Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 12

Jakobi mori trashëgiminë

Jakobi mori trashëgiminë

Isaku ishte 40 vjeç kur u martua me Rebekën. Ai e donte shumë atë. Me kohë, u bënë me dy djem binjakë.

Djalin e madh e quajtën Esa, kurse të voglin, Jakob. Esau kishte shumë qejf të rrinte jashtë e ishte gjahtar i zoti. Kurse Jakobit i pëlqente të rrinte në shtëpi.

Në atë kohë, djali i madh merrte shumicën e tokës dhe të parave kur babai vdiste. Kjo quhej trashëgimi. Në familjen e Isakut, trashëgimia përfshinte edhe të kishin rol në premtimet që Jehovai i kishte bërë Abrahamit. Esaut nuk i interesonin shumë ato premtime, por Jakobi e dinte se ishin shumë të rëndësishme.

Një ditë, Esau erdhi në shtëpi shumë i lodhur pas një dite të gjatë në gjueti. Ai ndjeu aromën e ushqimit të shijshëm që po gatuante Jakobi dhe i tha: «Po vdes për bukë! Më jep pak nga ajo gjella e kuqe!» Jakobi ia ktheu: «Patjetër, por në fillim më premto se do të ma japësh mua trashëgiminë tënde.» Esau i tha: «Ç’më duhet mua trashëgimia! Mund ta marrësh. Mua më intereson të ha.» A mendon se u tregua i mençur Esau? Jo. Esau dha diçka shumë të çmuar vetëm për një tas gjellë.

Kur Isaku u bë shumë i moshuar, erdhi koha që të bekonte djalin e madh. Por Rebeka ndihmoi Jakobin, të voglin, që ta merrte ai bekimin. Kur Esau e mori vesh, u zemërua shumë dhe donte ta vriste të vëllanë binjak. Për ta mbrojtur, Isaku dhe Rebeka i thanë Jakobit: «Shko të rrish te dajë Labani, derisa të qetësohet vëllai.» Jakobi e dëgjoi këshillën e prindërve dhe iku që të shpëtonte jetën.

«Ç’dobi ka njeriu po të fitojë gjithë botën, por të humbasë shpirtin e vet? Çfarë do të jepte një njeri në këmbim të shpirtit?»​—Marku 8:36, 37