Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 14

Familja jote mund të jetë e lumtur

Familja jote mund të jetë e lumtur

1, 2. Çfarë dëshiron Jehovai për familjet?

MARTESËN e parë e themeloi Perëndia Jehova. Bibla thotë se ai krijoi gruan e parë dhe «ia çoi [burrit]». Adami ishte kaq i lumtur, sa tha: «Kjo është më në fund kockë e kockave të mia, mish i mishit tim.» (Zanafilla 2:22, 23) Kjo tregon se Jehovai do që çiftet e martuara të jenë të lumtura.

2 Mjerisht, mjaft njerëz nuk kanë pasur kurrë familje të lumtur. Por, Bibla përmban shumë parime që ndihmojnë të gjithë pjesëtarët e familjes t’i kontribuojnë lumturisë familjare. (Luka 11:28) Në Bibël flitet edhe për cilësitë e bukura të Jehovait dhe Jezuit. Kur çdo pjesëtar i familjes i imiton këto cilësi, familja është e lumtur dhe e bashkuar.—Efesianëve 5:1, 2.

ÇFARË KËRKON PERËNDIA NGA BURRAT?

3, 4. (a) Si duhet ta trajtojë burri gruan e tij? (b) Pse është e rëndësishme që burri dhe gruaja ta falin njëri-tjetrin?

3 Bibla thotë se një burrë i mirë e trajton gruan me dashuri dhe respekt. Të lutemi lexo Efesianëve 5:25-29. Po, në çdo rast burri duhet ta trajtojë me dashuri gruan. Gjithashtu duhet ta mbrojë, të kujdeset për të dhe të mos bëjë asgjë që do ta lëndonte.

4 Po kur gruaja gabon, çfarë duhet të bëjë burri? Bibla u thotë burrave: «Vazhdoni t’i doni gratë tuaja e mos jini të vrazhdë me to.» (Kolosianëve 3:19) Mos harroni se edhe ju burra bëni gabime. Nëse doni që Perëndia t’ju falë, edhe ju duhet t’i falni gratë tuaja. (Mateu 6:12, 14, 15) Kur burri dhe gruaja e falin me gatishmëri njëri-tjetrin, kjo i ndihmon të kenë martesë të lumtur.

5. Pse burri duhet ta nderojë gruan e tij?

5 Jehovai pret që burri ta nderojë gruan e tij. Ai duhet të mendojë me kujdes për nevojat e saj. Kjo është shumë e rëndësishme. Nëse burri nuk e trajton mirë gruan, Jehovai mund të mos ia dëgjojë lutjet. (1 Pjetrit 3:7) Jehovai nuk i çmon burrat më tepër se gratë. Përkundrazi, ai çmon çdo njeri që ka dashuri për të.

6. Çfarë do të thotë që burri e gruaja janë «një mish i vetëm»?

6 Jezui shpjegoi se burri dhe gruaja «nuk janë më dy, por një mish i vetëm». (Mateu 19:6) Ata duhet t’i qëndrojnë besnikë njëri-tjetrit. (Proverbat 5:15-21; Hebrenjve 13:4) Burrat dhe gratë duhet të kujdesen me altruizëm për nevojat seksuale të njëri-tjetrit. (1 Korintasve 7:3-5) Bashkëshorti duhet të mbajë parasysh se «asnjë burrë nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të». Po njësoj, ai duhet ta dojë edhe gruan e të përkujdeset për të. Gjëja që do më shumë një grua, është që burri t’i tregojë dashuri e dhembshuri.—Efesianëve 5:29.

ÇFARË KËRKON PERËNDIA NGA GRATË?

7. Pse familja ka nevojë që dikush të jetë kreu?

7 Çdo familje ka nevojë për një kre, pra për dikë që ta drejtojë familjen në mënyrë që gjithsecili të përmbushë rolin e vet. Te 1 Korintasve 11:3 Bibla thotë: «Kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.»

8. Si mund të tregojë gruaja respekt të thellë për burrin e saj?

8 Të gjithë burrat bëjnë gabime. Por, kur gruaja i mbështet vendimet e burrit dhe bashkëpunon me dëshirë, e gjithë familja nxjerr dobi. (1 Pjetrit 3:1-6) Bibla thotë: «Gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin.» (Efesianëve 5:33) Po në rast se burri nuk ka të njëjtat bindje me gruan? Përsëri ajo duhet të tregojë respekt të thellë për të. Bibla thotë: «Ju gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, me sjelljen tuaj, pasi të kenë parë me sytë e tyre sjelljen tuaj të dëlirë, si edhe respektin e thellë.» (1 Pjetrit 3:1, 2) Shembulli i mirë i gruas mund ta ndihmojë burrin t’i kuptojë dhe t’i respektojë bindjet e saj.

9. (a) Çfarë duhet të bëjë gruaja nëse nuk është dakord me burrin? (b) Çfarë këshille gjejmë për gratë te Titit 2:4, 5?

9 Çfarë mund të bëjë gruaja nëse nuk është dakord me burrin? Ajo duhet t’ia shprehë me respekt mendimin që ka. Për shembull, në një rast, Sara i tha Abrahamit diçka që atij nuk i pëlqeu, por Jehovai i tha Abrahamit: «Dëgjoje.» (Zanafilla 21:9-12) Sidoqoftë, gruaja duhet ta mbështetë burrin, kur ai merr një vendim që nuk bie në kundërshtim me Biblën. (Veprat 5:29; Efesianëve 5:24) Një grua e mirë kujdeset për familjen. (Lexo Titit 2:4, 5) Kur burri dhe fëmijët shohin sa fort punon ajo për familjen, do ta duan e do ta respektojnë edhe më shumë.—Proverbat 31:10, 28.

Pse Sara është një shembull i shkëlqyer për gratë?

10. Çfarë thotë Bibla për ndarjen dhe divorcin?

10 Ndonjëherë, çiftet vendosin të ndahen ose të divorcohen pa e menduar gjatë. Megjithatë, Bibla thotë që «gruaja të mos ndahet nga burri» dhe «burri të mos e lërë gruan». (1 Korintasve 7:10, 11) Në disa raste ekstreme çiftet mund të ndahen, por ky është një vendim serioz. Ç’të themi për divorcin? Bibla thotë se e vetmja arsye e vlefshme për divorc, është nëse njëri nga bashkëshortët kryen marrëdhënie seksuale me dikë që nuk është burri ose gruaja e tij.—Mateu 19:9.

ÇFARË KËRKON PERËNDIA NGA PRINDËRIT?

Shembulli i Jezuit vlen për çdo pjesëtar të familjes

11. Për çfarë kanë nevojë fëmijët më shumë se për çdo gjë tjetër?

11 Prindër, kaloni sa më shumë kohë me fëmijët. Ata kanë nevojë për ju më shumë se për çdo gjë tjetër. Kanë nevojë që t’i mësoni rreth Jehovait.—Ligji i përtërirë 6:4-9.

12. Çfarë duhet të bëjnë prindërit për t’i mbrojtur fëmijët?

12 Bota e Satanait po bëhet gjithnjë e më e ligë, dhe ka njerëz që duan t’u bëjnë keq fëmijëve tanë, e madje të abuzojnë seksualisht me ta. Disa prindër e kanë të vështirë të flasin për këtë temë. Por është e rëndësishme që prindërit t’i paralajmërojnë fëmijët dhe t’i mësojnë si t’u rrinë larg këtyre njerëzve. Prindër, duhet t’i mbroni fëmijët tuaj! *1 Pjetrit 5:8.

13. Si duhet t’i mësojnë prindërit fëmijët?

13 Prindërit kanë përgjegjësinë që t’i mësojnë fëmijët si të sillen. Si mund ta bësh këtë? Fëmijët kanë nevojë për stërvitje dhe, me raste, duhen ndrequr, por kurrë në mënyrë të ashpër ose mizore. (Jeremia 30:11) Prandaj, asnjëherë mos i disiplino fëmijët kur je me nerva. Nuk do të doje t’i lëndoje fëmijët me fjalë që janë si «goditje shpate». (Proverbat 12:18) Ndihmoji fëmijët të kuptojnë pse duhet të binden.—Efesianëve 6:4; Hebrenjve 12:9-11; shiko pikën 30 të Shtojcës.

ÇFARË KËRKON PERËNDIA NGA FËMIJËT?

14, 15. Pse fëmijët duhet t’u binden prindërve?

14 Jezui iu bind gjithnjë të Atit, edhe kur nuk e kishte të lehtë. (Luka 22:42; Gjoni 8:28, 29) Jehovai pret që fëmijët t’u binden prindërve po njëlloj.—Efesianëve 6:1-3.

15 Fëmijë, edhe nëse ju duket tepër e vështirë t’u bindeni prindërve, mos harroni se kur bindeni, Jehovai dhe prindërit tuaj kënaqen me ju. *Proverbat 1:8; 6:20; 23:22-25.

Çfarë do t’i ndihmojë të rinjtë t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë kur tundohen për të bërë gjëra të gabuara?

16. (a) Si përpiqet Satanai t’i tundojë të rinjtë? (b) Pse është e rëndësishme të zgjedhësh miq që e duan Jehovain?

16 Djalli mund të të tundojë të bësh atë që është e gabuar nëpërmjet shokëve ose të rinjve të tjerë. Ai e di sa e vështirë është t’i rezistosh presionit të tyre. Për shembull, e bija e Jakobit, Dina, shoqërohej me vajza që nuk e donin Jehovain. Si pasojë, ajo dhe familja e saj patën shumë probleme. (Zanafilla 34:1, 2) Nëse shokët e tu nuk e duan Jehovain, mund të të tundojnë të bësh diçka që Jehovai e urren. Por kjo do të të shkaktonte shumë dhembje ty, familjes tënde dhe Perëndisë. (Proverbat 17:21, 25) Ja pse është shumë e rëndësishme të gjesh miq që e duan Jehovain.—1 Korintasve 15:33.

FAMILJA JOTE MUND TË JETË E LUMTUR

17. Çfarë përgjegjësie ka gjithsecili në familje?

17 Kur pjesëtarët e familjes ndjekin udhëzimet e Perëndisë, shmangin shumë probleme dhe telashe. Prandaj, nëse je burrë, duaje gruan dhe trajtoje me dashuri. Nëse je grua, respektoje burrin, nënshtroju atij dhe imito shembullin e asaj gruaje që përshkruhet te Proverbat 31:10-31. Nëse je prind, mësoju fëmijëve ta duan Perëndinë. (Proverbat 22:6) Nëse je baba, drejtoje «shkëlqyeshëm» familjen tënde. (1 Timoteut 3:4, 5; 5:8) Nëse je fëmijë, bindju prindërve. (Kolosianëve 3:20) Mos harro se në familje të gjithë bëjmë gabime, prandaj ji i përulur dhe kërko falje. Po, vërtet Bibla përmban drejtimin e Jehovait për çdo pjesëtar të familjes.

^ par. 12 Për më shumë informacion se si t’i mbrosh fëmijët, shiko kapitullin 32 të librit Të mësojmë nga Mësuesi i Madh, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 15 Fëmija nuk është i detyruar t’u bindet prindërve nëse i kërkojnë të bëjë diçka që bie ndesh me ligjet e Perëndisë.—Veprat 5:29.