Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 111

Apostujt kërkojnë një shenjë

Apostujt kërkojnë një shenjë

MATEU 24:3-51 MARKU 13:3-37 LUKA 21:7-38

  • KATËR DISHEPUJ KËRKOJNË NJË SHENJË

  • PËRMBUSHJA E PROFECISË NË SHEKULLIN E PARË DHE MË VONË

  • DUHET TË JEMI SYÇELË

Është e martë pasdite dhe 11 nisani po mbaron. Po ashtu, po mbaron edhe aktiviteti tejet intensiv i Jezuit në tokë. Gjatë këtyre ditëve, Jezui ka mësuar njerëzit në tempull, ndërsa netët i ka kaluar në Betani. Kaq i madh ishte interesi i njerëzve, sa ‘shkonin herët në mëngjes tek ai në tempull që ta dëgjonin’. (Luka 21:37, 38) Por këto i përkasin së shkuarës. Tani Jezui është ulur në Malin e Ullinjve me katër apostuj: Pjetrin, Andrean, Jakovin dhe Gjonin.

Katër apostujt i janë afruar veçmas Jezuit sepse janë në merak për tempullin. Jezui sapo ka parathënë që asnjë gur i tempullit s’do të mbetet pa u rrëzuar. Megjithatë, ky nuk është i vetmi merak. Më përpara, Jezui i kishte nxitur: «Rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në një orë që s’e mendoni.» (Luka 12:40) U kishte folur edhe për ‘ditën kur do të shfaqej Biri i njeriut’. (Luka 17:30) Mos vallë këto pohime lidhen me atë që sapo paratha për tempullin? Apostujt janë kaq kuriozë, sa e pyesin: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?»—Mateu 24:3.

Me këtë pyetje, mbase duan të dinë kur do të shkatërrohet tempulli që kanë para syve. Ata pyesin edhe për praninë e Birit të njeriut. Ndoshta u vjen në mendje ilustrimi i Jezuit për «një njeri nga derë fisnike», i cili ‘u nis që të merrte pushtet si mbret, e që pastaj të kthehej’. (Luka 19:11, 12) Gjithashtu duan të dinë se çfarë do të përfshijë ‘përfundimi i sistemit’.

Jezui u jep një përgjigje të hollësishme, duke u treguar një shenjë që do t’i ndihmojë të dallojnë kohën kur do të shkatërrohet sistemi judaik ekzistues dhe tempulli. Për më tepër, kjo shenjë do të ndihmojë edhe të krishterët në të ardhmen që të kuptojnë nëse po jetojnë gjatë ‘pranisë’ së Jezuit dhe në prag të shkatërrimit të gjithë sistemit të lig.

Me kalimin e viteve, apostujt do të shohin plotësimin e profecive të Jezuit. Shumë nga gjërat që Jezui parathotë, do të përmbushen gjatë jetës së tyre. Ja pse 37 vjet më vonë, në vitin 70 të e.s., të krishterët syçelë nuk do të zihen në befasi nga shkatërrimi i sistemit judaik dhe i tempullit. Megjithatë, jo gjithçka që parathotë Jezui plotësohet para vitit 70 të e.s. ose në këtë vit. Atëherë, nga do të kuptohet se Jezui ka nisur të qeverisë si Mbret? Përgjigjen e tregojnë fjalët që u thotë apostujve.

Jezui flet për «luftëra dhe lajme luftërash» e parathotë se «do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie». (Mateu 24:6, 7) Shton edhe se «do të ketë tërmete të mëdha, mungesa ushqimi dhe murtaja nga njëri vend në tjetrin». (Luka 21:11) Pastaj i paralajmëron dishepujt: «Njerëzit do t’ju kapin [dhe] do t’ju përndjekin.» (Luka 21:12) Do të dalin profetë të rremë që do të mashtrojnë shumë veta. Ligësia do të rritet dhe dashuria e shumicës së njerëzve do të ftohet. Gjithashtu, Jezui tregon se ‘lajmi i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, e atëherë do të vijë fundi’.—Mateu 24:14.

Disa aspekte të profecisë së Jezuit u përmbushën para dhe gjatë shkatërrimit të Jerusalemit nga romakët. Megjithatë, mos ndoshta Jezui po i referohet edhe një përmbushjeje më të madhe, në një kohë të mëvonshme? A i dallon dëshmitë se kjo profeci tejet e rëndësishme e ka përmbushjen kryesore në ditët tona?

Kur flet për shenjën e pranisë së tij, Jezui parathotë shfaqjen e ‘gjësë së neveritshme që shkakton shkretim’. (Mateu 24:15) Në vitin 66 të e.s., gjëja e neveritshme ishte ‘ushtria [romake] që ngriti kampin përreth Jerusalemit’, ushtri që mbante stema ose flamuj, që lidheshin me idhujtarinë. Romakët e rrethuan Jerusalemin dhe shkatërruan një pjesë të mureve të tij. (Luka 21:20) Pra, ‘gjëja e neveritshme’ po qëndronte aty ku nuk i takonte, në vendin që judenjtë e konsideronin «vend të shenjtë».

Jezui vazhdon: «Do të ketë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, e as do të ketë përsëri.» Në vitin 70 të e.s., romakët do të shkatërrojnë Jerusalemin. Shkatërrimi i ‘qytetit të shenjtë’ dhe i tempullit do të jetë vërtet shtrëngim i madh, sepse do të vdesin qindra mijë njerëz. (Mateu 4:5; 24:21) Do të jetë shkatërrimi më i madh që qyteti dhe judenjtë kanë pësuar ndonjëherë! Ai do t’i japë fund sistemit judaik, pra tempulli nuk do të jetë më qendra e adhurimit, siç ka qenë prej shekujsh. Ja pse, çfarëdo përmbushjeje tjetër, në shkallë më të madhe, e fjalëve të Jezuit, do të jetë pa diskutim e tmerrshme.

FJALË ZEMËRDHËNËSE PËR DITËT E FUNDIT

Jezui ka ende shumë gjëra për t’u thënë apostujve lidhur me shenjën e pranisë së tij si Mbret dhe të fundit të sistemit. Tani i paralajmëron se do të dalin «krishtër të rremë dhe profetë të rremë», që do të përpiqen «të mashtrojnë madje edhe të zgjedhurit». (Mateu 24:24) Ama, të zgjedhurit nuk do të mashtrohen. Krishtërit e rremë do të shihen, kurse prania e Jezuit do të jetë e padukshme.

Tani, Jezui flet për një shtrëngim edhe më të madh, që do të ndodhë në fund të sistemit. Ai thotë: «Dielli do të errësohet e hëna nuk do të ndriçojë më. Yjet do të bien nga qielli dhe qiejt do të shkunden.» (Mateu 24:29) Apostujt nuk e dinë fiks se ç’do të ndodhë, por pa dyshim do të jetë e frikshme.

Si do të ndikojnë te njerëzimi këto ngjarje të frikshme? Jezui shpjegon: «Njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja e ankthshme se ç’do të ndodhë në tokën e banuar, sepse qiejt do të shkunden.» (Luka 21:26) Pa diskutim, kjo që po përshkruan Jezui, do të jetë koha më e errët e historisë së njerëzimit.

Ama, Jezui u jep zemër apostujve, pasi u tregon qartë se jo të gjithë do të vajtojnë kur ‘Biri i njeriut të vijë me fuqi dhe lavdi të madhe’. (Mateu 24:30) Tashmë u ka thënë se Perëndia do të ndërhyjë «për hir të të zgjedhurve». (Mateu 24:22) Atëherë, si duhet të reagojnë dishepujt besnikë ndaj ngjarjeve tronditëse që përshkruan Jezui? Ai i inkurajon: «Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, drejtoni trupin dhe ngrini kokën lart, sepse çlirimi juaj po afrohet.»—Luka 21:28.

Megjithatë, si do ta kuptojnë dishepujt që do të jetojnë gjatë asaj periudhe se fundi është afër? Jezui tregon ilustrimin për pemën e fikut: «Sapo del bisku e lëshon gjethe, ju e dini se vera është afër. Po ashtu edhe ju, kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, dijeni se ai është afër, te dera. Vërtet po ju them se ky brez nuk do të marrë fund kurrsesi, pa ndodhur të gjitha këto gjëra.»—Mateu 24:32-34.

Pra, kur dishepujt të shohin se aspektet e shumta të shenjës po përmbushen, do ta kuptojnë se fundi është afër. Jezui jep një paralajmërim për ata që do të jetojnë në këtë periudhë të paharrueshme.

Ai thotë: «Mirëpo ditën ose orën askush s’e di, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati; sepse ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut. Ashtu si njerëzit në ato ditë përpara Përmbytjes, hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin, deri ditën që Noeja hyri në arkë, dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi Përmbytja e i përpiu të gjithë, kështu do të jetë prania e Birit të njeriut.» (Mateu 24:36-39) Ngjarja që Jezui përdor si krahasim—përmbytja historike e ditëve të Noesë—pati ndikim global.

Apostujt që po dëgjojnë Jezuin në malin e Ullinjve, pa dyshim e kuptojnë se duhet të rrinë syçelë. Jezui thotë: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen kurrë zemrat nga të ngrënët dhe të pirët e tepërt, e nga ankthet e jetës, që ajo ditë të mos ju zërë befas si një lak, sepse ajo do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë në mbarë faqen e dheut. Rrini zgjuar, duke u përgjëruar pareshtur, që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që duhet të ndodhin dhe të qëndroni para Birit të njeriut.»—Luka 21:34-36.

Edhe një herë, Jezui bën të qartë se profecia e tij ka shtrirje më të gjerë. Ai nuk po flet vetëm për ngjarje që do të ndodhin brenda pak dekadash dhe që do të prekin vetëm Jerusalemin ose kombin jude. Përkundrazi, po e drejton vëmendjen te ngjarjet që do të ndikojnë te ‘të gjithë ata që banojnë në mbarë faqen e dheut’.

Ai thotë se dishepujt duhet të jenë syçelë, vigjilentë dhe gati. Këtë e thekson me një ilustrim tjetër: «Mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë në ç’orë të natës do të vinte hajduti, do të rrinte zgjuar dhe nuk do ta linte të futej në shtëpi e të vidhte. Prandaj edhe ju rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në një orë që s’e mendoni.»—Mateu 24:43, 44.

Më tej, Jezui u jep dishepujve arsye për të qenë optimistë. Ai i siguron se, kur profecia e tij të përmbushet, në tokë do të jetë një «skllav» syçelë dhe aktiv. Duke iu referuar një rrethane të njohur për dishepujt, Jezui thotë: «Kush është në të vërtetë skllavi besnik dhe i mençur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur? Lum ai skllav nëse zotëria i tij e gjen duke bërë kështu kur të vijë! Vërtet po ju them: ai do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e veta.» Ama, nëse «skllavi» zhvillon një qëndrim të lig dhe keqtrajton të tjerët, zotëria ‘do ta ndëshkojë me ashpërsinë më të madhe’.—Mateu 24:45-51; krahaso Lukën 12:45, 46.

Jezui nuk po thotë se një pjesë e dishepujve do të bëhen të ligj. Atëherë cilin mësim po përpiqet t’u ngulitë? Jezui dëshiron që të jenë syçelë dhe aktivë, siç e bën të qartë në një ilustrim tjetër.