Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

KAPITULLI 16

Adhuroje Perëndinë siç dëshiron ai

Adhuroje Perëndinë siç dëshiron ai

1, 2. Cilën pyetje duhet t’i bësh vetes dhe pse ka rëndësi kjo?

NGA studimi i Biblës ke kuptuar se shumë njerëz që thonë se adhurojnë Perëndinë, në të vërtetë mësojnë ose bëjnë gjëra që Perëndia i urren. (2 Korintasve 6:17) Ja pse Jehovai na urdhëron të dalim nga feja e rreme, ose «Babilonia e Madhe». (Zbulesa 18:2, 4) Po ti, çfarë do të bësh? Gjithsecili gjendet para një vendimi, ndaj duhet të pyesim veten: «A do ta adhuroj Perëndinë siç do ai, apo do ta adhuroj siç kam bërë përherë?»

2 Nëse tashmë ke hequr dorë nga një fe e rreme, ke bërë shumë mirë. Gjithsesi, thellë-thellë mund të të pëlqejnë akoma praktika dhe zakone që lidhen me të. Le të shqyrtojmë disa prej tyre, që të kuptojmë pse është kaq e rëndësishme t’i shohim nga këndvështrimi i Jehovait.

SHËMBËLLTYRAT DHE ADHURIMI I TË PARËVE

3. (a) Pse disa e kanë të vështirë të mos i përdorin më shëmbëlltyrat? (b) Çfarë thotë Bibla lidhur me përdorimin e shëmbëlltyrave?

3 Për vite të tëra, disa e kanë adhuruar Perëndinë duke përdorur shëmbëlltyra dhe faltore në shtëpi. Nëse edhe ti ke bërë kështu, mbase të duket e çuditshme dhe madje e gabuar ta adhurosh Perëndinë pa to. Por, mos harro: Jehovai na mëson si duhet ta adhurojmë. Bibla e thotë qartë se Jehovai nuk do që të përdorim shëmbëlltyra për ta adhuruar.—Lexo Eksodin 20:4, 5; Psalmi 115:4-8; Isaia 42:8; 1 Gjonit 5:21.

4. (a) Pse nuk duhet t’i adhurojmë të parët tanë? (b) Pse Jehovai i tha popullit të tij që të mos përpiqej të fliste me të vdekurit?

4 Disa njerëz mund të harxhojnë shumë kohë dhe energji duke u përpjekur t’u bëjnë qejfin të parëve që u kanë vdekur. Madje, edhe mund t’i adhurojnë ata. Por, ne kemi mësuar që njerëzit e vdekur nuk na ndihmojnë dot e as nuk na bëjnë dot keq. Ata nuk jetojnë diku tjetër. Në të vërtetë, është e rrezikshme të përpiqesh të komunikosh me ta, sepse çdo mesazh që duket sikur vjen nga një i afërm që ka vdekur, faktikisht vjen nga demonët. Ja pse Jehovai i urdhëroi izraelitët të mos përpiqeshin të flisnin me të vdekurit dhe të mos përfshiheshin në asnjë formë tjetër demonizmi.—Ligji i përtërirë 18:10-12; shiko pikat 26 dhe 31 të Shtojcës.

5. Çfarë do të të ndihmojë të heqësh dorë nga përdorimi i shëmbëlltyrave dhe nga adhurimi i të parëve që kanë vdekur?

5 Çfarë duhet të bësh që të heqësh dorë nga përdorimi i shëmbëlltyrave dhe nga adhurimi i të parëve? Duhet të lexosh Biblën dhe të mendosh thellë për mënyrën si i sheh Jehovai këto gjëra. Për Jehovain janë «të neveritshme» ose të urryera. (Ligji i përtërirë 27:15) Gjithashtu, lutju çdo ditë Jehovait për ndihmë që t’i shohësh gjërat nga këndvështrimi i tij dhe ta adhurosh siç dëshiron ai. (Isaia 55:9) Të jesh i sigurt se Jehovai do të të japë forcën e nevojshme për ta pastruar jetën nga gjithçka që lidhet me fenë e rremë.

A DUHET T’I FESTOJMË KRISHTLINDJET?

6. Pse u vendos që ditëlindja e Jezuit të festohej më 25 dhjetor?

6 Krishtlindjet janë një nga festat më të njohura anembanë botës, dhe shumica e njerëzve mendojnë se në këtë ditë festohet lindja e Jezuit. Por në të vërtetë, kjo festë ka lidhje me adhurimin e rremë. Sipas një enciklopedie, më 25 dhjetor romakët paganë festonin ditëlindjen e diellit. Udhëheqësit e kishës donin që sa më shumë paganë të bëheshin të krishterë. Prandaj, edhe pse Jezui s’kishte lindur më 25 dhjetor, vendosën që lindja e tij të kremtohej në këtë datë. (Luka 2:8-12) Dishepujt e Jezuit nuk i festonin Krishtlindjet. Një vepër referimi shpjegon se, gjatë 200 viteve që pasuan lindjen e Krishtit, «asnjëri nuk e dinte—dhe shumë pak vetave u interesonte—se kur kishte lindur me saktësi ai». (Sacred Origins of Profound Things) Krishtlindjet nisën të festoheshin qindra vjet pasi Jezui kishte jetuar në tokë.

7. Pse të krishterët e vërtetë nuk i festojnë Krishtlindjet?

7 Shumë veta e dinë se Krishtlindjet dhe zakonet që lidhen me to, të tilla si festimet dhe shkëmbimi i dhuratave, kanë origjinë pagane. Për shembull, për njëfarë periudhe, në Angli dhe në disa vende të Amerikës, festimi i Krishtlindjeve u ndalua për shkak të origjinës pagane. Kushdo që i festonte, ndëshkohej. Gjithsesi, me kalimin e kohës, njerëzit filluan t’i festonin sërish Krishtlindjet. Po të krishterët e vërtetë, pse nuk i festojnë? Sepse duan të kënaqin Perëndinë me gjithçka që bëjnë.

A DUHET T’I FESTOJMË DITËLINDJET?

8, 9. Pse të krishterët e hershëm nuk i festonin ditëlindjet?

8 Shumë njerëz i festojnë ditëlindjet. Po të krishterët, a duhet t’i festojnë? Të vetmet raste të festimit të ditëlindjeve që përmend Bibla, janë të njerëzve që nuk adhuronin Jehovain. (Zanafilla 40:20; Marku 6:21) Ditëlindjet festoheshin për nder të perëndive të rreme. Ja pse të krishterët e hershëm «e konsideronin një zakon pagan festimin e ditëlindjeve».—The World Book Encyclopedia.

9 Romakët dhe grekët e lashtë besonin se, gjatë lindjes së një njeriu, ishte e pranishme një frymë e mbinatyrshme që e mbronte për gjithë jetën. Një libër shpjegon: «Kjo frymë kishte lidhje magjike me perëndinë që kishte të njëjtën ditë lindjeje me individin.»—The Lore of Birthdays.

10. Pse edhe të krishterët sot nuk duhet t’i festojnë ditëlindjet?

10 A mendon se Jehovai i miraton festat që lidhen me fenë e rreme? (Isaia 65:11, 12) Në asnjë mënyrë! Për këtë arsye nuk i festojmë ditëlindjet apo çfarëdo feste tjetër që ka lidhje me fenë e rreme.

A KA VËRTET RËNDËSI ORIGJINA?

11. Pse i bëjnë disa njerëz festat? Çfarë duhet të ketë më tepër rëndësi për ty?

11 Disa njerëz i festojnë Krishtlindjet dhe festa të tjera ndonëse e dinë se kanë origjinë pagane. Ata i shohin si raste të bukura për të kaluar kohë me familjarët. A i sheh edhe ti kështu? S’ka asgjë të gabuar të kesh dëshirë të rrish me ta. Familjen e ka krijuar Jehovai, dhe ai do që të shkojmë mirë me familjarët. (Efesianëve 3:14, 15) Megjithatë, është më e rëndësishme të kemi miqësi të ngushtë me Jehovain, sesa t’u bëjmë qejfin të afërmve duke u përfshirë në festat e fesë së rreme. Prandaj, apostulli Pavël tha: «Vazhdoni të siguroheni çfarë është e pranueshme për Zotërinë.»—Efesianëve 5:10.

12. Cilat festa janë të papranueshme për Jehovain?

12 Shumë veta mendojnë se nuk ka rëndësi origjina e një feste, megjithatë Jehovai mendon ndryshe. Ai nuk i miraton festat me origjinë pagane ose ato që lartësojnë njerëz a simbole kombëtare. Për shembull, egjiptianët bënin shumë festa për perënditë e tyre të rreme, dhe izraelitët e imituan një prej këtyre festave pasi dolën nga Egjipti. Ndonëse e quajtën «festë për Jehovain», Jehovai i ndëshkoi për këtë. (Eksodi 32:2-10) Siç tha profeti Isaia, ‘nuk duhet të prekim asgjë të papastër’.—Lexo Isainë 52:11.

TREGO RESPEKT PËR TË TJERËT

13. Cilat pyetje mund të kesh nëse vendos që të mos i bësh më disa festa?

13 Nëse vendos të mos i bësh më disa festa, mund të kesh shumë pyetje. Për shembull: «Ç’duhet të bëj nëse kolegët më pyesin pse nuk po i festoj Krishtlindjet? Po nëse më bëjnë një dhuratë për Krishtlindje? Si të veproj nëse bashkëshorti do që të festoj me të? Si t’i ndihmoj fëmijët që të mos mërziten ngaqë nuk festojnë ditëlindjen a ndonjë festë tjetër?»

14, 15. Çfarë mund të bësh nëse dikush të uron për një festë ose të bën një dhuratë?

14 Në çfarëdo situate, para se të thuash ose të bësh diçka, duhet të tregosh gjykim të shëndoshë. Për shembull, kur njerëzit të urojnë për një festë, s’ka pse t’i shpërfillësh. Thjesht mund t’u thuash: «Faleminderit.» Por, në rast se dikush dëshiron të dijë më shumë, mund t’i shpjegosh pse nuk e bën atë festë. Sidoqoftë, trego gjithmonë mirësjellje, takt dhe respekt. Bibla thotë: «Fjalët tuaja të jenë gjithnjë të hijshme e të lezetuara me kripë, që të dini si t’i përgjigjeni gjithsecilit.» (Kolosianëve 4:6) Mbase mund t’i shpjegosh që të pëlqen të rrish me të tjerët e të bësh dhurata, por thjesht nuk dëshiron të kesh lidhje me festat.

15 Çfarë mund të bësh nëse të japin një dhuratë? Bibla nuk ka një listë me rregulla, por thotë se duhet ta mbajmë ndërgjegjen të pastër. (1 Timoteut 1:18, 19) Ndoshta personi që të jep dhuratën nuk e di që ti s’e bën këtë festë. Ose mund të të thotë: «E di që nuk e bën këtë festë, por kam dëshirë të të dhuroj diçka.» Sido që të jetë, e ke vetë në dorë nëse do ta pranosh apo jo dhuratën. Pavarësisht nga vendimi që merr, sigurohu që ta mbash ndërgjegjen të pastër. Nuk duam kurrsesi të bëjmë diçka që ndikon për keq te miqësia jonë me Jehovain.

FAMILJA JOTE DHE TI

Ata që i shërbejnë Jehovait janë të lumtur

16. Si duhet të veprosh nëse familja jote dëshiron të bëjë një festë?

16 Si të veprosh nëse familja jote dëshiron të bëjë një festë që Jehovai nuk e pranon? Nuk ka pse të bësh luftë me ta. Mos harro, ata kanë të drejtë të zgjedhin vetë çfarë duan. Ti dëshiron që familjarët t’i respektojnë zgjedhjet e tua, prandaj respektoji zgjedhjet e tyre dhe tregohu i sjellshëm. (Lexo Mateun 7:12.) Ç’duhet të bësh nëse familjarët dëshirojnë që të rrish me ta gjatë një feste? Para se të vendosësh, lutju Jehovait që të marrësh vendimin e duhur. Mendo për situatën dhe bëj kërkime. Mos harro se dëshira jote është që t’i pëlqesh Jehovait në çdo rast.

17. Si t’i ndihmosh fëmijët që të mos ndihen keq ngaqë nuk po festojnë njëlloj si të tjerët?

17 Si mund t’i ndihmosh fëmijët që të mos ndihen keq kur të tjerët festojnë? Herë pas here, mund të organizosh diçka të veçantë për ta. Veç kësaj, mund t’u bësh dhurata kur s’e presin. Por dhuratat më të bukura që mund t’u japësh, janë koha dhe dashuria jote.

ADHUROJE PERËNDINË SIÇ DËSHIRON AI

18. Pse duhet të marrim pjesë në mbledhjet e krishtere?

18 Që t’i pëlqejmë Jehovait, duhet të largohemi nga feja e rreme dhe nga zakonet e festat që lidhen me të. Veç kësaj duhet ta adhurojmë Perëndinë siç dëshiron ai. Si ta bëjmë këtë? Një mënyrë është duke ndjekur rregullisht mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait. (Lexo Hebrenjve 10:24, 25.) Mbledhjet janë pjesë shumë e rëndësishme e adhurimit të vërtetë. (Psalmi 22:22; 122:1) Kur mblidhemi së bashku, mund të inkurajojmë njëri-tjetrin.—Romakëve 1:12.

19. Pse është e rëndësishme t’u flasësh të tjerëve për të vërtetat e Biblës?

19 Një mënyrë tjetër për ta adhuruar Perëndinë siç do ai, është duke u folur të tjerëve rreth mësimeve të Biblës. Shumë njerëz janë të dëshpëruar për shkak të gjërave të këqija që ndodhin në tokë. Ndoshta njeh disa njerëz që ndihen kështu. Tregoju shpresën e mrekullueshme që ke për të ardhmen. Ndërsa ndjek mbledhjet dhe u flet të tjerëve për të vërtetat e Biblës, feja e rreme dhe zakonet e saj nuk do të të pëlqejnë më. Patjetër që do të jesh i lumtur, dhe Jehovai do t’i bekojë pa masë përpjekjet e tua për ta adhuruar siç dëshiron ai.—Malakia 3:10.