Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 71

Farisenjtë ballafaqohen me burrin që ishte i verbër

Farisenjtë ballafaqohen me burrin që ishte i verbër

GJONI 9:19-41

  • FARISENJTË BALLAFAQOHEN ME BURRIN QË ISHTE I VERBËR

  • UDHËHEQËS FETARË «TË VERBËR»

Farisenjtë nuk duan ta pranojnë se Jezui i ktheu shikimin burrit që kishte lindur i verbër, kështu që thërrasin prindërit e tij. Prindërit e dinë se mund ‘të përjashtohen nga sinagoga’. (Gjoni 9:22) Shkëputja e lidhjeve me judenjtë e tjerë do t’u sillte pasoja të rënda ekonomike e sociale.

Farisenjtë u bëjnë dy pyetje: «A është ky djali juaj, për të cilin thoni se ka lindur i verbër? Si vallë sheh tani?» Prindërit përgjigjen: «E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër. Por se si shikon tani, nuk e dimë, dhe as kush ia hapi sytë, nuk e dimë.» Edhe pse djali mund t’u ketë treguar çfarë ndodhi, prindërit maten mirë para se të flasin dhe thonë: «Pyeteni vetë. Ai është i rritur. Duhet të përgjigjet vetë.»—Gjoni 9:19-21.

Prandaj farisenjtë e thërrasin përsëri burrin dhe përpiqen ta frikësojnë duke pretenduar se kanë prova kundër Jezuit. Ata i kërkojnë: «Jepi lavdi Perëndisë. Ne e dimë se ai njeri është mëkatar.» Burri nuk i përgjigjet drejtpërdrejt kësaj akuze, por thotë: «Në është mëkatar, nuk e di.» E megjithatë pohon: «Por një gjë e di: isha i verbër dhe tani shikoj.»—Gjoni 9:24, 25.

Farisenjtë nuk duan ta lënë me kaq dhe vazhdojnë ta pyesin: «Ç’të bëri? Si t’i hapi sytë?» Ai u përgjigjet: «Jua thashë një herë, e megjithatë ju nuk dëgjuat. Pse doni ta dëgjoni përsëri? Mos doni të bëheni edhe ju dishepuj të tij?» Atëherë ata i thonë gjithë përbuzje: «Ti je dishepull i tij, kurse ne jemi dishepuj të Moisiut. Ne e dimë që Perëndia i ka folur Moisiut, kurse për këtë njeri, nuk e dimë nga është.»—Gjoni 9:26-29.

Lypësi u thotë i habitur: «Çudi! Si nuk e dini nga është kur pikërisht ai m’i hapi sytë?!» Pastaj bën këtë arsyetim logjik se kë dëgjon dhe miraton Perëndia: «Ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por, nëse dikush e nderon thellësisht Perëndinë dhe bën vullnetin e tij, ai e dëgjon. Që nga lashtësia nuk është dëgjuar kurrë që ndokush të ketë hapur sytë e një njeriu që ka lindur i verbër.» Ai nxjerr këtë përfundim: «Po të mos ishte nga Perëndia, ky njeri nuk do të bënte dot asgjë.»—Gjoni 9:30-33.

Farisenjtë nuk e kundërshtojnë dot logjikën e lypësit, ndaj e shajnë: «Ti ke lindur gjithë mëkate, e po na mësoke ne?!» Pastaj e flakin jashtë.—Gjoni 9:34.

Kur Jezui dëgjon çfarë ka ndodhur, e gjen burrin dhe i thotë: «A ke besim te Biri i njeriut?» Ish i verbri i përgjigjet: «E kush është, imzot, që unë të besoj tek ai?» Jezui i thotë hapur: «Ti e ke parë dhe është pikërisht ai që po të flet.»—Gjoni 9:35-37.

Burri ia kthen: «Unë besoj vërtet tek ai, Zotëri.» Plot besim dhe respekt, përkulet para Jezuit, i cili bën këtë pohim domethënës: «Unë erdha në botë që bota të gjykohet, e kështu ata që nuk shohin, të shohin, dhe ata që shohin, të verbohen.»—Gjoni 9:38, 39.

Farisenjtë e pranishëm e dinë se nuk janë të verbër në kuptim të mirëfilltë. Por ç’të themi për rolin e tyre si udhëheqës fetarë? Për të mbrojtur veten, ata e pyesin: «Mos jemi edhe ne të verbër?» Jezui ua kthen: «Po të ishit të verbër, nuk do të kishit asnjë mëkat. Por meqë thoni: ‘Ne shohim’, mëkatet tuaja mbeten te ju.» (Gjoni 9:40, 41) Farisenjtë janë mësues në Izrael, ndaj nuk kanë asnjë justifikim të mos e pranojnë Jezuin si Mesia. Meqë e njohin Ligjin, mohimi i tij si Mesia është mëkat serioz.