Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 112

Një mësim për vigjilencën nga ilustrimi për virgjëreshat

Një mësim për vigjilencën nga ilustrimi për virgjëreshat

MATEU 25:1-13

  • JEZUI TREGON ILUSTRIMIN E DHJETË VIRGJËRESHAVE

Jezui po i përgjigjet pyetjes së apostujve për shenjën e pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit. Tani u jep një paralajmërim të mençur me anë të një ilustrimi, zbatimin e të cilit do ta shohin ata që do të jetojnë gjatë pranisë së tij.

Ja si e nis Jezui ilustrimin: «Mbretëria e qiejve mund të krahasohet me dhjetë virgjëresha, që morën llambat dhe dolën për të takuar dhëndrin. Pesë ishin mendjelehta dhe pesë ishin të mençura.»—Mateu 25:1, 2.

Me këtë, Jezui nuk po thotë se gjysma e dishepujve që trashëgojnë Mbretërinë e qiejve janë mendjelehtë dhe gjysma tjetër të mençur. Përkundrazi, po tregon se, kur bëhet fjalë për Mbretërinë, çdo dishepull mund të zgjedhë të jetë vigjilent ose i shpërqendruar. Megjithatë, Jezui nuk ka fije dyshimi se gjithsecili nga shërbëtorët e tij mund të qëndrojë besnik dhe të marrë bekime nga Ati.

Në ilustrim, dhjetë virgjëreshat dalin për të mirëpritur dhëndrin dhe për t’iu bashkuar dasmorëve. Kur të mbërrijë dhëndri, ato do të ndriçojnë rrugën me llambat e tyre, duke i dhënë nderim ndërsa shoqëron nusen në shtëpinë e përgatitur për të. Por, si rrjedhin ngjarjet?

Jezui shpjegon: «Të parat ishin mendjelehta, sepse i morën llambat, por nuk morën vaj me vete. Kurse të tjerat ishin të mençura, sepse bashkë me llambat, morën me vete edhe vaj në enë. Meqë dhëndri po vonohej, të gjithave iu var koka dhe i zuri gjumi.» (Mateu 25:3-5) Dhëndri vonohet dhe nuk vjen aq shpejt sa mendojnë, prandaj ato i zë gjumi. Këto fjalë mund t’u sjellin ndër mend apostujve tregimin e Jezuit për njeriun nga derë fisnike që u nis për një vend të largët dhe «në fund, u kthye pasi kishte marrë pushtetin si mbret».—Luka 19:11-15.

Jezui përshkruan se çfarë ndodh kur, më në fund, mbërrin dhëndri: «Tamam në mes të natës u dëgjua një britmë: ‘Po vjen dhëndri! Dilni ta takoni.’» (Mateu 25:6) Por, a janë të përgatitura dhe vigjilente virgjëreshat?

Jezui vazhdon: «Atëherë të gjitha virgjëreshat u ngritën dhe bënë gati llambat. Mendjelehtat u thanë të mençurave: ‘Na jepni pak vaj, sepse po na shuhen llambat.’ Të mençurat u përgjigjën: ‘Mund të mos mjaftojë edhe për ne, edhe për ju. Prandaj shkoni më mirë te shitësit dhe blini për vete.’»—Mateu 25:7-9.

Pra, pesë virgjëreshat mendjelehta nuk janë as vigjilente, as të përgatitura për ardhjen e dhëndrit. Duhet të gjejnë ca vaj meqë nuk kanë marrë mjaftueshëm. Jezui vijon: «Ndërsa ato po shkonin të blinin, erdhi dhëndri dhe, virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë, e dera u mbyll. Më pas, erdhën edhe virgjëreshat e tjera e thanë: ‘Zotëri, Zotëri, na e hap derën!’ Por ai iu përgjigj: ‘Po ju them të vërtetën: unë nuk ju njoh.’» (Mateu 25:10-12) Ç’përfundim i trishtueshëm për virgjëreshat e papërgatitura dhe jovigjilente!

Për apostujt është e thjeshtë ta kuptojnë se Jezui po i referohet vetes kur flet për dhëndrin. Madje më përpara, ai e kishte krahasuar veten me një dhëndër. (Luka 5:34, 35) Po virgjëreshat e mençura, kë përfaqësojnë? Kur foli për ‘kopenë e vogël’ që do të trashëgojnë Mbretërinë, Jezui përdori fjalët: «Jini gati e të veshur, dhe mbajini llambat ndezur.» (Luka 12:32, 35) Pra, apostujt mund ta kuptojnë se virgjëreshat përfaqësojnë të gjithë dishepujt besnikë që përbëjnë kopenë e vogël. Çfarë mesazhi po përcjell Jezui me këtë ilustrim?

Jezui nuk lë vend për hamendësime. Ai e përfundon ilustrimin duke thënë: «Prandaj qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini as ditën, as orën.»—Mateu 25:13.

Duket qartë se Jezui po thekson sa e nevojshme është që dishepujt besnikë ‘të qëndrojnë vigjilentë’ gjatë pranisë së tij. Kur të vijë Jezui, ata duhet të jenë të përgatitur dhe vigjilentë, ashtu si pesë virgjëreshat e mençura, që të mos humbin nga sytë shpresën e tyre të çmuar dhe të mos iu ikë nga duart shpërblimi.