Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 15

Jehovai nuk e harroi kurrë Jozefin

Jehovai nuk e harroi kurrë Jozefin

Ndërsa Jozefi ishte në burg, faraoni, mbreti i Egjiptit, pa disa ëndrra që askush nuk i shpjegonte dot. Por një shërbëtor i tha faraonit se ëndrrat mund t’ia shpjegonte Jozefi. Menjëherë, faraoni dërgoi njerëz ta thërritnin.

Faraoni e pyeti: «A i shpjegon dot ëndrrat e mia?» Jozefi i tha: «Egjipti do të ketë ushqim me bollëk për shtatë vjet. Pas tyre do të ketë shtatë vjet zi buke. Zgjidh një njeri të mençur të mbledhë ushqim, në mënyrë që populli yt të mos vdesë urie.» Faraoni ia ktheu: «Po të zgjedh ty! Ti do të jesh i dyti për nga pushteti në Egjipt!» Si e dinte Jozefi kuptimin e ëndrrave të faraonit? E kishte ndihmuar Jehovai.

Gjatë shtatë viteve që pasuan, Jozefi grumbulloi ushqim. Më pas, në gjithë tokën pati zi buke, siç kishte thënë Jozefi. Vinin njerëz nga çdo vend për të blerë ushqim tek ai. Babai i tij, Jakobi, dëgjoi se në Egjipt kishte ushqim, prandaj dërgoi atje dhjetë nga bijtë e tij që të blinin edhe ata.

Djemtë e Jakobit shkuan te Jozefi, i cili i njohu menjëherë. Por vëllezërit e tij nuk e dinin se ai ishte Jozefi. Ata u përkulën para tij, ashtu siç kishte parë në ëndërr Jozefi kur ishte djalosh. Jozefi donte të dinte nëse vëllezërit ishin ende të pashpirt. Prandaj, u tha: «Ju jeni spiunë! Doni të zbuloni pikat e dobëta të vendit tonë.» Ata i thanë: «Jo! Ne jemi nga Kanaani. Ishim 12 vëllezër, një vëlla na ka vdekur, ndërsa më i vogli është me babanë tonë.» Jozefi ua ktheu: «Atëherë sillmani vëllanë tuaj të vogël, që t’ju besoj.» Kështu u kthyen në shtëpi, te babai i tyre.

Kur familjes i mbaroi ushqimi, Jakobi i dërgoi përsëri djemtë e tij në Egjipt. Këtë radhë morën me vete edhe vëllanë e vogël, Beniaminin. Për t’i vënë në provë vëllezërit e vet, Jozefi fshehu kupën e tij të argjendtë në torbën me drithë të Beniaminit dhe pastaj i akuzoi se ia kishin vjedhur. Kur shërbëtorët e Jozefit e gjetën kupën në torbën e Beniaminit, vëllezërit e tij u tronditën. Iu përgjëruan Jozefit që të ndëshkonte ata në vend të Beniaminit.

Tani Jozefi e kuptoi që vëllezërit e tij kishin ndryshuar. Ai nuk mund t’i fshihte më ndjenjat, shpërtheu në lot dhe u tha: «Jam vëllai juaj, Jozefi. A është gjallë babai?» Vëllezërit e tij u habitën shumë. Ai u tha: «Mos u ndieni keq për atë që më bëtë. Perëndia më solli në këtë vend që t’ju shpëtoja jetën. Tani nxitoni dhe ma sillni babanë këtu.»

Ata u kthyen në shtëpi për t’i dhënë babait këtë lajm të mirë dhe për ta çuar në Egjipt. Pas kaq shumë vjetësh, Jozefi dhe babai i tij më në fund u ribashkuan.

«Po të mos ua falni njerëzve shkeljet, as Ati juaj qiellor nuk do t’i falë shkeljet tuaja.»​—Mateu 6:15