Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 136

Buzë detit të Galilesë

Buzë detit të Galilesë

GJONI 21:1-25

  • JEZUI SHFAQET PRANË DETIT TË GALILESË

  • PJETRI DHE TË TJERËT DUHET TË USHQEJNË DELET

Gjatë natës së fundit që kaloi me apostujt, Jezui u kishte thënë: «Pasi të ngrihem nga të vdekurit, do të shkoj përpara jush në Galile.» (Mateu 26:32; 28:7, 10) Prandaj tani shumë nga dishepujt marrin udhën për në Galile, por çfarë duhet të bëjnë atje?

Vjen një moment dhe Pjetri u thotë gjashtë prej apostujve: «Unë po shkoj të peshkoj.» Të gjashtë i përgjigjen: «Po vijmë edhe ne me ty.» (Gjoni 21:3) Kalojnë gjithë natën në det, por nuk kapin gjë. Ndërsa po agon, Jezui shfaqet në breg, por dishepujt nuk e dallojnë që është ai. Jezui u thërret: «Fëmijë të vegjël, mos keni ndonjë gjë për të ngrënë?» Ata përgjigjen: «Jo!» Jezui u thotë: «Hidheni rrjetën në të djathtë të varkës e do të gjeni.» (Gjoni 21:5, 6) Ata zënë aq shumë peshq, sa nuk e ngrenë dot rrjetën.

Atëherë Gjoni i thotë Pjetrit: «Është Zotëria!» (Gjoni 21:7) Në çast, Pjetri vesh rrobën që e kishte hequr kur po peshkonte, hidhet në det dhe noton nja 90 metra deri në breg. Kurse të tjerët e ndjekin dalëngadalë me varkë, se njëkohësisht tërheqin edhe rrjetën plot peshq.

Kur mbërrijnë në breg, shohin «një zjarr me qymyr dhe, mbi të, peshq e bukë». Jezui u thotë: «Sillni ca nga peshqit që sapo zutë.» Atëherë Pjetri tërheq në breg rrjetën me 153 peshq të mëdhenj, dhe Jezui i fton: «Ejani të hani mëngjesin.» Asnjë nga dishepujt nuk guxon ta pyesë: «Kush je?», sepse e dinë që është Jezui. (Gjoni 21:9-12) Kjo është hera e tretë që Jezui u shfaqet dishepujve si grup.

Jezui i jep secilit bukë e peshq për të ngrënë. Pastaj, ndoshta me sytë nga peshqit që sapo kanë zënë, pyet: «Simon, bir i Gjonit, a më do mua më shumë se këta?» Me fjalë të tjera, ku e ka zemrën Pjetri, te biznesi i peshkimit apo te vepra që i ka besuar Jezui? Pjetri përgjigjet: «Po, Zotëri, ti e di se unë të kam për zemër.» Atëherë Jezui e nxit: «Ushqeji qengjat e mi.»—Gjoni 21:15.

Jezui e pyet përsëri: «Simon, bir i Gjonit, a më do mua?» Ndoshta disi i hutuar, Pjetri i përgjigjet sinqerisht: «Po, Zotëri, ti e di se unë të kam për zemër.» Jezui, me fjalë të tjera, i thekson të njëjtën gjë: «Kulloti delet e mia të vogla.»—Gjoni 21:16.

Jezui e pyet për herë të tretë: «Simon, bir i Gjonit, a më ke për zemër?» Mbase tani Pjetri mendon se Jezui dyshon te besnikëria e tij, prandaj i thotë me gjithë shpirt: «Zotëri, s’ka gjë që ti s’e di; ti e di që unë të kam për zemër.» Jezui thekson edhe një herë se çfarë duhet të bëjë Pjetri: «Ushqeji delet e mia të vogla.» (Gjoni 21:17) Po, ata që marrin drejtimin, duhet t’u shërbejnë atyre që Perëndia ka tërhequr në vathën e tij.

Jezuin e lidhën me vargonj dhe e ekzekutuan ngaqë përmbushi detyrën që i caktoi Perëndia. Tani i zbulon Pjetrit se do të ketë një fund të ngjashëm. «Kur ti ishe më i ri,—thotë Jezui,—visheshe vetë e shkoje ku të doje, por kur të plakesh, do të shtrish krahët dhe një tjetër do të të veshë e do të të çojë atje ku ti nuk do.» Pavarësisht nga kjo, e nxit: «Vazhdo të më ndjekësh.»—Gjoni 21:18, 19.

Pjetri sheh nga apostulli Gjon dhe pyet Jezuin: «Zotëri, po me atë, ç’do të bëhet?» Vërtet, ç’do të bëhet me apostullin që Jezui e ka veçanërisht për zemër? Jezui përgjigjet: «Nëse është vullneti im që ai të qëndrojë këtu derisa të vij unë, ti pse shqetësohesh?» (Gjoni 21:21-23) Pjetri duhet të ndjekë Jezuin pa e vrarë mendjen se ç’bëjnë të tjerët. Gjithsesi, Jezui po tregon se Gjoni do të jetojë më gjatë se apostujt e tjerë dhe se do të shohë në vegim ardhjen e Jezuit si Mbret.

Sigurisht, Jezui bëri edhe shumë gjëra të tjera, por as edhe një mori rrotullash nuk do të mjaftonin për t’i mbajtur të gjitha.