Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 17

Moisiu zgjodhi të adhuronte Jehovain

Moisiu zgjodhi të adhuronte Jehovain

Në Egjipt, pjesëtarët e familjes së Jakobit u bënë të njohur si izraelitë. Pas vdekjes së Jakobit dhe të Jozefit, filloi të sundonte një faraon tjetër. Atë e shqetësonte fakti që izraelitët po bëheshin më të fuqishëm se egjiptianët. Prandaj i ktheu izraelitët në skllevër. I detyroi të bënin tulla dhe të punonin fort nëpër fusha. Por, sa më shumë që egjiptianët i detyronin të bënin punë të rënda, aq më shumë shtoheshin si popull izraelitët. Faraonit nuk i pëlqeu kjo, kështu që urdhëroi të vriteshin gjithë djemtë e sapolindur izraelitë. E imagjinon dot sa të trembur duhet të kenë qenë izraelitët?

Një grua izraelite me emrin Jokebeda lindi një djalë të bukur. Që ta mbronte, e vendosi në një shportë dhe e fshehu mes kallamishteve të lumit Nil. Motra e bebes, Miriami, qëndroi aty pranë që të shihte çfarë do të ndodhte.

Vajza e faraonit erdhi të lahej në lumë dhe pa shportën. Brenda gjeti një bebe që po qante dhe i erdhi keq për të. Miriami e pyeti: «A të gjej një grua që ta ushqejë me gji fëmijën?» Kur vajza e faraonit i tha po, Miriami thirri mamin e saj, Jokebedën. Vajza e faraonit i tha Jokebedës: «Merre fëmijën, ushqeje me gji dhe unë do të të paguaj.»

Kur fëmija u rrit, Jokebeda ia çoi vajzës së faraonit, e cila i vuri emrin Moisi dhe e rriti si djalin e saj. Moisiu u rrit si princ dhe mund të kishte gjithçka që dëshironte. Por ai nuk e harroi kurrë Jehovain. E dinte se në të vërtetë ishte izraelit dhe jo egjiptian. Kështu që zgjodhi t’i shërbente Jehovait.

Në moshën 40-vjeçare, Moisiu vendosi të ndihmonte popullin e tij. Kur pa një egjiptian që po rrihte një skllav izraelit, Moisiu e goditi aq fort egjiptianin, saqë ai vdiq. Trupin ia fshehu në rërë. Kur faraoni e mori vesh, u përpoq ta vriste Moisiun. Por Moisiu ia mbathi në vendin e Midianit. Atje Jehovai u kujdes për të.

«Me anë të besimit, Moisiu . . . nuk pranoi të quhej biri i bijës së faraonit dhe zgjodhi të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë.»​—Hebrenjve 11:24, 25