Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 40

Davidi dhe Goliadi

Davidi dhe Goliadi

Jehovai i tha Samuelit: «Shko në shtëpinë e Jeseut. Një nga djemtë e tij do të bëhet mbreti i ardhshëm i Izraelit.» Kështu Samueli vajti në shtëpinë e Jeseut. Kur pa djalin e madh të Jeseut, mendoi: «Ky duhet të jetë i zgjedhuri.» Por Jehovai i tregoi Samuelit se nuk ishte ai dhe i tha: «Unë shikoj zemrën dhe jo pamjen e jashtme të një njeriu.»

Jeseu solli edhe gjashtë nga djemtë e tij para Samuelit. Por Samueli i tha: «Jehovai nuk ka zgjedhur asnjë prej tyre. A ke djem të tjerë?» Jeseu iu përgjigj: «Kam edhe një tjetër, më të voglin, që po kullot delet. Quhet David.» Kur erdhi Davidi, Jehovai i tha Samuelit: «Ky është!» Samueli derdhi vaj mbi kokën e Davidit, duke e mirosur si mbretin e ardhshëm të Izraelit.

Ca kohë më vonë, izraelitët ishin në luftë me filistinët. ushtria e filistine kishte një luftëtar gjigant që quhej Goliad. Ditë pas dite, Goliadi tallej me izraelitët. Ai thërriste me zë të lartë: «Dërgoni një burrë që të luftojë me mua. Nëse ai fiton, ne do të bëhemi skllevërit tuaj. Por nëse fitoj unë, ju do të bëheni skllevërit tanë.»

Davidi kishte vajtur te kampi i ushtrisë izraelite për t’u çuar ushqime vëllezërve të tij ushtarë. Ai e dëgjoi Goliadin dhe tha: «Do të luftoj unë me të!» Mbreti Saul i tha: «Po ti je veçse një djalosh.» Davidi iu përgjigj: «Do të më ndihmojë Jehovai.»

Sauli donte t’i jepte Davidit armaturën e vet, por Davidi i tha: «Nuk luftoj dot me këtë armaturë.» Davidi mori hobenë e tij, mjet që përdorej për të qëlluar me gurë, dhe vajti te një përrua. Atje zgjodhi pesë gurë shumë të lëmuar dhe i futi në torbë. Pastaj Davidi nxitoi drejt Goliadit. Gjiganti i bërtiti: «Hajde këtu more picirruk! Do ta shohësh po s’ia dhashë mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të egra.» Davidi nuk u frikësua. Ai ia ktheu Goliadit me zë të lartë: «Ti po vjen me shpatë dhe me heshtë, por unë po vij në emër të Jehovait. Ti nuk po lufton kundër nesh, por po lufton kundër Perëndisë. Të gjithë këtu do ta shohin se Jehovai është më i fortë se një shpatë a një heshtë. Ai do t’ju japë të gjithëve në dorën tonë.»

Davidi vuri menjëherë një gurë në hobenë e tij dhe e rrotulloi me sa fuqi kishte. Jehovai bëri që guri ta godiste Goliadin dhe t’i ngulej mu në ballë. Gjiganti ra përtokë i vdekur. Atëherë filistinët vrapuan për të shpëtuar jetën. Po ti, a ke besim te Jehovai si Davidi?

«Për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse për Perëndinë gjithçka është e mundur.»​—Marku 10:27