrethana, aftësi apo mundësi. Megjithatë, Jezui që merr «pushtet si mbret», nuk do t’i kalojë pa vënë re përpjekjet e tyre besnike për të bërë dishepuj dhe do t’i bekojë.—Mateu 28:19, 20.

Por shiko sa ndryshon puna me skllavin e fundit: «Por erdhi edhe një tjetër [skllav] dhe i tha: ‘Zotëri, ja ku e ke minën tënde. E mbajta të fshehur, të mbështjellë me një shami. Shiko, unë kisha frikë nga ti, sepse je njeri i ashpër. Ti merr atë që nuk ke depozituar dhe korr atë që nuk ke mbjellë.’ Zotëria ia ktheu: ‘Unë po të gjykoj me fjalët e tua, skllav i lig. Ti e dije, pra, që unë jam njeri i ashpër, që marr atë që nuk kam depozituar dhe korr atë që nuk kam mbjellë. Pse atëherë nuk i fute paratë e mia në bankë?! Kur të vija, të paktën do të kisha marrë përqindje interesi.’ Pastaj u tha atyre që ishin aty: ‘Merrjani minën këtij dhe jepjani atij që ka dhjetë.’»—Luka 19:20-24.

Ngaqë nuk punon për të shtuar pasurinë e mbretërisë së zotërisë, skllavi humbet edhe atë që ka. Apostujt po presin me padurim që Jezui të bëhet mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Prandaj, nga ajo që thotë Jezui për skllavin e fundit, ka të ngjarë të kuptojnë se, nëse nuk janë punëtorë të zellshëm, s’do të jenë pjesë e Mbretërisë.

Fjalët e Jezuit duhet t’i nxitin dishepujt besnikë që të përpiqen edhe më shumë. Në fund, ai bën këtë pohim: «Unë po ju them: atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.» Pastaj shton se armiqtë e tij, të cilët s’duan që ai ‘të bëhet mbret i tyre’, do të ekzekutohen. Më tej, Jezui vazhdon rrugën për në Jerusalem.—Luka 19:26-28.