Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 29

Jehovai zgjodhi Josiun

Jehovai zgjodhi Josiun

Moisiu e udhëhoqi kombin e Izraelit për shumë vjet. Nga fundi i jetës, Jehovai i tha: «Nuk do t’i çosh ti izraelitët në Tokën e Premtuar. Megjithatë, do të të lë ta shohësh vendin.» Atëherë Moisiu i kërkoi Jehovait të zgjidhte një udhëheqës tjetër që të kujdesej për popullin. Jehovai i tha: «Shko te Josiu dhe thuaji se kam zgjedhur atë.»

Moisiu i tha kombit se edhe pak e do të vdiste dhe se Jehovai kishte zgjedhur Josiun për t’i udhëhequr drejt Tokës së Premtuar. Pastaj Moisiu iu drejtua Josiut: «Mos ki frikë. Jehovai do të të ndihmojë.» Pak kohë pas kësaj, Moisiu u ngjit në majë të malit Nebo, ku Jehovai i tregoi tokën që i kishte premtuar Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Moisiu vdiq 120 vjeç.

Jehovai i tha Josiut: «Kaloni lumin e Jordanit dhe hyni në Kanaan. Unë do të të ndihmoj siç bëra me Moisiun. Sigurohu që ta lexosh Ligjin tim çdo ditë. Mos ki frikë. Bëhu trim. Shko dhe bëj siç të kam urdhëruar.»

Josiu dërgoi dy burra si zbulues në qytetin e Jerikosë. Në tregimin tjetër do të mësojmë më shumë se çfarë ndodhi atje. Kur u kthyen, ata raportuan se ishte momenti i duhur për të hyrë në Kanaan. Ditën tjetër, Josiu i tha popullit të lëviznin kampin. Pastaj priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes i dërgoi përpara drejt lumit Jordan. Lumi ishte i rrëmbyer. Por, sapo këmbët e priftërinjve prekën ujin, lumi ndaloi të rridhte dhe ujërat u shterën. Priftërinjtë ecën deri në mes të shtratit të lumit dhe qëndruan atje derisa i gjithë kombi i Izraelit kaloi në anën tjetër. A mendon se kjo mrekulli u kujtoi çfarë kishte bërë Jehovai në Detin e Kuq?

Më në fund, pas gjithë atyre viteve, izraelitët ishin në Tokën e Premtuar. Ata mund të ndërtonin shtëpi dhe qytete. Mund të mbillnin toka, vreshta dhe pemë frutore. Ishte vërtet një tokë ku rridhte qumësht dhe mjaltë.

«Jehovai do të të prijë vazhdimisht dhe do ta ngopë shpirtin tënd, edhe kur të jesh në tokë të zhuritur.»​—Isaia 58:11