Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 14

Një skllav që iu bind Perëndisë

Një skllav që iu bind Perëndisë

Jozefi ishte një nga djemtë e vegjël të Jakobit. Vëllezërit më të mëdhenj vunë re që Jozefi ishte djali i preferuar i babait të tyre. Si mendon se ndiheshin për këtë? Ata ishin xhelozë për Jozefin dhe e urrenin. Kur Jozefi pa disa ëndrra jo të zakonshme, ua tregoi vëllezërve. Ata menduan se ëndrrat nënkuptonin që një ditë do të përkuleshin përpara tij. Tani e urrenin edhe më shumë!

Një ditë, vëllezërit e Jozefit po ruanin kopetë e deleve pranë qytetit të Sikemit. Jakobi dërgoi Jozefin të shihte si po ia kalonin. Ata panë nga larg Jozefin të vinte dhe i thanë njëri-tjetrit: «Po na vika ëndërrimtari! Hajde ta vrasim!» E kapën dhe e hodhën në një gropë të thellë. Por Juda u tha: «Mos e vrisni! Më mirë ta shesim si skllav.» Kështu e shitën Jozefin për 20 monedha argjendi te tregtarët midianitë që po shkonin në Egjipt.

Pastaj, vëllezërit e Jozefit e ngjyen rrobën e tij në gjakun e një cjapi, ia çuan babait dhe i thanë: «A nuk është kjo rroba e djalit tënd?» Jakobi mendoi se Jozefin e kishte shqyer ndonjë kafshë e egër. Atij iu copëtua zemra dhe asnjë s’mund ta ngushëllonte.

Në Egjipt, Jozefin e shitën si skllav te Potifari që ishte një zyrtar i rëndësishëm. Por Jehovai ishte me Jozefin. Potifari pa që Jozefi e bënte mirë punën dhe që mund t’i besonte. Shumë shpejt e ngarkoi përgjegjës mbi gjithçka që zotëronte.

Gruaja e Potifarit vuri re që Jozefi ishte simpatik dhe i fortë. Çdo ditë i kërkonte të shtrihej me të. Çfarë do të bënte Jozefi? Ai nuk pranoi dhe i tha: «Jo! Kjo është e gabuar. Zotëria im ka besim tek unë dhe ti je gruaja e tij. Nëse shtrihem me ty, do të mëkatoj kundër Perëndisë!»

Por një ditë, gruaja e Potifarit u përpoq ta detyronte Jozefin të shtrihej me të. E kapi nga rrobat, por ai iku me vrap. Kur Potifari erdhi në shtëpi, ajo i tha se Jozefi e kishte sulmuar. Ajo po gënjente. Potifari u nxeh jashtë mase dhe e futi Jozefin në burg. Megjithatë Jehovai nuk e harroi Jozefin.

«Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur.»​—1 Pjetrit 5:6