Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 48

Djali i një vejushe u kthye sërish në jetë

Djali i një vejushe u kthye sërish në jetë

Gjatë thatësirës, Jehovai i tha Elijas: «Shko në Zarefat. Atje do të të japë bukë një vejushë.» Në hyrje të qytetit, Elija pa një vejushë të varfër tek mblidhte dru. Ai i kërkoi pak ujë për të pirë. Kur ajo u nis për ta marrë, ai i thirri prapë: «Të lutem, më sill një kafshatë bukë.» Por vejusha i tha: «Bukë s’kam, por vetëm pak miell e vaj sa për vete dhe djalin tim.» Elija i tha: «Jehovai ka premtuar se, po të më bësh pak bukë, mielli dhe vaji nuk do të mbarojnë deri kur të bjerë prapë shi.»

Kështu vejusha shkoi në shtëpi dhe bëri bukë për profetin e Jehovait. Siç kishte premtuar Jehovai, vejusha dhe djali i saj patën gjithnjë për të ngrënë gjatë thatësirës. Qypi i miellit dhe i vajit nuk u boshatisën.

Më vonë, ndodhi diçka e tmerrshme. Djali i vogël i vejushës u sëmur rëndë dhe vdiq. Ajo iu përgjërua Elijas për ndihmë. Elija ia mori fëmijën nga krahët dhe e çoi te dhoma në tarracën e shtëpisë së saj. E shtriu në krevat dhe u lut: «Jehova, të lutem ktheje prapë në jetë fëmijën.» A e di pse do të ishte diçka e mrekullueshme po ta bënte Jehovai këtë? Sepse, për aq sa dimë, asnjë nuk ishte kthyer në jetë më parë. Madje kjo vejushë dhe djali i saj nuk ishin as izraelitë.

Dhe ja, djali u kthye në jetë e filloi të merrte frymë! Elija i tha vejushës: «Shiko, biri yt është gjallë!» Ajo nuk mbahej nga gëzimi dhe i tha Elijas: «Ti je vërtet njeri i Perëndisë. Sepse thua vetëm atë që të thotë Jehovai dhe ajo del gjithnjë e vërtetë.»

«Vëreni korbat, që as mbjellin, as korrin dhe nuk kanë as hambar e as depo, e megjithatë Perëndia i ushqen. Sa më shumë vleni ju se zogjtë?»​—Luka 12:24.