Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 45

Mbretëria u nda

Mbretëria u nda

Për sa kohë Solomoni adhuroi Jehovain, në Izrael kishte paqe. Por Solomoni u martua me shumë gra nga vende të huaja, të cilat adhuronin idhuj. Pak nga pak, Solomoni ndryshoi e filloi të adhuronte idhuj edhe ai. Jehovai u zemërua dhe i tha Solomonit: «Izraeli do t’i hiqet familjes sate dhe do të ndahet në dy pjesë. Pjesën më të madhe do t’ia jap një prej shërbëtorëve të tu, kurse familja jote do të sundojë vetëm mbi një pjesë të vogël.»

Jehovai e bëri të ditur vendimin e tij edhe në një mënyrë tjetër. Një shërbëtor i Solomonit, Jeroboami, po ecte në rrugë kur takoi profetin Akijah. Akijahu e grisi rrobën e vet në 12 pjesë dhe i tha Jeroboamit: «Jehovai do t’ia marrë mbretërinë e Izraelit familjes së Solomonit dhe do ta ndajë në dy pjesë. Merr dhjetë pjesë, sepse do të jesh mbret për dhjetë fise.» Mbreti Solomon dëgjoi për këtë dhe donte ta vriste Jeroboamin. Kështu Jeroboami ia mbathi për në Egjipt. Pas njëfarë kohe, Solomoni vdiq dhe djali i tij, Rehoboami, u bë mbret. Prandaj Jeroboami kuptoi që nuk kishte më rrezik të kthehej në Izrael.

Pleqtë e Izraelit e këshilluan Rehoboamin: «Nëse sillesh mirë me popullin, ata do të të qëndrojnë besnikë.» Por të rinjtë, që i kishte shokë, i thanë: «Duhet të jesh i ashpër me popullin! Vëri të punojnë më shumë!» Rehoboami ndoqi këshillën e të rinjve dhe u tregua mizor me popullin. Ata u rebeluan dhe bënë mbret të 10 fiseve Jeroboamin. Këto fise u bënë të njohura si Mbretëria e Izraelit. Dy fiset e tjera u bënë të njohura si Mbretëria e Judës dhe i qëndruan besnikë Rehoboamit. Kështu, 12 fiset e Izraelit u ndanë.

Jeroboami nuk donte që populli i tij të shkonte të adhuronte në Jerusalem, që ndodhej në mbretërinë e Rehoboamit. A e di pse? Jeroboami kishte frikë se mos ata ktheheshin kundër tij dhe përkrahnin Rehoboamin. Prandaj bëri dy viça prej ari dhe i tha popullit: «Jerusalemi është shumë larg. Mund të adhuroni këtu.» Populli filloi të adhuronte viçat e artë dhe ta harronte përsëri Jehovain.

«Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët. Sepse ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? . . . Apo ç’pjesë ka një besimtar me një jobesimtar?»​—2 Korintasve 6:14, 15