Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 119

Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta

Jezui: Udha, e vërteta dhe jeta

GJONI 14:1-31

  • JEZUI PO SHKON T’U PËRGATITË NJË VEND APOSTUJVE

  • U PREMTON DISHEPUJVE NJË NDIHMËS

  • ATI ËSHTË MË I MADH SE JEZUI

Jezui është ende në dhomën e sipërme me apostujt dhe, pas darkës së Përkujtimit, u jep zemër me këto fjalë: «Mos lejoni që zemra juaj të trazohet. Tregoni besim te Perëndia; tregoni besim edhe tek unë.»—Gjoni 13:36; 14:1.

Jezui u tregon apostujve besnikë edhe arsyen pse s’duhet të trazohen që ai po largohet: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. . . . Kur të kem ikur e t’ju kem përgatitur një vend, do të vij përsëri e do t’ju marr me vete në shtëpi, që ku të jem unë, të jeni edhe ju.» Mirëpo apostujt nuk e kuptojnë që ai po flet për ikjen në qiell. Thomai e pyet: «Zotëri, ne nuk e dimë ku po shkon. E si e ditkemi udhën?!»—Gjoni 14:2-5.

«Unë jam udha, e vërteta dhe jeta»,—përgjigjet Jezui. Një njeri mund të hyjë në shtëpinë qiellore të Atit të tij vetëm po të pranojë Jezuin e mësimet e tij dhe po të imitojë mënyrën si jeton ai. Jezui thotë: «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.»—Gjoni 14:6.

Filipi, që po dëgjon tërë sy e veshë, i bën këtë kërkesë: «Zotëri, na e trego Atin, dhe kjo na mjafton.» Me sa duket, Filipi dëshiron që Perëndia t’i shfaqet në ndonjë mënyrë, si në vegimet që panë Moisiu, Elija dhe Isaia. Megjithatë, apostujt kanë diçka më të mirë se këto vegime. Këtë nxjerr në pah Jezui kur u përgjigjet: «Kam qenë me ju për kaq shumë kohë Filip, dhe akoma nuk më njeh? Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» Jezui e pasqyron përsosmërisht personalitetin e të Atit; ndaj të rrish me Jezuin e të vëzhgosh si vepron ai, është njësoj si të kesh parë Atin. Patjetër që Ati është më i madh se Biri, sepse vetë Jezui thotë: «Gjërat që ju them, nuk i them nga vetja.» (Gjoni 14:8-10) Apostujt e shohin qartë se Jezui ia jep gjithë meritën Atit të tij për gjërat që u mëson.

Ata e kanë parë Jezuin të kryejë vepra të mrekullueshme dhe e kanë dëgjuar të shpallë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Tani ai u thotë: «Kush tregon besim tek unë, do të bëjë veprat që bëj unë. Madje do të bëjë vepra edhe më të mëdha se këto.» (Gjoni 14:12) Jezui nuk po thotë se ata do të bëjnë mrekulli më të mëdha se ai. Gjithsesi, ata do të predikojnë për një kohë shumë më të gjatë, në një zonë shumë më të madhe dhe do t’ua japin lajmin e mirë shumë më tepër njerëzve.

Edhe pse Jezui do të largohet, apostujt nuk do të mbeten të braktisur, pasi ai premton: «Nëse kërkoni ndonjë gjë në emrin tim, unë do ta bëj.» Pastaj shton: «Unë do t’i lutem Atit, e ai do t’ju japë një ndihmës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë, frymën e së vërtetës.» (Gjoni 14:14, 16, 17) Jezui u garanton se do të marrin ndihmësin tjetër, pra frymën e shenjtë. Kjo ndodh pikërisht në Festën e Ditës së Pesëdhjetë.

«Edhe pak,—thotë Jezui,—dhe bota nuk do të më shohë më, kurse ju do të më shihni, sepse do të jetoni meqë unë jetoj.» (Gjoni 14:19) Jezui jo vetëm që do t’u shfaqet me trup fizik pasi të ringjallet, por, me kohë, do t’i ringjallë edhe ata që të jenë bashkë me të në qiell.

Tani Jezui pohon këtë të vërtetë të thjeshtë: «Ai që i pranon dhe i zbaton urdhërimet e mia, ai më do. Nga ana tjetër, atë që më do mua, Ati im do ta dojë dhe unë do ta dua e do t’i shfaqem hapur.» Atëherë, apostulli Judë, i cili quhet edhe Tade, e pyet: «Zotëri, si ka mundësi që ke ndër mend të na shfaqesh hapur neve dhe jo botës?» Jezui përgjigjet: «Nëse dikush më do, do ta zbatojë fjalën time, dhe Ati im do ta dojë. . . . Ai që nuk më do mua, nuk i zbaton fjalët e mia.» (Gjoni 14:21-24) Ndryshe nga dishepujt e tij, bota nuk e pranon Jezuin si udha, e vërteta dhe jeta.

Si do të arrijnë dishepujt të kujtojnë gjithçka që u mësoi Jezui, kur ai të mos jetë më me ta? Jezui shpjegon: «Ndihmësi, fryma e shenjtë, të cilën Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë të gjitha gjërat dhe do t’ju sjellë ndër mend çdo gjë që ju thashë.» Këto fjalë u japin shumë zemër apostujve, sepse ata e kanë parë sa e fuqishme është fryma e shenjtë. Jezui thotë më tej: «Po ju jap paqen, po, paqen time. . . . Mos lejoni që zemra juaj të trazohet a të mpaket nga frika.» (Gjoni 14:26, 27) Pra, dishepujt kanë arsye të forta që të mos trazohen: Ati i Jezuit do t’u prijë e do t’i mbrojë.

Shumë shpejt do të shohin prova të qarta të mbrojtjes së Perëndisë. Jezui thotë: «Sundimtari i kësaj bote po vjen. Ai nuk ka pushtet mbi mua.» (Gjoni 14:30) Djalli arriti të hynte në zemrën e Judës e ta vinte nën pushtet. Por Jezui nuk ka asnjë dobësi si pasojë e mëkatit, që Satanai ta shfrytëzojë për ta kthyer kundër Perëndisë. Djalli as nuk mund ta mbajë Jezuin nën kthetrat e vdekjes. Pse? Jezui thotë: «Po bëj ashtu si Ati më ka urdhëruar.» S’ka pikë dyshimi se Ati i tij do ta ringjallë.—Gjoni 14:31.