Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 23

Një premtim ndaj Jehovait

Një premtim ndaj Jehovait

Rreth dy muaj pasi ikën nga Egjipti, izraelitët mbërritën në malin Sinai dhe ngritën kampin. Jehovai thërriti Moisiun, i cili u ngjit në mal, dhe i tha: «Izraelitët i shpëtova unë. Nëse ata më binden dhe zbatojnë ligjet e mia, do të bëhen populli im i veçantë.» Moisiu zbriti nga mali dhe u tregoi izraelitëve çfarë i kishte thënë Jehovai. Si u përgjigjën ata? Izraelitët thanë: «Do të bëjmë gjithçka që na kërkon Jehovai.»

Moisiu u ngjit prapë në mal. Atje Jehovai i tha: «Ditën e tretë do të flas me ju. Paralajmëroje popullin të mos ngjitet në malin Sinai.» Moisiu zbriti dhe u tha izraelitëve të përgatiteshin që të dëgjonin Jehovain.

Ditën e tretë izraelitët panë vetëtima dhe një re të zezë që mbuloi malin. Ata dëgjuan edhe bubullima të forta dhe tingullin e një briri. Pas kësaj Jehovai zbriti mbi mal në zjarr. Izraelitët ishin kaq të frikësuar, sa filluan të dridheshin. I gjithë mali tronditej fuqishëm dhe ishte i mbuluar me tym. Tingulli i bririt bëhej gjithnjë e më i fortë. Pastaj Perëndia foli: «Unë jam Jehovai. Nuk duhet të adhuroni asnjë perëndi tjetër.»

Moisiu u ngjit përsëri në mal. Aty Jehovai i dha ligje për popullin se si ta adhuronin dhe si duhej të silleshin. Moisiu i shkroi ligjet dhe ua lexoi izraelitëve. Ata premtuan: «Do të bëjmë gjithçka që na kërkon Jehovai.» Po, ata i bënë një premtim Perëndisë. A do ta mbanin fjalën?

«Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.»​—Mateu 22:37