Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 57

Jehovai dërgoi Jereminë për të predikuar

Jehovai dërgoi Jereminë për të predikuar

Jehovai e zgjodhi Jereminë që të ishte profet për popullin e Judës. Ai i tha t’i predikonte popullit dhe t’i paralajmëronte që të mos bënin më të këqija. Jeremia tha: «O Jehova, unë s’jam veçse një djalosh. Nuk di t’i flas popullit.» Jehovai e siguroi: «Mos ki frikë. Do të të tregoj unë ç’të thuash. Unë do të të ndihmoj.»

Po ashtu, Jehovai i tha Jeremisë të mblidhte pleqtë e popullit, të thyente para tyre një poç balte dhe të thoshte: «Kështu do të thyhet edhe Jerusalemi.» Kur Jeremia bëri si i tha Jehovai, pleqtë u nxehën shumë. Një prift që quhej Pashkur, e rrahu dhe ia vuri këmbët dhe duart në fallaka. Gjithë natën, Jeremia s’mund të lëvizte. Në mëngjes Pashkuri e la të lirë. Jeremia tha: «Nuk mundem më. Nuk do të predikoj më.» Por, a u dorëzua vërtet Jeremia? Jo. Kur u mendua pak më mirë, tha: «Mesazhi i Jehovait është si zjarr brenda meje. Nuk pushoj dot së predikuari.» Jeremia vazhdoi ta paralajmëronte popullin.

Kaluan vite dhe u Juda pati një mbret tjetër. Priftërinjtë dhe profetët e rremë e urrenin mesazhin e Jeremisë. Ata u thanë princave: «Ky njeri e ka hak vdekjen.» Jeremia iu përgjigj: «Nëse më vritni, do të vritni një njeri të pafajshëm. Unë them fjalët e Jehovait, nuk flas nga vetja.» Kur princat dëgjuan këtë, u shprehën: «Ky njeri nuk e ka fare hak vdekjen.»

Jeremia vazhdoi të predikonte, prandaj princat u zemëruan shumë. I kërkuan mbretit që Jeremia të vritej. Mbreti u tha se mund të bënin çfarë të donin me të. Ata e kapën Jereminë dhe e hodhën në një pus të thellë me llucë, duke shpresuar se do të vdiste atje. Jeremia filloi të zhytej në llucë.

Atëherë një zyrtar oborri që quhej Ebed-Melek i tha mbretit: «Princat e kanë hedhur Jereminë në pus! Po e lamë atje, do të vdesë.» Mbreti e urdhëroi Ebed-Melekun të merrte me vete 30 burra dhe ta nxirrte nga pusi Jereminë. A nuk duhet të jemi si Jeremia, i cili nuk lejoi asgjë ta ndalte së predikuari?

«Për shkak të emrit tim do t’ju urrejnë të gjithë njerëzit, por ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.»​—Mateu 10:22