Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 25

Një tabernakull për adhurim

Një tabernakull për adhurim

Kur Moisiu ishte në malin e Sinait, Jehovai i tha të ndërtonte një tendë të veçantë, të quajtur tabernakull, ku izraelitët mund të adhuronin Atë. Mund ta merrnin me vete tabernakullin ndërsa shkonin nga njëri vend në tjetrin.

Jehovai tha: «Thuaji popullit të japë sa ka mundësi për të ndihmuar me ndërtimin e tabernakullit.» Izraelitët dhanë ar, argjend, bakër, gurë të çmuar dhe bizhuteri. Dhanë gjithashtu lesh, li, lëkura kafshësh dhe shumë gjëra të tjera. Ata u treguan aq bujarë sa Moisiut iu desh t’u thoshte: «Kemi mjaftueshëm! Mos sillni më.»

Shumë gra e burra të aftë ndihmuan në ndërtimin e tabernakullit. Jehovai u dha mençuri për këtë punë. Disa tirrnin, endnin ose qëndisnin copat. Të tjerë përgatitnin gurët, punonin arin ose gdhendnin drurët.

Populli e ndërtoi tabernakullin tamam siç i kishte thënë Jehovai. Ata bënë një perde të bukur që ta ndanin tabernakullin në dy pjesë: E Shenjta dhe Më e Shenjta. Në Më të Shenjtën ishte arka e besëlidhjes, bërë me dru akacieje dhe ar. Tek E Shenjta kishte një shandan prej ari, një tavolinë dhe një altar për të djegur temjan. Në oborr kishte një legen bakri dhe një altar të madh. Arka e besëlidhjes u kujtonte izraelitëve premtimin e tyre për t’iu bindur Jehovait. A e di çfarë është një besëlidhje? Është një lloj i veçantë premtimi.

Jehovai zgjodhi Aaronin dhe djemtë e tij që të shërbenin si priftërinj në tabernakull. Ata duhej të kujdeseshin për tabernakullin dhe atje t’i bënin flijime Jehovait. Vetëm Aaroni, kryeprifti, lejohej të hynte në Më të Shenjtën. Ai e bënte këtë një herë në vit që të paraqiste një flijim për mëkatet e tij, mëkatet e familjes së tij dhe mëkatet e gjithë kombit të Izraelit.

Izraelitët e përfunduan tabernakullin një vit pasi dolën nga Egjipti. Tani kishin një vend ku të adhuronin Jehovain.

Jehovai tregoi se ishte i kënaqur me tabernakullin dhe mbi të bëri që të shfaqej një re. Për sa kohë që reja qëndronte mbi tabernakull, izraelitët qëndronin në vendin ku ishin. Por kur reja ngrihej, ata kuptonin se ishte koha të largoheshin. Çmontonin tabernakullin dhe ndiqnin renë.

«Atëherë, dëgjova një zë të fortë nga froni që tha: ‘Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzit. Ai do të banojë me ta, e ata do të jenë populli i tij. Po, vetë Perëndia do të jetë me ta.’»​—Zbulesa 21:3