Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 47

Jehovai e forcoi Elijan

Jehovai e forcoi Elijan

Kur Jezebela mori vesh se çfarë u kishte ndodhur profetëve të Baalit, u tërbua. Ajo i çoi fjalë Elijas: «Nesër ke për të vdekur si profetët e Baalit.» Elija u frikësua shumë dhe ia mbathi për në shkretëtirë. Ai u lut: «O Jehova, s’duroj dot më. Lërmë të vdes.» I rraskapitur, ra të flinte poshtë një peme.

Një engjëll e zgjoi dhe i tha me butësi: «Çohu të hash diçka.» Elija pa një kulaç mbi gurë të nxehur dhe një shtambë me ujë. Ai hëngri, piu dhe u shtri përsëri të flinte. Engjëlli e zgjoi prapë dhe i tha: «Ha pak se duhet të marrësh fuqi për udhëtimin.» Kështu Elija hëngri prapë. Pastaj udhëtoi për 40 ditë e 40 net derisa arriti në malin e Horebit. Atje Elija hyri në një shpellë për të fjetur. Por Jehovai i tha: «Ç’bën këtu Elija?» Elija iu përgjigj: «Izraelitët nuk e mbajtën premtimin që të bënë. Ata shkatërruan altarët dhe i vranë profetët e tu. Tani po përpiqen të më vrasin edhe mua.»

Jehovai i tha: «Dil dhe qëndro në mal.» Në fillim fryu një erë e fortë pranë shpellës. Pastaj ra një tërmet e më pas një zjarr. Në fund, Elija dëgjoi një zë të qetë e të ulët. Ai e mbuloi fytyrën me veshjen e tij dhe qëndroi jashtë shpellës. Atëherë Jehovai e pyeti pse ia kishte mbathur. Elija i tha: «Kam mbetur vetëm unë.» Por Jehovai i tha: «Ti nuk je vetëm, sepse ka 7.000 veta në Izrael që më adhurojnë ende. Shko dhe cakto Eliseun si profet në vendin tënd.» Menjëherë, Elija bëri atë që i tha Jehovai. Po ty, a do të të ndihmojë Jehovai po të bësh çfarë të kërkon ai? Po, patjetër që do të të ndihmojë. Le të shohim diçka që ndodhi gjatë thatësirës.

«Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.»​—Filipianëve 4:6.