Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 62

Një mbretëri si një pemë e madhe

Një mbretëri si një pemë e madhe

Një natë Nabukodonosori, pa një ëndërr të frikshme. Thirri burrat e mençur që t’i tregonin kuptimin. Por asnjëri nuk ia shpjegonte dot ëndrrën. Në fund, mbreti foli me Danielin.

Nabukodonosori i tha Danielit: «Në ëndërr pashë një pemë. U rrit aq shumë sa arriti qiellin. Mund të shihej nga çdo vend i tokës. Kishte gjethe të bukura dhe shumë fruta. Kafshët pushonin nën hijen e saj dhe zogjtë ndërtonin folenë në degët e saj. Pastaj një engjëll zbriti nga qielli. Ai thërriti: ‘Priteni pemën dhe këputjani degët! Megjithatë, lëreni kërcurin në tokë dhe vendosni rrathë hekuri e bakri rreth tij. Zemra e pemës do të ndryshojë nga zemër njeriu në zemër kafshe dhe do të qëndrojë e tillë për shtatë kohë. Të gjithë njerëzit do ta marrin vesh se Perëndia është Sundimtar dhe se ai mund t’i japë një mbretëri kujt të dojë.’»

Jehovai ia zbuloi Danielit kuptimin e ëndrrës. Kur Danieli e kuptoi ëndrrën, u tremb. Ai tha: «O mbret, do të doja që ëndrra të ishte për armiqtë e tu, por është për ty. Pema e madhe që u pre, je ti. Do ta humbasësh mbretërinë dhe do të hash bar në fusha si kafshë e egër. Por, ngaqë engjëlli tha ta linin kërcurin, ti do të bëhesh përsëri mbret.»

Një vit më vonë, Nabukodonosori po ecte në tarracën e pallatit mbretëror, duke admiruar Babiloninë. Ai tha: «Shihni ç’qytet madhështor kam ndërtuar. Sa i madh që jam!» Teksa fliste, një zë nga qielli i foli: «Nabukodonosor! Tani e humbe mbretërinë.»

Në çast, Nabukodonosorit i iku mendja dhe u bë si kafshë e egër. Atë e detyruan të dilte nga pallati dhe të jetonte me kafshët e egra në fusha. Nabukodonosorit iu rritën flokët si pendët e shqiponjave dhe thonjtë si kthetrat e zogjve.

Pasi kaluan shtatë vjet, Nabukodonosori erdhi sërish në vete dhe Jehovai e bëri mbret të Babilonisë. Pastaj Nabukodonosori tha: «Lëvdoj Jehovain, Mbretin e qiejve. Tani e di se Jehovai është Sundimtar. Ai i përul njerëzit krenarë dhe i jep një mbretëri kujt të dojë.»

«Krenaria vjen para rrëzimit dhe fryma e fodullëkut para pengimit.»​—Proverbat 16:18