Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 44

Një tempull për Jehovain

Një tempull për Jehovain

Pasi Solomoni u bë mbret i Izraelit, Jehovai e pyeti: «Ç’dëshiron të të jap?» Solomoni iu përgjigj: «Jam i ri dhe s’di si të veproj. Të lutem, më jep mençuri që të kujdesem për popullin tënd.» Jehovai i tha: «Meqë më kërkove mençuri, do të të bëj njeriun më të mençur mbi tokë. Gjithashtu do të të jap shumë pasuri. E nëse më bindesh, do të jetosh gjatë.»

Solomoni filloi të ndërtonte tempullin. Ai përdori cilësinë më të mirë të arit, argjendit, drurit dhe të gurit. Mijëra gra dhe burra të zotë punuan për tempullin. Pas shtatë vjetësh, tempulli ishte gati që t’ia kushtonin Jehovait. Kishte një altar dhe blatime mbi të. Solomoni u përkul në gjunjë para altarit dhe u lut: «O Jehova, ky tempull nuk është aq i madh ose aq i bukur sa e meriton ti, por të lutem, pranoje adhurimin tonë dhe na i dëgjo lutjet.» Si iu duk Jehovait tempulli dhe lutja e Solomonit? Sapo Solomoni mbaroi lutjen, Jehovai dërgoi zjarr nga qielli që dogji blatimet në altar. Me këtë veprim, Jehovai tregoi se e miratoi tempullin. Kur izraelitët e panë këtë, u gëzuan.

Mbreti Solomon u bë i njohur për mençurinë e tij në mbarë Izraelin e madje në vende shumë të largëta. Njerëzit vinin te Solomoni që t’i ndihmonte për problemet e tyre. Edhe mbretëresha e Shebës erdhi ta vinte në provë me pyetje të vështira. Kur dëgjoi përgjigjet e tij, ajo tha: «Nuk e besoja ç’më kishin thënë për ty, por tani e kuptoj që je edhe më i mençur sesa flitet. Perëndia yt, Jehovai, të ka bekuar.» Kombi i Izraelit jetonte mirë dhe ishte i lumtur. Por shpejt gjërat do të ndryshonin.

«Ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni.»​—Mateu 12:42