Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 16

Kush ishte Jobi?

Kush ishte Jobi?

Në vendin e Uzit jetonte një burrë që adhuronte Jehovain. Ai quhej Job. Kishte shumë pasuri dhe familje të madhe. Ishte njeri i mirë dhe i ndihmonte të varfrit, gratë që u kishin vdekur burrat dhe fëmijët pa prindër. Meqë Jobi bënte atë që ishte e drejtë, a mendon se nuk do të kishte asnjëherë probleme?

Jobi nuk e dinte që Satana Djalli po e shikonte me vëmendje. Jehovai i tha Satanait: «E ke parë shërbëtorin tim Job? Nuk ka në tërë tokën njeri si ai. Më bindet dhe bën atë që është e drejtë.» Satanai iu përgjigj: «S’do mend që Jobi të bindet, sepse ti e mbron dhe e bekon. Ti po i jep toka dhe kafshë. Po ia more të gjitha, ai s’do të të adhurojë më.» Jehovai ia ktheu: «Mund ta vësh në provë Jobin, por nuk të lejoj ta vrasësh.» Pse Jehovai e lejoi Satanain ta vinte në provë Jobin? Ai kishte besim se Jobi do t’ia dilte mbanë.

Satanai nisi ta vinte në provë Jobin me disa fatkeqësi. Në fillim dërgoi disa njerëz të quajtur sabeatitë që t’i vidhnin qetë dhe gomaricat. Pastaj një zjarr përpiu gjithë delet e Jobit. Ca njerëz të tjerë, kaldeasit, ia vodhën devetë dhe i vranë shërbëtorët që po kujdeseshin për to. Më pas, ndodhi tragjedia më e madhe. Të gjithë fëmijët i vdiqën ngaqë shtëpia ku po festonin, u shemb. Edhe pse Jobit iu bë zemra copë, nuk e la adhurimin e Jehovait.

Satanai donte që Jobi të vuante akoma më shumë, prandaj bëri që trupi i Jobit të mbushej me plagë që i shkaktonin dhembje të tmerrshme. Jobi nuk e dinte pse po i ndodhnin të gjitha këto gjëra. Prapëseprapë vazhdoi të adhuronte Jehovain. Perëndia i pa të gjitha këto dhe ishte shumë i kënaqur me sjelljen e Jobit.

Atëherë, Satanai dërgoi tre burra që ta vinin në provë Jobin. Ata i thanë: «Ti duhet të kesh mëkatuar dhe je përpjekur ta fshehësh, prandaj Perëndia po të ndëshkon.» Jobi iu përgjigj: «Unë s’kam bërë asgjë të keqe.» Ama më vonë filloi të mendonte se këto probleme po ia shkaktonte Jehovai dhe tha se Perëndia nuk po tregohej i drejtë me të.

Elihu, një burrë i ri në moshë, që kishte dëgjuar gjithë bisedën në heshtje, foli dhe tha: «Gjithçka që thatë është gabim. Jehovai është shumë më i madh nga sa mund ta imagjinojmë. Ai nuk bën kurrë asgjë të keqe. Shikon çdo gjë dhe i ndihmon njerëzit kur kanë probleme.»

Pastaj, Jehovai i foli Jobit dhe i tha: «Ku ishe ti kur unë bëra qiellin dhe tokën? Pse thua se nuk jam i drejtë? Ti flet, ama nuk e di pse ndodhin gjërat.» Jobi e pranoi gabimin dhe tha: «E kisha gabim. Kisha dëgjuar për ty, por tani të njoh vërtet. Asgjë nuk është e pamundur për ty. Më fal për atë që thashë.»

Kur mbaroi prova, Jehovai e shëroi Jobin dhe i dha shumë më tepër nga ç’kishte më parë. Jobi pati jetë të gjatë e të lumtur. Jehovai e bekoi Jobin sepse iu bind edhe kur ishte e vështirë. A do të jesh si Jobi dhe të vazhdosh të adhurosh Jehovain, pavarësisht se çfarë ndodh?

«Ju keni dëgjuar për qëndrueshmërinë e Jobit dhe e keni parë shpërblimin që i dha Jehovai.»​—Jakovi 5:11