Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 139

Jezui sjell Parajsën dhe përfundon caktimin

Jezui sjell Parajsën dhe përfundon caktimin

1 KORINTASVE 15:24-28

  • ÇFARË DO TË NDODHË ME DELET DHE ME CJEPTË

  • SHUMË DO TË SHIJOJNË PARAJSËN NË TOKË

  • JEZUI JEP PROVA SE ËSHTË UDHA, E VËRTETA DHE JETA

Pak pas pagëzimit, Jezui u ndesh me një armik që ishte i vendosur ta çonte në dështim që para se të niste shërbimin. Po, Djalli u orvat vazhdimisht që ta tundonte Jezuin. Më vonë, Jezui tha për këtë person të lig: «Sundimtari i kësaj bote po vjen. Ai nuk ka pushtet mbi mua.»—Gjoni 14:30.

Apostulli Gjon parapa në vegim çfarë e pret ‘dragoin e madh, gjarprin e hershëm, që quhet Djall dhe Satana’. Ky armik i egër i njerëzimit do të flaket nga qielli dhe do të ketë «zemërim të madh, ngaqë e di se i mbetet një periudhë e shkurtër kohe». (Zbulesa 12:9, 12) Shërbëtorët e Jehovait kanë arsye të forta të besojnë se po jetojnë gjatë kësaj ‘periudhe të shkurtër kohe’ dhe se së shpejti ‘dragoi, gjarpri i hershëm’, do të mbyllet në humnerë dhe do të mbahet në gjendje joaktive për 1.000 vjet, ndërsa Jezui do të qeverisë në Mbretërinë e Perëndisë.—Zbulesa 20:1, 2.

Çfarë do të ndodhë në tokë, në shtëpinë tonë, gjatë kësaj periudhe? Cilët do të jetojnë këtu dhe çfarë kushtesh do të gëzojnë? Vetë Jezui na tregoi përgjigjet. Në ilustrimin e tij për delet dhe cjeptë, ai tregoi ç’e ardhme i pret njerëzit e drejtë që janë si dele, të cilët bashkëpunojnë me vëllezërit e Krishtit dhe i mbështetin. Ai tregoi qartë edhe çfarë i pret ata që bëjnë të kundërtën, të cilët janë si cjep. Jezui tha: «Ata [cjeptë] do të përfundojnë në vdekjen e përhershme, kurse të drejtët [delet] do të marrin jetën e përhershme.»—Mateu 25:46.

Kjo na ndihmon të kuptojmë fjalët që i tha Jezui kriminelit të gozhduar në shtyllë përkrah tij. Jezui nuk i ofroi të njëjtin shpërblim që u premtoi apostujve të tij besnikë, pra që të ishte pjesë e Mbretërisë në qiell. Këtij keqbërësi të penduar, Jezui i premtoi: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) Kështu, ky burrë ka shpresë të jetojë në Parajsë, pra në një park ose kopsht të mrekullueshëm. Kur Jezui të gjykojë njerëzit në të ardhmen, edhe ata që do të konsiderohen si dele dhe që do të marrin «jetën e përhershme», do të jetojnë në këtë Parajsë.

Kjo përputhet me përshkrimin që u bën apostulli Gjon kushteve që do të mbizotërojnë në tokë. Ai tha: «Tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më vdekje. Nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:3, 4.

Që ai kriminel të gëzojë jetën në Parajsë, do të duhet ta kthejnë në jetë dhe nuk do të jetë i vetmi që do të provojë ringjalljen. Jezui e bëri të qartë këtë kur tha: «Po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin: ata që bënë gjëra të mira, në një ringjallje jete, ata që bënë gjëra të poshtra, në një ringjallje gjykimi.»—Gjoni 5:28, 29.

Por ç’të themi për numrin e kufizuar të njerëzve, ku përfshihen edhe apostujt besnikë, që do të jenë me Jezuin në qiell? Bibla thotë: «Ata do të jenë priftërinj të Perëndisë e të Krishtit, dhe do të mbretërojnë me të për 1.000 vjet.» (Zbulesa 20:6) Para se këta të mbretërojnë me Krishtin, kanë qenë burra e gra këtu në tokë. Prandaj jemi të sigurt se do të jenë qeveritarë të dhembshur që do t’i kuptojnë njerëzit mbi të cilët do të mbretërojnë.—Zbulesa 5:10.

Jezui do ta zbatojë vlerën e flijimit të tij shpërblyes për njerëzit në tokë dhe do t’i çlirojë nga mallkimi i mëkatit të trashëguar nga Adami. Ai dhe bashkëqeveritarët e tij do ta çojnë njerëzimin besnik drejt përsosmërisë. Atëherë njerëzit do të gëzojnë jetën që kishte si qëllim Perëndia në fillim për ta, kur i tha Adamit dhe Evës të shumoheshin e të mbushnin tokën. Madje edhe vdekja që erdhi si pasojë e mëkatit të Adamit, nuk do të ekzistojë më.

Kështu, Jezui do të ketë çuar deri në fund gjithçka që i kërkoi Jehovai. Në fund të Mbretërimit të tij Mijëvjeçar, Jezui do t’ia dorëzojë Mbretërinë dhe familjen e përsosur njerëzore Atit të tij. Për këtë akt jashtëzakonisht të përulur nga ana e Jezuit, apostulli Pavël shkroi: «Kur çdo gjë t’i jetë nënshtruar Birit, atëherë edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Atit që ia nënshtroi çdo gjë atij, që Perëndia të jetë kreu i të gjithëve.»—1 Korintasve 15:28.

Është e qartë se Jezui luan rol kyç në plotësimin e qëllimeve të lavdishme të Perëndisë. E ndërsa Perëndia do të vazhdojë të plotësojë qëllimet e tij për gjithë përjetësinë, Jezui do të jetë plotësisht në lartësinë e fjalëve të tij: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta.»—Gjoni 14:6.