Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 34

Gideoni mundi midianitët

Gideoni mundi midianitët

Me kalimin e kohës, Izraeli u largua përsëri nga Jehovai dhe filloi të adhuronte perëndi të rreme. Për shtatë vjet, midianitët ua vidhnin kafshët dhe ua shkatërronin të korrat izraelitëve. Që të shpëtonin nga midianitët, izraelitët fshiheshin nëpër shpella dhe nëpër male. Ata iu përgjëruan Jehovait që t’i shpëtonte. Prandaj Jehovai dërgoi një engjëll te një burrë me emrin Gideon. Engjëlli i tha: «Jehovai të ka zgjedhur që të bëhesh luftëtar i fuqishëm.» Gideoni e pyeti: «E kush jam unë që ta shpëtoj Izraelin?»

Si ta kuptonte Gideoni se Jehovai e kishte zgjedhur? Ai vendosi një copë leshi në tokë dhe i tha Jehovait: «Në mëngjes, nëse copa e leshit laget nga vesa, por toka është e thatë, do ta kuptoj se dëshiron që ta shpëtoj unë Izraelin.» Në mëngjes, copa e leshit ishte bërë qull, kurse toka ishte e thatë! Por më pas, Gideoni kërkoi që, mëngjesin tjetër, copa e leshit të ishte e thatë, por toka e lagur. Kur kjo ndodhi, Gideoni më në fund u bind se e kishte zgjedhur Jehovai. Ai mblodhi ushtarët për të luftuar me midianitët.

Jehovai i tha Gideonit: «Do t’ua jap fitoren izraelitëve. Por, ngaqë ke shumë ushtarë, mund të kujtoni se e fituat vetë betejën. Kujtdo që ka frikë, thuaji të shkojë në shtëpi.» Kështu 22.000 ushtarë u kthyen në shtëpi dhe ngelën 10.000. Pastaj Jehovai i tha: «Prapë janë shumë ushtarë. Çoji te përroi dhe thuaju të pinë ujë. Mbaj vetëm ata që, ndërsa pinë, kontrollojnë se mos ka armiq.» Vetëm 300 burra qëndruan syçelë ndërkohë që pinin ujë. Jehovai premtoi se këta pak burra do t’i mundnin 135.000 ushtarët midianitë.

Gjatë natës, Jehovai i tha Gideonit: «Tani është koha të sulmosh midianitët!» Gideoni u dha të gjithëve nga një bri dhe një qyp të madh ku brenda ishte fshehur një pishtar. Ai u tha: «Shikomëni mua e bëni edhe ju si unë.» Gideoni i ra bririt, bëri copë e çikë qypin, tundi pishtarin dhe bërtiti: «Shpata e Jehovait dhe e Gideonit!» Të 300 burrat bënë njësoj. Midianitët u tmerruan dhe vrapuan kuturu. Në rrëmujë, ata filluan të sulmonin njëri-tjetrin. Edhe një herë, Jehovai i ndihmoi izraelitët t’i mundnin armiqtë e tyre.

«Që fuqia përtej asaj që është normale, të jetë nga Perëndia, dhe jo nga ne.»​—2 Korintasve 4:7