Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 106

Dy ilustrime për vreshtat

Dy ilustrime për vreshtat

MATEU 21:28-46 MARKU 12:1-12 LUKA 20:9-19

  • ILUSTRIMI PËR DY DJEMTË

  • ILUSTRIMI PËR KULTIVUESIT E VRESHTIT

Në tempull, Jezui sapo ua ka mbyllur gojën me përgjigjen e tij krerëve të priftërinjve dhe pleqve të popullit që vënë në dyshim se me ç’autoritet i bën gjërat. Tani ai tregon një ilustrim që nxjerr sheshit se ç’lloj njerëzish janë.

Jezui thotë: «Një burrë kishte dy djem. Iu afrua të parit dhe i tha: ‘Bir, shko të punosh sot në vresht.’ Ky iu përgjigj: ‘Nuk do të shkoj’, por më pas i erdhi keq dhe shkoi. Ai iu afrua të dytit e i tha po njëlloj. Ky iu përgjigj: ‘Do të shkoj, baba’, por nuk shkoi. Cili nga të dy bëri vullnetin e të atit?» (Mateu 21:28-31) Përgjigjja është më se e qartë: në fund, djali i parë bëri vullnetin e të atit.

Ndaj Jezui u thotë kundërshtarëve: «Vërtet po ju them se taksambledhësit dhe prostitutat do të hyjnë përpara jush në Mbretërinë e Perëndisë.» Në fillim, taksambledhësit dhe prostitutat nuk i shërbejnë Perëndisë. Megjithatë, ashtu si djali i parë, pendohen dhe fillojnë t’i shërbejnë Atij. Krejt ndryshe, krerët fetarë janë si djali i dytë: pohojnë se i shërbejnë Perëndisë, por e vërteta është krejt ndryshe. Pastaj Jezui thotë: «[Gjon Pagëzori] erdhi te ju që t’ju tregonte udhën e drejtësisë, por ju nuk e besuat. Megjithatë, taksambledhësit dhe prostitutat e besuan, kurse juve, edhe pasi e patë këtë, nuk ju erdhi keq dhe s’i besuat.»—Mateu 21:31, 32.

Jezui vazhdon me një ilustrim tjetër, kësaj here për të treguar se problemi i krerëve fetarë nuk është vetëm neglizhenca për t’i shërbyer Perëndisë, por edhe që në thelb janë të ligj. Ilustrimi është ky: «Një njeri mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend për shtypësen e rrushit, ngriti një kullë, ua la me qira kultivuesve dhe udhëtoi në dhé të huaj. Kur erdhi stina e vjeljes së rrushit, dërgoi te kultivuesit një skllav që të merrte nga ata pjesën e vet të fryteve të vreshtit. Por ata e kapën, e rrahën dhe e kthyen mbrapsht duarbosh. Ai u dërgoi një skllav tjetër, të cilin e goditën në kokë dhe e poshtëruan. Pastaj u dërgoi edhe një tjetër, por ata e vranë. Dërgoi edhe shumë të tjerë, mirëpo disa i rrahën e disa i vranë.»—Marku 12:1-5.

A e kuptojnë dëgjuesit ilustrimin? Ndoshta u kujtohen fjalët e profetit Isaia: «Vreshti i Jehovait të ushtrive është shtëpia e Izraelit; banorët e Judës janë plantacioni që kishte për zemër. Ai shpresonte që të gjykonin me drejtësi, por ja, kishte padrejtësi.» (Isaia 5:7) Edhe ilustrimi i Jezuit është i ngjashëm. I zoti i vreshtit është Jehovai, kurse vreshti është kombi i Izraelit që rrethohet dhe mbrohet nga Ligji i Perëndisë. Jehovai dërgoi profetë që ta udhëzonte popullin e ta ndihmonte të prodhonte fryte të mira.

Por «kultivuesit» i keqtrajtuan dhe i vranë «skllevërit» që dërgoi pronari. Jezui shpjegon: «[I zoti i vreshtit] kishte edhe një bir të dashur, që e dërgoi të fundit dhe tha: ‘Tim bir do ta respektojnë.’ Por kultivuesit i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari. Hajdeni ta vrasim dhe trashëgimia do të bëhet jona!’ Kështu e kapën, [dhe] e vranë.»—Marku 12:6-8.

Tani Jezui pyet: «Çfarë do të bëjë i zoti i vreshtit?» (Marku 12:9) Krerët fetarë i përgjigjen: «Përderisa janë të ligj, ai do t’i shfarosë krejt dhe vreshtin do t’ua lërë me qira kultivuesve të tjerë, të cilët do t’ia japin frytet kur të vijë koha e të vjelave.»—Mateu 21:41.

Pa e kuptuar, po shpallin gjykim kundër vetes, meqë janë ndër ‘kultivuesit e vreshtit’ të Jehovait, pra të kombit të Izraelit. Fryti që Jehovai pret me të drejtë nga këta kultivues përfshin besimin te Biri i tij, Mesia. Atëherë, duke i parë drejt e në sy, Jezui u thotë: «A nuk e keni lexuar kurrë këtë shkrim: ‘Guri që ndërtuesit hodhën poshtë, u bë guri kryesor i qoshes. Këtë e bëri vetë Jehovai, dhe në sytë tanë është diçka e mrekullueshme.’» (Marku 12:10, 11) Pastaj, Jezui e bën të qartë pikën: «Prandaj po ju them se Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.»—Mateu 21:43.

Tani skribët dhe krerët e priftërinjve e kuptojnë se Jezui «e tregoi këtë ilustrim për ta». (Luka 20:19) Ja pse janë më të vendosur se kurrë ta vrasin ‘trashëgimtarin’. Por përmbahen, sepse kanë frikë nga turmat që e konsiderojnë Jezuin profet.