Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 7

Të vdekurit do të ringjallen

Të vdekurit do të ringjallen

1-3. Çfarë dënimi kemi marrë të gjithë, dhe si do të na çlirojë Jehovai?

IMAGJINO sikur të kanë dënuar me burgim të përjetshëm për një krim që nuk e ke bërë. S’ka asnjë mundësi që të të lirojnë. E ardhmja jote duket e pashpresë dhe s’ke çfarë bën. Por, pikërisht kur i ke humbur të gjitha shpresat, zbulon se është dikush që mund të të lirojë, dhe ai ka premtuar ta bëjë këtë. Si do të ndiheshe?

2 Të gjithë vuajmë dënimin në burgun e vdekjes. Pavarësisht se çfarë bëjmë, nuk i shpëtojmë dot. Por Jehovai ka fuqinë të na çlirojë dhe ka premtuar se «armiku i fundit që do të asgjësohet, është vdekja».—1 Korintasve 15:26.

3 Imagjino sa i lehtësuar do të ndihesh kur të mos kesh më frikë nga vdekja! Jehovai jo vetëm që do ta zhdukë atë, por edhe do t’i rikthejë në jetë ata që kanë vdekur. Mendo çfarë do të thotë kjo për ty. Ai premton se ata që «dergjen të pafuqishëm në vdekje» do të jetojnë përsëri. (Isaia 26:19) Në Bibël, kjo quhet ringjallje.

KUR NA VDES NJË NJERI I DASHUR

4. (a) Ku mund të gjejmë ngushëllim kur na vdes një familjar ose një mik? (b) Cilët ishin disa nga miqtë e ngushtë të Jezuit?

4 Kur na vdes një familjar ose një mik i ngushtë, dhimbja dhe pikëllimi mund të jenë të papërballueshme. Ndihemi të pashpresë sepse, çfarëdo që të bëjmë, nuk e kthejmë dot në jetë. Por, Bibla na jep ngushëllim të vërtetë. (Lexo 2 Korintasve 1:3, 4.) Le të shqyrtojmë një rast që tregon se sa shumë duan Jehovai dhe Jezui që t’i kthejnë në jetë njerëzit tanë të dashur. Kur Jezui ishte në tokë, ai i vizitonte shpesh Lazarin dhe motrat e tij, Martën e Marinë. Të tre ishin miq të ngushtë të Jezuit. Bibla thotë: «Jezui e donte shumë Martën, motrën e saj dhe Lazarin.» Por një ditë, Lazari vdiq.—Gjoni 11:3-5.

5, 6. (a) Çfarë bëri Jezui kur pa familjen dhe miqtë e Lazarit duke vajtuar? (b) Pse marrim zemër kur dimë si ndihet Jezui për vdekjen?

5 Jezui shkoi të ngushëllonte Martën dhe Marinë. Kur Marta mori vesh se po vinte Jezui, doli jashtë qytetit për ta takuar. Edhe pse u kënaq kur pa Jezuin, ajo i tha: «Po të kishe qenë këtu, vëllai im nuk do të kishte vdekur.» Marta mendonte se Jezui kishte ardhur tepër vonë. Pas kësaj, Jezui pa motrën e saj, Marinë, duke qarë. Kur vuri re sa të trishtuara ishin motrat dhe miqtë e Lazarit, Jezui u prek thellë dhe qau. (Gjoni 11:21, 33, 35) Ai provoi sa shumë dhimbje shkakton humbja e një njeriu të dashur.

6 Pikëllimi që ndjeu Jezui na jep zemër. Na mëson se Jezui dhe Ati i tij, Jehovai, e urrejnë vdekjen. (Gjoni 14:9) Jehovai ka fuqinë ta zhdukë vdekjen njëherë e mirë, dhe do ta bëjë këtë së shpejti.

«LAZAR, EJA JASHTË!»

7, 8. Pse Marta nuk donte që të hiqej guri nga varri i Lazarit? Çfarë bëri Jezui?

7 Kur Jezui shkoi te varri ku kishin vendosur trupin e Lazarit, pa që e kishin mbyllur hyrjen me një gur të madh. Ai tha: «Hiqeni gurin.» Por Marta nuk donte sepse Lazari kishte katër ditë që kishte vdekur. (Gjoni 11:39) Ajo nuk e dinte se ç’kishte ndër mend të bënte Jezui.

Imagjino gëzimin që kanë përjetuar familjarët dhe miqtë e Lazarit kur Jezui e ringjalli.—Gjoni 11:38-44

8 Jezui i tha Lazarit: «Eja jashtë!» Ajo që panë më pas Marta dhe Maria ishte e jashtëzakonshme. «Lazari, që kishte qenë i vdekur, doli me këmbët dhe duart të lidhura me fasha.» (Gjoni 11:43, 44) Ai u rikthye në jetë dhe u bashkua përsëri me familjen dhe miqtë. Ata mund ta përqafonin, ta preknin dhe t’i flisnin. Çfarë mrekullie! Jezui e kishte ringjallur Lazarin.

«VOGËLUSHE, PO TË THEM: NGRIHU!»

9, 10. (a) Kush ia dha Jezuit fuqinë për të ringjallur? (b) Pse na interesojnë ringjalljet e dokumentuara në Bibël?

9 A i ringjallte Jezui njerëzit me fuqinë e tij? Jo. Para se të ringjallte Lazarin, Jezui iu lut Jehovait dhe Jehovai i dha fuqinë për ta ringjallur. (Lexo Gjonin 11:41, 42.) Por Lazari nuk ishte i vetmi që u ringjall. Bibla tregon për një vajzë 12 vjeçe që ishte shumë sëmurë. Babai i saj, Jairi, ishte i dëshpëruar dhe iu përgjërua Jezuit që ta shëronte. Ishte fëmija i tij i vetëm. Ndërsa po fliste me Jezuin, iu afruan disa burra e i thanë: «Vajza jote vdiq! Pse ta shqetësosh akoma Mësuesin?!» Por Jezui i tha Jairit: «Mos ki frikë, vetëm ki besim, dhe ajo do të shpëtojë.» Pas kësaj shkuan në shtëpinë e Jairit. Ndërsa i afroheshin shtëpisë, Jezui pa njerëzit duke qarë dhe u tha: «Mos qani më, sepse ajo nuk ka vdekur, por po fle.» Me siguri, babai dhe nëna vrisnin mendjen se ç’donte të thoshte Jezui me ato fjalë. Ai u kërkoi të gjithëve të dilnin dhe, bashkë me prindërit e vajzës, hynë te dhoma ku ndodhej ajo. Me butësi, Jezui e kapi vajzën për dore dhe i tha: «Vogëlushe, po të them: ngrihu!» Imagjino sa duhet të jenë gëzuar prindërit kur panë që ajo u ngrit menjëherë e filloi të ecte! Jezui u kishte ringjallur vogëlushen. (Marku 5:22-24, 35-42; Luka 8:49-56) Që nga ajo ditë, sa herë të shihnin vajzën e tyre, do të kujtonin çfarë kishte bërë Jehovai për ta nëpërmjet Jezuit. *

10 Ata që ringjalli Jezui, me kalimin e kohës vdiqën përsëri. Por, a do të thotë kjo se ringjallja e tyre ishte e kotë? Aspak! Këto tregime na sigurojnë se Jehovai ka dëshirë t’i ringjallë njerëzit dhe do ta bëjë këtë.

ÇFARË MËSOJMË NGA RASTET E RINGJALLJEVE?

Apostulli Pjetër ringjalli një grua të krishterë që quhej Dorka.—Veprat 9:36-42

Elija ringjalli djalin e një vejushe.—1 Mbretërve 17:17-24

11. Cilin mësim nxjerrim nga Eklisiastiu 9:5 që vlente edhe në rastin e Lazarit?

11 Bibla thotë qartë se «të vdekurit s’dinë asgjë». Kjo vlente edhe për Lazarin. (Eklisiastiu 9:5) Siç tha Jezui, ishte sikur Lazari po flinte. (Gjoni 11:11) Gjatë kohës që ishte në varr, Lazari s’dinte «asgjë».

12. Nga e dimë që ringjallja e Lazarit ka ndodhur vërtet?

12 Shumë njerëz e panë me sytë e tyre ringjalljen e Lazarit. Madje edhe armiqtë e Jezuit nuk e mohonin dot që kjo mrekulli kishte ndodhur. Lazari ishte gjallë, dhe kjo provonte se ringjallja kishte ndodhur vërtet. (Gjoni 11:47) Gjithashtu, shumë njerëz shkuan te Lazari për vizitë, e kështu filluan të besonin që Jezui ishte i dërguari i Perëndisë. Armiqve të Jezuit nuk u pëlqeu kjo, ndaj planifikuan të vrisnin si Jezuin, ashtu edhe Lazarin.—Gjoni 11:53; 12:9-11.

13. Pse jemi të sigurt se Jehovai do t’i ringjallë të vdekurit?

13 Jezui tha se «të gjithë ata që janë në varre» do të ringjallen. (Gjoni 5:28) Kjo do të thotë se të gjithë ata që Jehovai i ka në kujtesë do të rikthehen në jetë. Por, që Jehovai ta ringjallë dikë, duhet të mbajë mend çdo gjë rreth tij. A e ka Jehovai këtë aftësi? Mendo për universin. Ka me miliarda yje, por Bibla thotë se Jehovai i di emrin çdo ylli. (Lexo Isainë 40:26.) Përderisa ai arrin të mbajë mend emrin e çdo ylli, sigurisht që nuk e ka problem të mbajë mend çdo detaj të njerëzve që do të sjellë në jetë. Mbi të gjitha, Jehovai ka krijuar çdo gjë, prandaj jemi të sigurt se ai ka fuqinë t’i kthejë njerëzit në jetë.

14, 15. Çfarë na mësojnë fjalët e Jobit në lidhje me ringjalljen?

14 Jobi besnik besonte te ringjallja. Ai pyeti: «Po të vdesë njeriu, a kthehet prapë në jetë?» Më pas i tha Jehovait: «Ti do të më thërrasësh, e unë do të të përgjigjem. Do të kesh mall për veprën e duarve të tua.» Po, Jobi e dinte se Jehovai mezi pret kohën kur t’i ringjallë të vdekurit.—Jobi 14:13-15.

15 Si ndihesh kur mendon për shpresën e ringjalljes? Ndoshta pyet veten: «Po familjarët dhe miqtë e mi që kanë vdekur, a do të ringjallen?» Ngushëllohemi kur dimë se Jehovai ka vërtet dëshirë t’i kthejë në jetë të vdekurit. Le të shohim nga Bibla se cilët do të ringjallen dhe ku do të jetojnë ata.

«DO TA DËGJOJNË ZËRIN E TIJ DHE DO TË DALIN»

16. Çfarë jete do të gëzojnë ata që do të ringjallen në tokë?

16 Në të kaluarën, ata që u ringjallën, u ribashkuan me familjarët dhe miqtë këtu në tokë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në të ardhmen, por do të jetë shumë më mirë. Pse? Sepse ata që do të ringjallen në tokë do të kenë mundësinë të jetojnë përgjithmonë e të mos vdesin më kurrë. Veç kësaj, bota do të jetë krejt ndryshe nga ç’është sot. Nuk do të ketë luftëra, krime apo sëmundje.

17. Kush do të ringjallet?

17 Kush do të ringjallet? Jezui tha se «të gjithë ata që janë në varre [ose varre përkujtimore, shënimi], do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin». (Gjoni 5:28, 29) Ndërsa te Zbulesa 20:13 thuhet: «Deti i dorëzoi të vdekurit që gjendeshin në të, vdekja dhe Varri i dorëzuan të vdekurit që gjendeshin në ta.» Po, miliarda njerëz që kanë vdekur do të jetojnë përsëri. Gjithashtu, apostulli Pavël tha se «do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët». (Lexo Veprat 24:15.) Çfarë do të thotë kjo?

Të vdekurit do të ringjallen dhe do të ribashkohen me njerëzit e tyre të dashur në Parajsë

18. Cilët përfshihen te «të drejtët» që do të ringjallen?

18 Te «të drejtët» përfshihen shërbëtorë besnikë të Jehovait që kanë jetuar para se Jezui të vinte në tokë. Njerëz si Noeja, Abrahami, Sara, Moisiu, Rutha dhe Estera do të ringjallen këtu në tokë. Për disa nga këta burra dhe gra mund të lexosh në kapitullin 11 të Hebrenjve. Po shërbëtorët besnikë të Jehovait që vdesin në kohën tonë? Edhe ata hyjnë te «të drejtët», prandaj do të ringjallen.

19. Cilët janë «të padrejtët»? Çfarë mundësie do t’u japë Jehovai?

19 Te «të padrejtët» përfshihen miliarda njerëz që nuk kanë pasur mundësi ta njohin Jehovain. Edhe pse kanë vdekur, Jehovai nuk i ka harruar. Ai do t’i ringjallë dhe do t’u japë mundësinë ta njohin e t’i shërbejnë.

20. Pse nuk do të ringjallen të gjithë njerëzit?

20 A do të thotë kjo se do të ringjallen të gjithë ata që kanë vdekur? Jo. Jezui tha se disa nuk do të ringjallen. (Luka 12:5) Kush e vendos nëse dikush do të ringjallet apo jo? Jehovai është Gjykatësi suprem, prandaj i takon atij vendimi përfundimtar. Por, ai i ka dhënë edhe Jezuit autoritetin për të qenë ‘gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve’. (Veprat 10:42) Jehovai nuk do t’i ringjallë ata që i gjykon si njerëz të ligj që s’duan të ndryshojnë.—Shiko pikën 19 të Shtojcës.

RINGJALLJA NË QIELL

21, 22. (a) Ç’lloj krijesash do të jenë ata që do të ringjallen në qiell? (b) Kush ishte i pari që u ringjall në qiell?

21 Bibla thotë edhe se disa njerëz do të ringjallen në qiell. Kur dikush ringjallet në qiell, ai nuk rikthehet në jetë si njeri, pra me trup njerëzor. Ai ringjallet për të jetuar në qiell si krijesë qiellore.

22 Jezui ishte i pari që u ringjall në këtë formë. (Gjoni 3:13) Tri ditë pasi Jezuin e vranë, Jehovai e ringjalli. (Psalmi 16:10; Veprat 13:34, 35) Jezui nuk u ringjall me trup njerëzor. Apostulli Pjetër shpjegon se Jezui «vdiq si njeri, por u ngjall si krijesë qiellore». (1 Pjetrit 3:18) Pra, Jezui u rikthye në jetë si krijesë qiellore e fuqishme. (1 Korintasve 15:3-6) Por në Bibël thuhet se ai nuk do të ishte i vetmi.

23, 24. Çfarë është ‘kopeja e vogël’, dhe nga sa veta përbëhet?

23 Pak para se të vdiste, Jezui u tha dishepujve besnikë: «Po shkoj t’ju përgatit një vend.» (Gjoni 14:2) Kjo do të thotë se disa dishepuj do të ringjalleshin për të jetuar bashkë me të në qiell. Sa do të ishin? Jezui tha se do të ishte një numër i kufizuar, një «kope e vogël». (Luka 12:32) Apostulli Gjon e tregoi me saktësi këtë numër kur pa Jezuin që «qëndronte në malin [qiellor] Sion, dhe bashkë me të ishin 144.000» veta.—Zbulesa 14:1.

24 Kur do të ringjalleshin këta 144.000 të krishterë? Bibla thotë se kjo do të ndodhte pasi Krishti të fillonte të mbretëronte në qiell. (1 Korintasve 15:23) Ne po jetojmë në këtë kohë, dhe shumica e këtyre 144.000 të krishterëve tashmë janë ringjallur në qiell. Ata që janë ende në tokë dhe që vdesin në ditët e sotme ringjallen menjëherë për të jetuar në qiell. Megjithatë, shumica e njerëzve do të ringjallen në të ardhmen për të jetuar në Parajsë këtu në tokë.

25. Çfarë do të mësojmë në kapitullin tjetër?

25 Shumë shpejt Jehovai do t’i çlirojë njerëzit nga vdekja duke e zhdukur atë njëherë e mirë. (Lexo Isainë 25:8.) Por, çfarë roli do të kenë ata që do të shkojnë në qiell? Bibla shpjegon se do të mbretërojnë me Jezuin në një qeveri qiellore. Në kapitullin tjetër do të mësojmë më shumë rreth kësaj qeverie.

^ par. 9 Bibla na tregon për ringjalljen e disa njerëzve, të rinj e të moshuar, burra dhe gra, izraelitë dhe nga kombe të tjera. Mund të lexosh për këto ringjallje te 1 Mbretërve 17:17-24; 2 Mbretërve 4:32-37; 13:20, 21; Mateu 28:5-7; Luka 7:11-17; 8:40-56; Veprat 9:36-42; 20:7-12.