Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 32

Një udhëheqës tjetër dhe dy gra trime

Një udhëheqës tjetër dhe dy gra trime

Pasi e drejtoi për shumë vjet popullin e Jehovait, Josiu vdiq në moshën 110-vjeçare. Për sa kohë ishte gjallë, izraelitët adhuruan Jehovain. Por, pasi vdiq, ata filluan të adhuronin idhuj siç bënin kananitët. Ngaqë izraelitët nuk i bindeshin Jehovait, ai lejoi që një mbret kananit me emrin Jabin t’ua nxinte jetën. Populli iu përgjërua Jehovait për ndihmë. Kështu Jehovai u dha një udhëheqës tjetër, Barakun. Ai do ta ndihmonte popullin të kthehej te Jehovai.

Debora, një profeteshë, dërgoi të thërritnin Barakun. Ajo kishte një mesazh për të nga Jehovai: «Merr 10.000 burra dhe shko të përballesh me ushtrinë e Jabinit në luginën e përroit të Kishonit. Atje do ta mundësh Siserën, kreun e ushtrisë së Jabinit.» Baraku i tha Deborës: «Do të shkoj vetëm po të vish edhe ti me mua.» Ajo i tha: «Do të vij me ty. Por ta dish se nuk do ta vrasësh ti Siserën. Jehovai ka thënë se do ta vrasë një grua.»

Debora u nis me Barakun dhe ushtrinë e tij në malin e Taborit për t’u përgatitur për luftë. Me ta marrë vesh Sisera këtë, mblodhi karrocat e luftës dhe ushtrinë e tij poshtë në luginë. Debora i tha Barakut: «Sot Jehovai do të të japë fitoren.» Baraku dhe 10.000 burrat që ishin me të u vërsulën përposhtë malit për t’u përballur me ushtrinë e fuqishme të Siserës.

Jehovai bëri që lugina e Kishonit të përmbytej. Karrocat e luftës së Siserës ngecën në llucë. Sisera la karrocën dhe filloi të vraponte. Baraku dhe ushtarët e tij e mundën ushtrinë e Siserës, por Sisera shpëtoi. Ai iku dhe u fsheh në tendën e një gruaje që quhej Jaela. Ajo i dha të pinte një kupë të madhe me qumësht dhe e mbuloi me batanije. Luftëtarin e lodhur e zuri gjumi. Pastaj Jaela iu afrua pa zhurmë dhe i nguli në kokë një kunj tende. Sisera vdiq.

Baraku erdhi për të kërkuar Siserën. Jaela doli nga tenda e saj dhe i tha: «Hajde brenda që të të tregoj njeriun që po kërkon.» Baraku hyri brenda dhe pa përtokë Siserën të vdekur. Baraku dhe Debora lëvduan me këngë Jehovain për fitoren që u kishte dhënë izraelitëve mbi armiqtë e tyre. Më pas, Izraeli pati paqe për 40 vjet.

«Gratë që shpallin lajmin e mirë, janë një ushtri e madhe.»​—Psalmi 68:11