Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 51

Luftëtari dhe vajza e vogël

Luftëtari dhe vajza e vogël

Një vajzë e vogël izraelite jetonte në Siri, shumë larg shtëpisë së saj. Ushtria siriane e kishte marrë nga familja dhe tani ajo ishte shërbëtore e gruas së një komandanti ushtarak që quhej Naaman. Vajza e vogël adhuronte Jehovain edhe pse njerëzit përreth nuk e bënin këtë.

Naamani kishte një sëmundje lëkure të tmerrshme dhe dhimbje gjithë kohën. Vajza e vogël donte vërtet ta ndihmonte. Ajo i tha gruas së Naamanit: «Unë e di kush mund ta ndihmojë burrin tënd. Në Izrael është një profet i Jehovait me emrin Elise. Ai mund ta shërojë.»

Gruaja i tregoi Naamanit çfarë i tha vajza e vogël. Ai ishte gati të provonte çdo gjë, prandaj vajti te shtëpia e Eliseut në Izrael. Ai priste që Eliseu ta trajtonte si njeri të rëndësishëm. Por, në vend që të fliste drejtpërdrejt me të, Eliseu dërgoi shërbëtorin e vet që ta takonte Naamanin dhe t’i jepte këtë mesazh: «Shko dhe lahu shtatë herë në lumin Jordan. Pastaj do të shërohesh.»

Naamani u zhgënjye pa masë. Ai tha: «Mendova se ky profet do të më shëronte në mënyrë të mrekullueshme dhe duke thirrur Perëndinë e tij. Kurse ai më thotë të shkoj te ky lumi në Izrael. Lumenjtë tanë në Siri janë më të mirë. E pse të mos lahem atje?!» Naamani u zemërua dhe iku nga shtëpia e Eliseut.

Shërbëtorët e Naamanit e ndihmuan të arsyetonte duke i thënë: «A s’do të bëje gjithçka për t’u shëruar? Kjo që po të thotë profeti është shumë e thjeshtë. Pse të mos e provosh?» Naamani i dëgjoi. Shkoi në lumin Jordan dhe u zhyt shtatë herë. Kur doli nga uji herën e shtatë, Naamani ishte plotësisht i shëruar. Nga mirënjohja e madhe, u kthye të falënderonte Eliseun. Naamani tha: «Tani e di se Jehovai është Perëndia i vërtetë.» Si mendon se u ndie vajza e vogël izraelite kur Naamani u kthye i shëruar?

«Nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave të gjirit ke marrë lavdi.»​—Mateu 21:16