Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 9

A është afër fundi i botës?

A është afër fundi i botës?

1. Si mund ta dimë se ç’do të ndodhë në të ardhmen?

NDËRSA dëgjoje lajmet, a ke menduar ndonjëherë: «Ku po shkon kjo botë?» Ngaqë shohin kaq shumë tragjedi dhe ligësi, disa njerëz besojnë se fundi i botës është afër. A është e vërtetë kjo? A ka ndonjë mënyrë për të ditur se ç’do të ndodhë në të ardhmen? Po. Edhe pse njerëzit nuk e parashikojnë dot të ardhmen, Perëndia Jehova mundet. Me anë të Biblës, ai na tregon të ardhmen tonë dhe të ardhmen e tokës.—Isaia 46:10; Jakovi 4:14.

2, 3. Çfarë donin të dinin dishepujt e Jezuit? Si iu përgjigj Jezui?

2 Kur Bibla flet për fundin e botës, nuk e ka fjalën për fundin e planetit Tokë, por për fundin e ligësisë. Jezui i mësoi njerëzit se Mbretëria e Perëndisë do të qeveriste tokën. (Luka 4:43) Dishepujt donin të dinin se kur do të vinte kjo Mbretëri, ndaj e pyetën Jezuin: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» (Mateu 24:3) Jezui nuk u dha një datë të saktë, por u tregoi çfarë do të ndodhte pak para se të vinte fundi i botës. Ajo që tha Jezui po ndodh pikërisht tani.

3 Në këtë kapitull, do të shohim disa prova që tregojnë se po jetojmë afër fundit. Por, për të kuptuar pse gjërat në tokë janë kaq keq, fillimisht duhet të mësojmë për një luftë që ndodhi në qiell.

NJË LUFTË NË QIELL

4, 5. (a) Çfarë ndodhi në qiell pak pasi Jezui u bë Mbret? (b) Sipas Zbulesës 12:12, çfarë do të ndodhte në tokë pasi Satanai të hidhej poshtë?

4 kapitullin 8 mësuam se Jezui u bë Mbret në qiell në vitin 1914. (Danieli 7:13, 14) Libri i Zbulesës tregon se çfarë ndodhi: «Në qiell shpërtheu lufta: Mikaeli [domethënë Jezui] dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit [Satanait]; edhe dragoi bashkë me engjëjt e tij luftuan.» * Satanai dhe demonët e humbën luftën dhe u hodhën poshtë në tokë. Imagjino gëzimin që provuan engjëjt! Por, ç’të themi për njerëzit në tokë? Bibla thotë se kjo kohë do të ishte plot me probleme për njerëzimin. Pse? Sepse Djalli është shumë i zemëruar, «ngaqë e di se i mbetet një periudhë e shkurtër kohe».—Zbulesa 12:7, 9, 12.

5 Djalli bën çmos të shkaktojë sa më shumë probleme në tokë. Ai është i tërbuar, sepse shumë shpejt Perëndia do ta zhdukë. Tani, le të shohim çfarë tha Jezui se do të ndodhte gjatë ditëve të fundit.—Shiko pikën 24 të Shtojcës.

DITËT E FUNDIT

6, 7. Si po përmbushen fjalët e Jezuit lidhur me luftërat dhe mungesën e ushqimit?

6 Luftëra. Jezui tha: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.» (Mateu 24:7) Në luftërat e ditëve tona kanë vdekur më shumë njerëz se në gjithë luftërat e tjera të historisë së njerëzimit. Në një raport të Worldwatch Institute tregohet se, që prej vitit 1914, janë vrarë në luftëra mbi 100 milionë njerëz. Gjatë luftërave të shekullit të kaluar janë vrarë tre herë më shumë njerëz sesa gjatë 1.900 viteve para këtij shekulli. Imagjino sa mjerim e dhembje u kanë shkaktuar luftërat miliona njerëzve!

7 Mungesë ushqimi. Jezui tha: «Do të ketë mungesa ushqimi.» (Mateu 24:7) Edhe pse sot prodhohet më tepër ushqim se kurrë më parë, përsëri shumë njerëz nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë. Pse? Sepse nuk kanë para të blejnë ushqim ose tokë për ta kultivuar. Më shumë se një miliard njerëz jetojnë në varfëri ekstreme. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se çdo vit vdesin miliona fëmijë, kryesisht ngaqë s’kanë mjaftueshëm ushqim.

8, 9. Çfarë tregon se profecitë e Jezuit për tërmetet dhe sëmundjet kanë dalë të vërteta?

8 Tërmete. Jezui profetizoi: «Do të ketë tërmete të mëdha.» (Luka 21:11) Çdo vit pritet të bien shumë tërmete të fuqishme. Që prej vitit 1900, mbi dy milionë njerëz kanë vdekur për shkak të tërmeteve. Edhe pse teknologjia ka ndihmuar për t’i parashikuar tërmetet më shpejt se kurrë më parë, përsëri shumë njerëz vdesin prej tyre.

9 Sëmundje. Jezui paratha se do të kishte «murtaja». Sëmundje të rrezikshme do të përhapeshin me shpejtësi të madhe dhe do të merrnin shumë jetë njerëzish. (Luka 21:11) Edhe pse mjekët kanë zbuluar si t’i kurojnë shumë sëmundje, ka ende mjaft të tjera të pashërueshme. Në një raport thuhet se çdo vit vdesin miliona njerëz nga sëmundje, të tilla si: tuberkulozi, malaria dhe kolera. Jo vetëm kaq, por gjatë 40 viteve të fundit, mjekët kanë zbuluar 30 sëmundje të reja, disa prej të cilave nuk kanë shërim.

SI DO TË ISHIN NJERËZIT NË DITËT E FUNDIT?

10. Si po dalin të vërteta sot fjalët e 2 Timoteut 3:1-5?

10 Te 2 Timoteut 3:1-5, Bibla thotë: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar.» Apostulli Pavël përshkroi si do të ishin shumë njerëz në ditët e fundit. Ai tha se njerëzit do të ishin

  • egoistë

  • lakmues parash

  • të pabindur ndaj prindërve

  • të pabesë

  • pa përzemërsi për familjen

  • pa vetëkontroll

  • të dhunshëm dhe agresivë

  • do të donin kënaqësitë më shumë se Perëndinë

  • do të pretendonin se e donin Perëndinë, por nuk do t’i bindeshin atij

11. Sipas Psalmit 92:7, çfarë i pret të ligjtë?

11 A janë të tillë njerëzit në zonën ku jeton? Anembanë botës, shumë njerëz janë kështu. Por së shpejti Perëndia do të ndërhyjë. Ai premton: «Të ligjtë mbijnë si bari i keq dhe ata që bëjnë veç keq lulëzojnë, vetëm që të shfarosen një herë e mirë.»—Psalmi 92:7.

GJËRA POZITIVE NË DITËT E FUNDIT

12, 13. Çfarë na ka mësuar Jehovai gjatë ditëve të fundit?

12 Bibla paratha se në ditët e fundit bota do të ishte plot me dhimbje dhe vuajtje. Por paratha edhe se do të ndodhnin gjëra pozitive.

«Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar.»—Mateu 24:14

13 Kuptueshmëria për Biblën do të shtohej. Profeti Daniel tha për ditët e fundit: «Njohuria e vërtetë do të bëhet e bollshme.» (Danieli 12:4) Pra, Perëndia do t’i jepte popullit të tij aftësinë për ta kuptuar Biblën më mirë se kurrë më parë. Jehovai e ka bërë këtë sidomos që prej vitit 1914. Për shembull, na ka mësuar sa i rëndësishëm është emri i tij, çfarë qëllimi ka për tokën, si dhe të vërtetën për shpërblesën, për gjendjen e të vdekurve dhe për ringjalljen. Nëpërmjet Biblës kemi mësuar se vetëm Mbretëria e Perëndisë mund t’i zgjidhë problemet. Kemi mësuar edhe si të jemi të lumtur e të jetojmë në mënyrën që i pëlqen Perëndisë. Por, a e mbajnë shërbëtorët e Perëndisë këtë njohuri vetëm për vete? Përgjigjen e gjejmë në një profeci tjetër.—Shiko pikat 21 dhe 25 të Shtojcës.

14. Ku po predikohet lajmi i mirë për Mbretërinë dhe kush po e predikon?

14 Vepra mbarëbotërore e predikimit. Ndërsa po fliste për ditët e fundit, Jezui tha: «Ky lajm i mirë për Mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar.» (Mateu 24:3, 14) Lajmi i mirë për Mbretërinë po predikohet në rreth 240 vende dhe në më shumë se 900 gjuhë. Po, anekënd tokës, Dëshmitarë të Jehovait ‘nga të gjitha kombet dhe fiset’ po i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë çfarë është Mbretëria dhe çfarë do të bëjë për njerëzimin. (Zbulesa 7:9) Dhe këtë e bëjnë falas. Veprën e predikimit s’mund ta ndalojë asgjë, edhe pse shumë njerëz i urrejnë dhe i përndjekin dishepujt e Jezuit, siç e kishte parathënë ai.—Luka 21:17.

ÇFARË DO TË BËSH TI?

15. (a) A beson se po jetojmë në ditët e fundit? Pse? (b) Çfarë do të ndodhë me ata që i binden Jehovait? Po me ata që nuk i binden?

15 A beson se po jetojmë në ditët e fundit? Shumë profeci të Biblës për ditët e fundit po përmbushen. Së shpejti, Jehovai do ta ndërpresë predikimin e lajmit të mirë dhe atëherë do të vijë «fundi». (Mateu 24:14) Çfarë është ky fund? Është momenti kur Perëndia do të zhdukë ligësinë në luftën e Armagedonit. Me anë të Jezuit dhe engjëjve të fuqishëm, Jehovai do të shkatërrojë këdo që refuzon t’i bindet atij dhe Birit të tij. (2 Selanikasve 1:6-9) Pas kësaj, Satanai dhe demonët nuk do t’i mashtrojnë më njerëzit. Të gjithë ata që duan t’i binden Perëndisë dhe që e mbështetin Mbretërinë e tij, do të shohin përmbushjen e premtimeve të Perëndisë.—Zbulesa 20:1-3; 21:3-5.

16. Çfarë duhet të bësh meqë fundi është kaq afër?

16 Së shpejti, kjo botë që është nën pushtetin e Satanait do të marrë fund. Prandaj është shumë e rëndësishme të pyesim veten: «Çfarë duhet të bëj?» Jehovai dëshiron që të mësosh sa më shumë nga Bibla. Ja pse duhet ta marrësh seriozisht studimin. (Gjoni 17:3) Dëshmitarët e Jehovait mbajnë çdo javë mbledhje ku studiohet Bibla, ndaj përpiqu t’i ndjekësh rregullisht. (Lexo Hebrenjve 10:24, 25.) Nëse mëson se duhet të bësh ndryshime, mos ki frikë t’i bësh. Ndërsa vepron kështu, miqësia jote me Jehovain do të forcohet.—Jakovi 4:8.

17. Pse shumica e njerëzve do të befasohen kur të vijë fundi?

17 Apostulli Pavël tha se shkatërrimi i të ligjve do të vijë në një kohë kur shumica e njerëzve nuk e presin, «si një hajdut natën». (1 Selanikasve 5:2) Jezui profetizoi se shumë veta do t’i shpërfillnin provat se po jetojmë në ditët e fundit. Ai tha: «Ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut [pra, ditët e fundit]. Ashtu si njerëzit në ato ditë përpara Përmbytjes, hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin, deri ditën që Noeja hyri në arkë, dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi Përmbytja e i përpiu të gjithë, kështu do të jetë prania e Birit të njeriut.»—Mateu 24:37-39.

18. Cilin paralajmërim na dha Jezui?

18 Jezui na paralajmëroi që të mos shpërqendrohemi «nga të ngrënët dhe të pirët e tepërt, e nga ankthet e jetës». Ai tha se fundi do të vijë papritur e do t’i zërë njerëzit «si një lak». Gjithashtu shtoi se «do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë në mbarë faqen e dheut». Më pas tha: «Rrini zgjuar, duke u përgjëruar [ose duke u lutur me gjithë zemër] pareshtur, që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që duhet të ndodhin dhe të qëndroni para Birit të njeriut.» (Luka 21:34-36) Pse është kaq e rëndësishme t’ia vemë veshin paralajmërimit të Jezuit? Sepse shumë shpejt bota e ligë e Satanait do të shkatërrohet. Vetëm ata që Jehovai dhe Jezui i miratojnë, do t’i mbijetojnë fundit dhe do të jetojnë përgjithmonë në botën e re.—Gjoni 3:16; 2 Pjetrit 3:13.

^ par. 4 Mikael është një emër tjetër i Jezuit. Për më shumë informacion, të lutemi shiko pikën 23 të Shtojcës.