Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 43

Mëkati i mbretit David

Mëkati i mbretit David

Kur Sauli vdiq, Davidi u bë mbret. Ai ishte 30 vjeç. Pasi kishte mbretëruar për disa vjet, bëri një gabim shumë të rëndë. Një natë, nga tarraca e pallatit mbretëror, pa një grua të bukur. Davidi zbuloi që e kishte emrin Betsheba dhe se ishte e martuar me një ushtar që e quanin Uriah. Davidi urdhëroi t’ia sillnin Betshebën në pallat. Ata patën marrëdhënie seksuale dhe ajo mbeti shtatzënë. Davidi u përpoq ta fshihte atë që kishte bërë. Ai i tha gjeneralit të tij ta vinte Uriahun në vijën e parë të luftimit dhe pastaj të tërhiqeshin nga ai. Pasi Uriahu u vra në luftë, Davidi u martua me Betshebën.

Ama Jehovai i pa të gjitha gjërat e këqija që kishin ndodhur. Çfarë do të bënte? Jehovai dërgoi profetin Natan te Davidi. Natani i tha: «Një burrë i pasur kishte shumë dele, kurse një burrë i varfër kishte vetëm një qengj të vogël që e donte shumë. I pasuri ia mori të vetmin qengj të varfrit.» Davidi u zemërua dhe tha: «I pasuri meriton të vdesë!» Atëherë Natani iu përgjigj: «Ti je ai njeri i pasur!» Davidi u hidhërua shumë dhe pranoi para Natanit: «Kam mëkatuar kundër Jehovait.» Ky mëkat i solli shumë telashe Davidit dhe familjes së tij. Jehovai e ndëshkoi Davidin, por e la gjallë sepse ishte i sinqertë dhe i përulur.

Davidi donte të ndërtonte një tempull për Jehovain, por Jehovai zgjodhi djalin e Davidit, Solomonin, që ta ndërtonte tempullin. Davidi filloi t’i bënte gjërat gati për Solomonin dhe tha: «Tempulli i Jehovait duhet të jetë madhështor. Solomoni është akoma i ri, prandaj do ta ndihmoj me përgatitjet.» Davidi dhuroi shumë para për ndërtimin e tempullit. Gjeti edhe punëtorë të zotë. Mblodhi ar, argjend dhe solli drurë cedri nga Tiri dhe nga Sidoni. Nga fundi i jetës së tij, Davidi i dha Solomonit projektet e ndërtimit të tempullit. Ai i tha: «Jehovai më shtyu t’i hedh në letër këto gjëra për ty. Jehovai do të të ndihmojë. Mos ki frikë. Ji i fortë dhe përvishju punës.»

«Kush i mbulon shkeljet, nuk do t’ia dalë mbanë, por atij që i rrëfen dhe i lë ato, do t’i tregohet mëshirë.»​—Proverbat 28:13