Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 69

Bij të Abrahamit apo të Djallit?

Bij të Abrahamit apo të Djallit?

GJONI 8:37-59

  • JUDENJTË PRETENDOJNË SE JANË BIJ TË ABRAHAMIT

  • JEZUI KA EKZISTUAR PARA ABRAHAMIT

Jezui është ende në Jerusalem për Festën e Tabernakujve (ose Festën e Kasolleve), dhe vazhdon të mësojë të vërteta jetësore. Disa judenj që janë të pranishëm, i thonë: «Ne jemi pasardhës të Abrahamit e nuk kemi qenë kurrë skllevër të askujt.» Jezui u përgjigjet: «E di që jeni pasardhës të Abrahamit. Por ju po kërkoni të më vritni, sepse fjalët e mia nuk zënë vend mes jush. Unë them ato që kam parë kur isha pranë Atit tim, kurse ju bëni gjërat që keni dëgjuar nga ati juaj.»—Gjoni 8:33, 37, 38.

Me pak fjalë Jezui po thotë se Ati i tij nuk është ati i tyre. Judenjtë nuk i kuptojnë fjalët e tij dhe përsëri ngulin këmbë: «Ati ynë është Abrahami.» (Gjoni 8:39; Isaia 41:8) Ata mendojnë se, meqë janë pasardhës të Abrahamit, i cili ishte mik i Perëndisë, kanë të njëjtin besim si ai.

Gjithsesi, përgjigjja e Jezuit është tronditëse: «Po të ishit fëmijë të Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit.» Në fakt, një bir i vërtetë imiton të atin. Jezui vazhdon: «Por tani ju kërkoni të më vritni mua, një njeri që ju ka thënë të vërtetën që dëgjoi nga Perëndia. Abrahami nuk do ta kishte bërë kurrë një gjë të tillë.» Pastaj bën këtë pohim që të vë në mendime: «Ju bëni veprat e atit tuaj.»—Gjoni 8:39-41.

Judenjtë nuk e kuptojnë se për kë e ka fjalën Jezui. Ata pretendojnë se janë fëmijë të ligjshëm dhe i thonë: «Ne kemi një Atë të vetëm, Perëndinë, dhe nuk jemi fëmijë të jashtëligjshëm.» Por, a është vërtet Perëndia Ati i tyre? Jezui ua kthen: «Po të ishte Perëndia Ati juaj, do të më donit, sepse nga Perëndia erdha dhe jam këtu. Nuk erdha me nismën time, por Ai më dërgoi.» Pastaj Jezui bën një pyetje të cilës i përgjigjet vetë: «Pse nuk e kuptoni çfarë po them? Ngaqë nuk i dëgjoni dot fjalët e mia.»—Gjoni 8:41-43.

Jezui është përpjekur t’u tregojë çfarë pasojash do të kenë po të mos e pranojnë. Por tani u thotë troç: «Ju jeni nga ati juaj, Djalli, dhe doni të bëni atë që dëshiron ati juaj.» Si është ati i tyre? Ai e përshkruan qartë me këto fjalë: «Ai ishte vrasës që kur filloi udhën e tij dhe nuk qëndroi besnik ndaj së vërtetës.» Pastaj shton: «Ai që është nga Perëndia, i dëgjon fjalët e Perëndisë. Ja pse nuk dëgjoni, sepse nuk jeni nga Perëndia.»—Gjoni 8:44, 47.

Kjo akuzë i tërbon judenjtë që i përgjigjen: «A nuk kemi të drejtë kur themi se ‘ti je samaritan dhe ke një demon’?» Duke e quajtur «samaritan», shprehin përbuzje për Jezuin. Megjithatë ai nuk ua vë veshin dhe ua kthen: «Unë nuk kam demon; unë nderoj Atin tim, por ju më çnderoni.» Premtimi i papritur që bën më pas, tregon sa serioze është kjo çështje. Ai thotë: «Nëse dikush i zbaton fjalët e mia, s’do ta shohë vdekjen kurrën e kurrës.» Jezui nuk po thotë se apostujt dhe të tjerë që e ndjekin, nuk do të vdesin kurrë në kuptimin e mirëfilltë. Por po u thotë se nuk do të përfundojnë në shkatërrimin e përhershëm, pra në «vdekjen e dytë», e cila nënkupton se s’ka më shpresë për t’u ringjallur.—Gjoni 8:48-51; Zbulesa 21:8.

Judenjtë i marrin në kuptimin e mirëfilltë fjalët e Jezuit dhe i thonë: «Tani e dimë vërtet që ke një demon. Abrahami vdiq, e po ashtu edhe profetët. Kurse ti thua: ‘Nëse dikush i zbaton fjalët e mia, nuk do ta provojë vdekjen kurrën e kurrës.’ Mos na qenke më i madh se ati ynë, Abrahami, që ka vdekur?! . . . Kush kujton se je?»—Gjoni 8:52, 53.

Duket qartë se Jezui po u tregon se është Mesia. Në vend se t’i përgjigjet drejtpërdrejt pyetjes së tyre, u thotë: «Nëse i jap lavdi vetes, lavdia ime nuk vlen për asgjë. Është Ati im që më jep lavdi, ai për të cilin ju thoni se është Perëndia juaj. Megjithatë, ju nuk e keni njohur atë, kurse unë e njoh. Po të thosha se nuk e njoh, do të isha si ju, gënjeshtar.»—Gjoni 8:54, 55.

Jezui i referohet përsëri shembullit të paraardhësit të tyre besnik: «Abrahami, ati juaj, mezi e priste ditën kur do të vija unë; ai e pa këtë ditë dhe u gëzua shumë.» Po, Abrahami kishte besim te premtimi i Perëndisë dhe mezi e priste ardhjen e Mesisë. Megjithatë, judenjtë shprehin mosbesim dhe i përgjigjen: «Nuk je as 50 vjeç, e na paske parë Abrahamin?!» Jezui ua kthen: «Me të vërtetë po ju them: para se Abrahami të vinte në jetë, unë kam qenë.» Me këto fjalë, Jezui po i referohet ekzistencës së tij paranjerëzore si një krijesë qiellore e fuqishme.—Gjoni 8:56-58.

Judenjtë tërbohen kur e dëgjojnë që thotë se ka jetuar para Abrahamit. Ata përpiqen ta vrasin me gurë, por Jezui largohet pa u dëmtuar.