Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 11

Një provë besimi

Një provë besimi

Abrahami i kishte mësuar djalit të tij, Isakut, ta donte Jehovain dhe t’u besonte gjithë premtimeve të Tij. Por, kur Isaku ishte rreth 25 vjeç, Jehovai i kërkoi Abrahamit diçka shumë të vështirë. Çfarë ishte?

Perëndia i tha Abrahamit: «Të lutem, merre birin tënd të vetëm dhe ofroje si flijim në një mal në vendin e Moriahut.» Abrahami nuk e kuptoi pse Jehovai i kërkoi këtë. Prapëseprapë iu bind.

Të nesërmen, herët në mëngjes, Abrahami mori Isakun dhe dy shërbëtorë e u nis drejt Moriahut. Pas tri ditësh, ata mund t’i shihnin malet nga larg. Abrahami u tha shërbëtorëve të prisnin, ndërsa ai dhe Isaku vazhduan rrugën për të ofruar flijimin. Abrahami i dha Isakut të mbante dru për zjarrin, kurse vetë mori një thikë. Isaku e pyeti babanë: «Ku është delja që do të flijojmë?» Abrahami iu përgjigj: «Biri im, atë do të na e japë Jehovai.»

Kur më në fund arritën në mal, ndërtuan një altar. Më pas, Abrahami ia lidhi duart e këmbët Isakut dhe e vuri në altar.

Abrahami ngriti thikën, por në atë moment, engjëlli i Jehovait i thirri nga qiejt: «Abraham! Mos i bëj gjë djalit! Tani e di se ke besim te Perëndia, pasi ishe gati të flijoje birin tënd.» Pastaj Abrahami pa një dash me brirët të ngatërruar në shkurre. E zgjidhi me vrap Isakun dhe në vend të tij flijoi dashin.

Që nga ajo ditë, Jehovai e quajti Abrahamin mikun e tij. A e di pse? Abrahami bënte gjithçka që Jehovai i kërkonte, edhe kur nuk e kuptonte arsyen.

Jehovai ia përsëriti Abrahamit premtimin e Tij: «Unë do të të bekoj dhe do të shumoj pasardhësit, ose fëmijët e tu.» Gjithashtu, Jehovai premtoi se do të bekonte të gjithë njerëzit e mirë nëpërmjet familjes së Abrahamit.

«Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»​—Gjoni 3:16