Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 41

Davidi dhe Sauli

Davidi dhe Sauli

Pak kohë pasi Davidi vrau Goliadin, mbreti Saul e vuri në krye të ushtrisë së tij. Davidi fitoi mjaft beteja, prandaj u bë shumë i famshëm. Sa herë kthehej nga lufta, gratë e vendit dilnin duke kërcyer e duke kënduar: «Sauli ka vrarë mijëra, e Davidi dhjetëra mijë!» Sauli u bë xheloz për Davidin dhe donte ta vriste.

Davidi luante shumë mirë në harpë. Një ditë, kur po luante në harpë për Saulin, mbreti vërviti heshtën drejt tij. Davidi iu shmang tamam në kohë dhe heshta goditi murin. Pas kësaj, Sauli u përpoq edhe shumë herë të tjera ta vriste Davidin. Në fund, Davidi u largua dhe u fsheh në shkretëtirë.

Sauli mori një ushtri prej 3.000 burrash dhe shkoi të gjente Davidin. Ndodhi që Sauli hyri fiks në shpellën ku ishte fshehur Davidi dhe burrat e tij. Njëri nga burrat i pëshpëriti Davidit: «Tani ke rastin për ta vrarë Saulin.» Davidi u zvarrit drejt Saulit dhe preu një copë nga petku i tij, por ai nuk e pa fare. Pas kësaj, Davidi u ndie shumë keq që nuk kishte treguar respekt për mbretin e mirosur të Jehovait. Ai nuk i lejoi burrat që ishin me të ta sulmonin Saulin. Madje, kur Sauli doli nga shpella, Davidi i thirri dhe i tha se mund ta kishte vrarë kur e pati rastin. A ndryshoi mendje Sauli për Davidin?

Jo. Sauli vazhdoi ta kërkonte Davidin. Një natë, Davidi dhe nipi i tij, Abishai, u futën tinëz në kampin e Saulit. Edhe Abneri, truproja e Saulit, po flinte. Prandaj Abishai i tha Davidit: «Tani e kemi në dorë Saulin! Më lër ta vras.» Por ai iu përgjigj: «Me Saulin do të merret Jehovai. T’i marrim vetëm heshtën dhe shtambën e ujit dhe të ikim.»

Davidi u ngjit në një mal aty afër nga ku mund të shihte kampin e Saulit. Ai thërriti: «Abner, pse nuk e mbrojte mbretin tënd? Ku janë shtamba dhe heshta e Saulit?» Sauli e njohu zërin e Davidit dhe i tha: «Ti mund të më kishe vrarë, por nuk e bëre. E di se ti do të jesh mbreti i ardhshëm i Izraelit.» Sauli u kthye në pallatin e tij mbretëror. Por Davidin nuk e urrente gjithë familja e Saulit.

«Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë. Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë.»​—Romakëve 12:18, 19