Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 134

Varri është bosh dhe Jezui është gjallë!

Varri është bosh dhe Jezui është gjallë!

MATEU 28:3-15 MARKU 16:5-8 LUKA 24:4-12 GJONI 20:2-18

  • JEZUI ËSHTË RINGJALLUR

  • DISA NDODHI NË VARRIN E JEZUIT

  • SHFAQET DISA GRAVE

Sa tronditen gratë kur arrijnë te varri dhe e gjejnë bosh! Maria-Magdalena shkon me vrap te «Simon Pjetri dhe te dishepulli tjetër, të cilin Jezui e kishte veçanërisht për zemër», pra te apostulli Gjon. (Gjoni 20:2) Kurse gratë e tjera që rrinë te varri, shohin një engjëll. Brenda varrit është një engjëll tjetër «me një veshje të gjatë të bardhë».—Marku 16:5.

Njëri nga engjëjt u thotë: «Mos kini frikë, sepse e di se po kërkoni Jezuin, që u ekzekutua në shtyllë. Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, ashtu si kishte thënë. Ejani, shihni vendin ku ishte shtrirë dhe pastaj shkoni shpejt e tregojuni dishepujve të tij se ai u ngrit nga të vdekurit dhe u thoni: ‘Ai po shkon përpara jush në Galile.’» (Mateu 28:5-7) Kështu, «me frikë e gëzim të madh», gratë vrapojnë për t’u çuar fjalë dishepujve.—Mateu 28:8.

Ndërkohë, Maria ka gjetur Pjetrin dhe Gjonin. Me një frymë, u thotë: «Zotërinë e kanë hequr nga varri dhe nuk e dimë ku e kanë vënë.» (Gjoni 20:2) Atëherë Pjetri dhe Gjoni nisen me vrap për te varri. Gjoni është më i shpejtë dhe arrin i pari. Mirëpo nuk hyn brenda, vetëm përkulet pak përpara dhe sheh fashat.

Kur arrin Pjetri, futet drejt e brenda varrit. Sheh copat e linosë dhe napën me të cilën ishte mbështjellë koka e Jezuit. Pastaj hyn edhe Gjoni dhe tani e beson atë që i kishte thënë Maria. Pavarësisht nga gjithçka që u kishte thënë Jezui më parë, nuk e kuptojnë akoma që ai është ringjallur. (Mateu 16:21) Të zhytur në mendime, shkojnë për në shtëpi. Kurse Maria, që është kthyer te varri, qëndron aty.

Ndërkaq, gratë e tjera janë nisur për t’u treguar dishepujve se Jezui është ngritur nga të vdekurit. Ndërsa janë duke nxituar, Jezui u del përpara dhe u thotë: «Mirëdita!» Ato i bien në gjunjë dhe ‘i bëjnë nderime’. Atëherë Jezui u thotë: «Mos kini frikë! Shkoni, çojuani lajmin vëllezërve të mi, që të shkojnë në Galile, dhe atje do të më shohin.»—Mateu 28:9, 10.

Më parë, kur kishte rënë një tërmet dhe ishin shfaqur engjëjt, ushtarët pranë varrit ‘ishin dridhur dhe kishin mbetur si të vdekur’. Pasi marrin veten, hyjnë në qytet dhe ‘njoftojnë krerët e priftërinjve për gjithçka që ka ndodhur’. Pastaj priftërinjtë konsultohen me pleqtë e judenjve dhe vendosin t’u japin ryshfet ushtarëve, që të fshehin të vërtetën dhe të thonë: «Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën kur ne po flinim.»—Mateu 28:4, 11, 13.

Ngaqë ushtarët romakë mund t’i dënojnë me vdekje nëse i zë gjumi në detyrë, priftërinjtë u premtojnë: «Nëse kjo [gënjeshtra që i ka zënë gjumi] shkon në vesh të guvernatorit, ne do t’ia shpjegojmë çështjen, dhe ju s’keni pse të merakoseni.» (Mateu 28:14) Ushtarët pranojnë ryshfetin dhe bëjnë siç u thonë priftërinjtë. Kështu, historia e trilluar që trupin e Jezuit e vodhën, u përhap mes gjithë judenjve.

Maria-Magdalena është ende te varri duke vajtuar. Përkulet pak përpara për të parë brenda dhe vëren dy engjëj të veshur me të bardha! Janë ulur në vendin ku më parë shtrihej trupi i Jezuit, njëri nga koka e tjetri nga këmbët. Ata e pyesin: «Grua, pse po qan?» Maria përgjigjet: «Kanë marrë Zotërinë tim dhe nuk e di ku e kanë vënë.» Kur kthehet, Maria sheh dikë tjetër. Ai përsërit pyetjen e engjëjve dhe shton: «Kë po kërkon?» Maria kujton se është kopshtari dhe thotë: «Zotëri, nëse e ke çuar diku, ma thuaj ku e ke vënë, e unë do ta marr.»—Gjoni 20:13-15.

Faktikisht, Maria po flet me Jezuin e ringjallur, por për momentin nuk po e njeh. Mirëpo, kur ai i thotë: «Mari!», ajo e kupton që është Jezui nga mënyra si i drejtohet. Tërë gëzim Maria thërret: «Rabóni!», që do të thotë «mësues». Por nga frika se mos ai do të ngrihet menjëherë në qiell, e shtrëngon fort. Ndaj Jezui i thotë: «Mos më shtrëngo më, se unë nuk kam shkuar ende lart tek Ati. Por shko te vëllezërit e mi dhe thuaju: ‘Unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj.’»—Gjoni 20:16, 17.

Maria shkon me vrap ku janë mbledhur apostujt e dishepujt e tjerë dhe u thotë: «Kam parë Zotërinë!» Kjo është një dëshmi tjetër, përveç asaj që kanë dëgjuar tashmë nga gratë e tjera. (Gjoni 20:18) Prapëseprapë, atyre ‘u duken gjepura këto fjalë’.—Luka 24:11.