Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 18

Shkurrja e përfshirë nga zjarri

Shkurrja e përfshirë nga zjarri

Moisiu jetoi 40 vjet në Midian, ku u martua dhe u bë me fëmijë. Një ditë, ndërsa po kujdesej për delet e tij afër malit Sinai, pa diçka të mrekullueshme. Një shkurre kishte marrë flakë, por nuk po digjej! Kur Moisiu u afrua të kuptonte çfarë po ndodhte, dëgjoi një zë nga brenda shkurres që tha: «Moisi! Mos u afro më shumë. Hiqi sandalet, sepse po qëndron në tokë të shenjtë.» Ishte Jehovai që po i fliste nëpërmjet një engjëlli.

Moisiu u frikësua, prandaj mbuloi fytyrën. Zëri i tha: «I kam parë vuajtjet e izraelitëve. Unë do t’i shpëtoj nga egjiptianët dhe do t’i çoj në një vend shumë të mirë. Ti je ai që do ta nxjerrësh popullin tim nga Egjipti.» A nuk mendon edhe ti se kjo duhet ta ketë habitur Moisiun?

Moisiu e pyeti: «Çfarë t’i them popullit kur të më pyesë se kush më dërgoi?» Perëndia iu përgjigj: «Thuaji se të ka dërguar Jehovai, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.» Pastaj Moisiu tha: «Po sikur të mos më dëgjojnë?» Për ta siguruar Moisiun se do ta ndihmonte, Jehovai i dha një provë. I tha ta hidhte shkopin në tokë. Shkopi u kthye në gjarpër dhe, kur Moisiu e kapi gjarprin nga bishti, ai u kthye sërish në shkop. Jehovai i tha: «Kjo shenjë do t’u tregojë se të kam dërguar unë.»

Moisiu i tha: «Unë nuk di të flas mirë.» Jehovai i premtoi: «Unë do të të tregoj çfarë të thuash dhe do të caktoj vëllanë tënd Aaronin të të ndihmojë.» Duke ditur se Jehovai ishte me të, Moisiu mori gruan e djemtë dhe u kthye në Egjipt.

«Mos jini në ankth se si do të flitni ose ç’do të thoni, mbasi në atë çast do t’ju jepet se ç’keni për të thënë.»​—Mateu 10:19