Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 108

Dështojnë ta zënë në grackë Jezuin

Dështojnë ta zënë në grackë Jezuin

MATEU 22:15-40 MARKU 12:13-34 LUKA 20:20-40

  • CEZARIT GJËRAT E CEZARIT

  • A DO TË MARTOHEN TË RINGJALLURIT?

  • URDHËRIMET MË TË MËDHA

Krerët fetarë, armiq të Jezuit, janë të inatosur sepse ai sapo ka nxjerrë në shesh ligësinë e tyre nëpërmjet disa ilustrimeve. Tani farisenjtë komplotojnë për ta zënë në grackë. Synimi është që ta shtyjnë të thotë diçka për të cilën ta dorëzojnë te guvernatori romak. Ndaj paguajnë disa nga dishepujt e tyre që ta zënë ngushtë.—Luka 6:7.

Ata e pyesin: «Mësues, ne e dimë që ti flet e mëson drejt dhe nuk mban anën e askujt, por e mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës. Është e ligjshme t’i paguhet Cezarit haraç për kokë, apo jo?» (Luka 20:21, 22) Jezui e nuhat hipokrizinë dhe dinakërinë e këtyre fjalëve lajkatuese. Po të thotë se nuk është e drejtë të paguhet taksa, mund ta akuzojnë për kryengritje kundër Romës. Kurse po të thotë se duhet paguar, judenjtë e irrituar nga sundimi romak, mund ta keqkuptojnë dhe t’i vihen kundër. Si përgjigjet Jezui?

Ai u thotë: «Pse më vini në provë, hipokritë? Më tregoni monedhën që paguani si haraç.» Ata i sjellin një denar dhe Jezui i pyet: «Të kujt janë kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?» «Të Cezarit»,—i përgjigjen ata. Atëherë, plot mjeshtëri, Jezui i udhëzon: «Paguajini, pra, Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.»—Mateu 22:18-21.

Përgjigjja mjeshtërore e Jezuit i mahnit dhe i lë pa fjalë këta burra, të cilët largohen. Por dita s’ka mbaruar, dhe as përpjekjet për ta zënë në grackë Jezuin. Pasi përpjekjet e farisenjve dështojnë, Jezuit i afrohen krerët e një grupi tjetër fetar.

Saducenjtë, që thonë se nuk ka ringjallje, e pyesin Jezuin për një çështje që përfshin ringjalljen dhe martesën me kunatin. Ata i thonë: «Mësues, Moisiu tha: ‘Nëse një burrë vdes pa pasur fëmijë, i vëllai duhet të martohet me gruan e tij dhe t’i lërë pasardhës vëllait.’ Tani, ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe vdiq. Meqë nuk kishte pasardhës, gruan e tij e mori i vëllai. Njësoj ndodhi edhe me të dytin e me të tretin, deri tek i shtati. E fundit fare vdiq gruaja. Atëherë, në ringjallje, cili nga të shtatë do ta marrë? Meqë të gjithë e patën për grua.»—Mateu 22:24-28.

Duke u bazuar te shkrimet e Moisiut, që saducenjtë i pranojnë, Jezui u përgjigjet: «E keni gabim, ngaqë nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë, sepse, kur të ngrihen nga të vdekurit, as burrat, as gratë nuk do të martohen, por do të jenë porsi engjëjt në qiej. Sa për ngritjen e të vdekurve, a nuk keni lexuar në librin e Moisiut, në tregimin për shkurren me gjemba, kur Perëndia i tha: ‘Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.’ Ai nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve. Ju gaboheni rëndë.» (Marku 12:24-27; Eksodi 3:1-6) Turmat mahniten nga fjalët e Jezuit.

Jezui ua ka mbyllur gojën si farisenjve, edhe saducenjve, prandaj ata bëhen bashkë dhe provojnë sërish ta zënë në grackë. Një skrib e pyet: «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i Ligjit?»—Mateu 22:36.

Jezui i përgjigjet: «I pari është: ‘Dëgjo, o Izrael, Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova, dhe duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.’ I dyti është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’ Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta.»—Marku 12:29-31.

Pas kësaj, skribi i thotë: «Mësues, mirë e the dhe në përputhje me të vërtetën, se ‘Ai është Një dhe se nuk ka tjetër veç tij’. Gjithashtu, ta duash atë me gjithë zemër, me gjithë aftësinë për të kuptuar e me gjithë forcën, si dhe ta duash të afërmin si veten, vlen shumë më tepër se gjithë blatimet e plota të djegura dhe flijimet.» Jezui e kupton se përgjigjja e skribit është e mençur, prandaj i thotë: «Ti nuk je larg nga Mbretëria e Perëndisë.»—Marku 12:32-34.

Jezui ka mësuar në tempull për tri ditë (9, 10 dhe 11 nisan). Disa njerëz, si ky skrib, e kanë dëgjuar me kënaqësi. Por s’mund të themi të njëjtën gjë për krerët fetarë, që tani ‘nuk guxojnë ta pyesin më’.