Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 115

Afrohet Festa e Kalimit—E fundit për Jezuin

Afrohet Festa e Kalimit—E fundit për Jezuin

MATEU 26:1-5, 14-19 MARKU 14:1, 2, 10-16 LUKA 22:1-13

  • JUDË ISKARIOTIN E PAGUAJNË PËR TË TRADHTUAR JEZUIN

  • DY APOSTUJ BËJNË PËRGATITJET PËR FESTËN E KALIMIT

Në Malin e Ullinjve, Jezui sapo i është përgjigjur pyetjes së katër apostujve për praninë e tij dhe përfundimin e sistemit.

Sa ditë e ngarkuar ka qenë 11 nisani! Ndoshta, ndërsa janë duke u kthyer në Betani që të kalojnë natën, Jezui u thotë apostujve: «Ju e dini se pas dy ditësh bie Festa e Kalimit dhe Birin e njeriut do ta dorëzojnë që ta ekzekutojnë në shtyllë.»—Mateu 26:2.

Të martën, Jezui i qortoi dhe i demaskoi haptazi krerët fetarë, ndaj ata po kërkojnë ta vrasin. Ja pse të mërkurën, më 12 nisan, me sa duket qëndron veçmas me apostujt. Nuk shfaqet në publik, sepse nuk dëshiron të lejojë asgjë, që ta pengojë të kremtojë Festën e Kalimit me apostujt të nesërmen pas perëndimit të diellit, më 14 nisan.

Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit nuk qëndrojnë duarkryq para Festës së Kalimit. Ata mblidhen në oborrin e kryepriftit Kajafa. Pse? Janë të acaruar sepse Jezui u ka nxjerrë në shesh fytyrën e vërtetë. Prandaj komplotojnë bashkë ‘që ta arrestojnë me dredhi dhe ta vrasin’. Si dhe kur mendojnë ta bëjnë këtë? Ata thonë: «Jo në festë, që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull.» (Mateu 26:4, 5) Kanë frikë ngaqë e dinë se Jezui gëzon pëlqimin e shumë njerëzve.

Ndërkohë, te krerët fetarë vjen një vizitor. Për habinë e tyre, është një nga dishepujt e Jezuit, Judë Iskarioti. Satanai i ka shtënë në mendje që të tradhtojë Zotërinë! Juda i pyet: «Ç’do të më jepni që ta tradhtoj e ta dorëzoj në duart tuaja?» (Mateu 26:15) Të lumtur, ata ‘bien dakord t’i japin monedha argjendi’. (Luka 22:5) Sa? Me kënaqësi vendosin t’i japin 30 monedha argjendi. Ka mundësi që kjo shumë të jetë e barabartë me 30 sikla, çmimi i një skllavi. (Eksodi 21:32) Në këtë mënyrë, krerët fetarë tregojnë sa e përçmojnë Jezuin dhe sa të pavlerë e konsiderojnë. Tani, Juda fillon ‘të kërkojë një rast të volitshëm për ta tradhtuar e për ta dorëzuar në duart e tyre, pa pasur turma rreth e qark’.—Luka 22:6.

13 nisani fillon të mërkurën pas perëndimit të diellit, dhe kjo është nata e gjashtë dhe e fundit që Jezui kalon në Betani. Ditën tjetër duhen bërë përgatitjet e fundit për Festën e Kalimit. Ku do ta hanë darkën dhe kush do ta therë e do ta pjekë qengjin që nevojitet për Festën e Kalimit më 14 nisan? Jezui nuk ua ka zbuluar këto detaje, kështu që Juda s’ka çfarë t’u tregojë krerëve të priftërinjve.

Ndoshta në orët e para të pasdites të së enjtes, Jezui u thotë Pjetrit dhe Gjonit që janë me të në Betani: «Shkoni dhe na bëni gati darkën e Festës së Kalimit që të hamë.» Ata e pyesin: «Ku dëshiron ta bëjmë gati?» Jezui shpjegon: «Kur të hyni në qytet, do t’ju dalë përpara një njeri duke mbajtur një enë balte për ujë. Shkoni pas tij deri në shtëpinë ku do të hyjë ai. I thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet: ‘Ku është dhoma e mysafirëve, që të ha darkën e Festës së Kalimit me dishepujt e mi?’” Ai do t’ju tregojë sipër një dhomë të madhe e të mobiluar. Atje bëjeni gati darkën.»—Luka 22:8-12.

Pa dyshim, i zoti i shtëpisë është dishepull i Jezuit dhe, ka të ngjarë që të presë që Jezui t’i kërkojë ta përdorin shtëpinë për këtë rast. Kur dy apostujt mbërrijnë në Jerusalem, gjejnë gjithçka tamam siç u kishte thënë Jezui. Kështu sigurohen që qengji të jetë gati dhe të mos mungojë asgjë për Festën e Kalimit që do të kremtojnë Jezui me 12 apostujt.