Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 138

Krishti në të djathtë të Perëndisë

Krishti në të djathtë të Perëndisë

VEPRAT 7:56

  • JEZUI ULET NË TË DJATHTË TË PERËNDISË

  • SAULI BËHET DISHEPULL

  • KEMI ARSYE PËR TË GËZUAR

Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, 10 ditë pasi u ngjit në qiell, Jezui derdhi frymën e shenjtë mbi dishepujt, dhe kjo dha prova se ai ishte vërtet në qiell. Pas pak do të vinte një provë tjetër e kësaj. Para se dishepullin Stefan ta vrisnin me gurë për dëshminë e tij besnike, ai tha me zë të lartë: «Ja, shoh qiejt të hapur dhe Birin e njeriut që qëndron në të djathtë të Perëndisë.»—Veprat 7:56.

Pasi u kthye në qiell tek Ati i tij, Jezui duhej të priste urdhrin specifik që ishte parathënë në Fjalën e Perëndisë. Davidi shkroi nën frymëzim: «Jehovai i tha Zotërisë tim [Jezuit]: ‘Ulu në të djathtën time derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.’» Kur kjo periudhë pritjeje të përfundonte, ai ‘do të shkonte mes armiqve të tij dhe do t’i nënshtronte’. (Psalmi 110:1, 2) Por çfarë do të bënte Jezui në qiell ndërkohë që priste momentin kur të ndërhynte kundër armiqve?

Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., u themelua kongregacioni i krishterë. Jezui filloi të qeveriste ose të mbretëronte nga qielli mbi dishepujt e tij të mirosur nga fryma. (Kolosianëve 1:13) I drejtoi në veprën e predikimit dhe i përgatiti për rolin e tyre të ardhshëm. Për cilin rol? Ata që do të tregoheshin besnikë deri në vdekje, më vonë do të ringjalleshin dhe do të shërbenin si mbretër bashkë me Jezuin në Mbretëri.

Ndër ata që do të ishin mbretër në të ardhmen, vlen të përmendet njëri në veçanti: Sauli, ose siç njihet më shumë me emrin e tij romak, Pavli. Ky jude kishte treguar gjithmonë zell për Ligjin e Perëndisë, por krerët fetarë judenj e kishin devijuar shumë nga udha e drejtë. Ai arriti deri aty sa miratoi vrasjen me gurë të Stefanit. Pastaj, me synimin ‘për t’i kërcënuar dishepujt e Zotërisë dhe për t’i vrarë’, mori rrugën për në Damask. Kishte siguruar autorizimin nga kryeprifti Kajafa për të arrestuar dishepujt e Jezuit dhe për t’i kthyer në Jerusalem. (Veprat 7:58; 9:1) Mirëpo rrugës, rreth tij vetëtiu një dritë vezulluese dhe ra përtokë.

Atëherë dëgjoi një zë nga qielli që i tha: «Saul, Saul, pse po më përndjek?» Sauli e pyeti: «Kush je ti, Zotëri?» Pastaj mori këtë përgjigje: «Jam Jezui, të cilin ti po e përndjek.»—Veprat 9:4, 5.

Jezui i tha Saulit të hynte në Damask dhe të priste udhëzime të mëtejshme. Megjithatë Saulin duhej ta shoqëronin për në qytet, sepse drita nga qielli e kishte verbuar. Në një vegim tjetër, Jezui iu shfaq Ananisë, një dishepulli që jetonte në Damask. Ai i dha adresën ku duhej të shkonte për të gjetur Saulin. Anania ngurroi disi nga frika, por Jezui e siguroi: «Ai njeri është për mua një enë e zgjedhur, që t’ua çojë emrin tim kombeve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.» Ndërkohë, Saulit iu rikthye shikimi dhe atje në Damask «filloi të predikonte . . . që Jezui është Biri i Perëndisë».—Veprat 9:15, 20.

Me mbështetjen e Jezuit, Pavli dhe ungjillëzues të tjerë çuan përpara veprën e predikimit që kishte nisur Jezui. Perëndia i bekoi dhe kjo vepër pati sukses të jashtëzakonshëm. Rreth 25 vjet pasi Jezui iu shfaq rrugës për në Damask, Pavli shkroi se lajmi i mirë u ishte predikuar «të gjitha krijesave nën qiell».—Kolosianëve 1:23.

Vite më vonë, Jezui i dha disa vegime Gjonit, apostullit që e kishte veçanërisht për zemër, të cilat i gjejmë në Bibël, në librin e Zbulesës. Nëpërmjet këtyre vegimeve, Gjoni, si të thuash, jetoi derisa pa Jezuin të vinte si Mbret. (Gjoni 21:22) ‘Nën frymëzim Gjoni u gjend në ditën e Zotërisë.’ (Zbulesa 1:10) Kur do të vinte kjo ditë?

Një studim i kujdesshëm i profecive të Biblës zbulon se ‘dita e Zotërisë’ filloi në kohët tona. Më 1914, shpërtheu ajo që u quajt Lufta I Botërore. Dhe dekadat që pasuan u karakterizuan nga më shumë luftëra, murtaja, zi buke e tërmete. Këto dhe prova të tjera dëshmojnë se po përmbushet në një shkallë të madhe «shenja» që u kishte dhënë Jezui apostujve për ‘praninë’ e tij dhe për ‘përfundimin e sistemit’. (Mateu 24:3, 7, 8, 14) Sot lajmi i mirë për Mbretërinë po predikohet jo vetëm në Perandorinë Romake, por në mbarë botën.

Nën frymëzim, Gjoni shpjegoi domethënien e këtyre ngjarjeve: «Tani erdhi shpëtimi, fuqia, Mbretëria e Perëndisë tonë dhe autoriteti i Krishtit të tij.» (Zbulesa 12:10) Po, Mbretëria qiellore e Perëndisë për të cilën predikoi aq shumë Jezui, sot është realitet!

Ky është një lajm i mrekullueshëm për të gjithë dishepujt besnikë të Jezuit. Ata duhet t’i mbajnë vath në vesh fjalët e Gjonit: «Prandaj, gëzoni, o qiej, dhe ju që banoni në ta! Mjerë ti tokë e ti det, sepse Djalli zbriti te ju me zemërim të madh, ngaqë e di se i mbetet një periudhë e shkurtër kohe!»—Zbulesa 12:12.

Pra, Jezui nuk është më ulur duke pritur në të djathtë të Perëndisë. Ai po mbretëron si Mbret dhe së shpejti do të zhdukë gjithë armiqtë. (Hebrenjve 10:12, 13) Çfarë ngjarjesh emocionuese na presin?