Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 107

Një mbret thërret të ftuarit në dasmë

Një mbret thërret të ftuarit në dasmë

MATEU 22:1-14

  • ILUSTRIMI PËR NJË DASMË

Ndërsa shërbimit të Jezuit i afrohet fundi, ai vazhdon t’i demaskojë skribët dhe krerët e priftërinjve me anë të ilustrimeve. Kjo është arsyeja pse duan ta vrasin. (Luka 20:19) Jezui tregon një ilustrim tjetër që t’ua çjerrë maskën:

«Mbretëria e qiejve mund të krahasohet me një mbret që bëri dasmë për të birin. Ai i dërgoi skllevërit që të thërritnin të ftuarit në dasmë, por ata nuk donin të shkonin.» (Mateu 22:2, 3) Meqë Jezui e nis ilustrimin duke përmendur ‘Mbretërinë e qiejve’, rrjedhimisht ‘mbreti’ është Perëndia Jehova. Po biri i mbretit dhe të ftuarit në dasmë, kë përfaqësojnë? Sërish nuk është e vështirë të kuptohet se biri i mbretit është Biri i Jehovait, pra ai që po e tregon këtë ilustrim. Ndërsa të ftuarit janë ata që do të qeverisin me Birin në Mbretërinë e qiejve.

Kush janë të parët që marrin ftesën? Mendo pak: cilëve u kanë predikuar për Mbretërinë Jezui dhe apostujt? Judenjve. (Mateu 10:6, 7; 15:24) Më 1513 p.e.s., judenjtë si komb pranuan të ishin pjesë e besëlidhjes së Ligjit, duke u bërë kështu të parët që do të kishin mundësinë të formonin «një mbretëri priftërinjsh». (Eksodi 19:5-8) Por, kur u thirrën «në dasmë»? Logjikisht në vitin 29 të e.s., kur Jezui nisi të predikonte për Mbretërinë e qiejve.

Si iu përgjigjën shumica e izraelitëve ftesës? Siç tregoi Jezui, «ata nuk donin të shkonin». Pjesa më e madhe e krerëve fetarë dhe e popullit nuk e pranuan Jezuin si Mesia dhe si Mbreti i caktuar nga Perëndia.

Megjithatë, Jezui tregon se judenjve do t’u jepet edhe një mundësi tjetër: «[Mbreti] dërgoi përsëri skllevër të tjerë dhe u tha: “Thuajuni të ftuarve: ‘Kam përgatitur drekën, demat e kafshët e majme janë therur dhe gjithçka është gati. Ejani në dasmë.’” Por ata e shpërfillën dhe shkuan njëri në arën e vet, tjetri në punët e tregtisë, kurse të tjerët kapën skllevërit e tij, i keqtrajtuan dhe i vranë.» (Mateu 22:4-6) Këto fjalë tregojnë se ç’do të ndodhë kur të formohet kongregacioni i krishterë. Në atë kohë, judenjtë do të kenë ende mundësi të bëhen pjesë e Mbretërisë. Gjithsesi, shumica do ta refuzojnë ftesën, madje do t’i keqtrajtojnë ‘skllevërit e mbretit’.—Veprat 4:13-18; 7:54, 58.

Cilat do të jenë pasojat për kombin? Jezui tregon: «Atëherë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë, i ekzekutoi ata vrasës dhe ua dogji qytetin.» (Mateu 22:7) Këto fjalë dalin të vërteta në vitin 70 të e.s., kur romakët shkatërrojnë «qytetin», Jerusalemin.

Meqë judenjtë e refuzuan ftesën, mos vallë mbreti nuk do të ftojë asnjë tjetër? Ilustrimi tregon të kundërtën. Jezui vazhdon: «Pastaj [mbreti] u tha skllevërve: ‘Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë. Prandaj shkoni në rrugët që të çojnë jashtë qytetit dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni.’ Kështu skllevërit dolën në rrugë dhe mblodhën gjithë sa gjetën, të ligj e të mirë, dhe dhoma e dasmës u mbush me dasmorë.»—Mateu 22:8-10.

Këto fjalë do të përmbushen kur apostulli Pjetër të fillojë të ndihmojë jojudenjtë—ata që nuk janë judenj nga lindja dhe që nuk kanë përqafuar fenë judaike—të bëhen të krishterë. Në vitin 36 të e.s., centurioni Kornel dhe familja e tij mirosen me frymë të shenjtë, dhe kështu hyjnë në radhët e atyre që mund të jenë pjesë e Mbretërisë së qiejve që përmendi Jezui.—Veprat 10:1, 34-48.

Jezui tregon se jo të gjithë ata që vijnë në dasmë do të pranohen nga «mbreti». Ai thotë: «Kur hyri për të vëzhguar mysafirët, mbreti vuri re një njeri që nuk kishte veshur rrobat e dasmës. Atëherë e pyeti: ‘Mik, si hyre këtu pa rrobat e dasmës?’ Ai s’tha asnjë fjalë. Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni duar e këmbë dhe flakeni jashtë në errësirë. Atje do të qajë dhe do të kërcëllijë dhëmbët.’ Vërtet, shumë janë të ftuar, por pak janë të zgjedhur.»—Mateu 22:11-14.

Krerët fetarë që po dëgjojnë mbase nuk e kuptojnë plotësisht ilustrimin. Megjithatë janë të acaruar dhe më të vendosur se kurrë që ta vrasin Jezuin, ngaqë po i turpëron para të gjithëve.