Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 63

Shkrimi në mur

Shkrimi në mur

Me kalimin e kohës, Belshazari u bë mbreti i Babilonisë. Një natë ai ftoi në një festë një mijë njerëzit më të rëndësishëm të vendit. Urdhëroi shërbëtorët e tij të sillnin kupat prej ari që Nabukodonosori kishte marrë nga tempulli i Jehovait. Belshazari dhe mysafirët pinë me ato kupa dhe lëvduan perënditë e tyre. Papritur, një dorë njeriu u shfaq dhe filloi të shkruante fjalë misterioze në murin e sallës së ngrënies.

Belshazari u tmerrua. Ai thirri magjistarët dhe u premtoi: «Nëse ndonjëri prej jush mund t’i shpjegojë këto fjalë, do ta bëj njeriun e tretë për nga pushteti në Babiloni.» Ata u përpoqën, por asnjëri s’i shpjegonte dot fjalët. Atëherë mbretëresha erdhi e tha: «Është një burrë që quhet Daniel, i cili ia shpjegonte gjithmonë gjërat Nabukodonosorit. Ai mund të t’i shpjegojë këto fjalë.»

Danieli erdhi te mbreti dhe Belshazari i tha: «Nëse mund t’i lexosh dhe shpjegosh këto fjalë, do të të jap një varëse ari dhe do të të bëj njeriun e tretë për nga pushteti në Babiloni.» Danieli iu përgjigj: «Dhuratat nuk i dua, por kuptimin e fjalëve do të ta tregoj. Babai yt, Nabukodonosori, ishte krenar dhe Jehovai e përuli. Ti di gjithçka që i ndodhi, por tregove mungesë respekti për Jehovain duke pirë verë me kupat prej ari të tempullit të Tij. Prandaj Perëndia shkroi këto fjalë: ‘Mene, mene, tekel dhe parsin.’ Këto fjalë do të thonë se medët dhe persët do ta mposhtin Babiloninë dhe ti nuk do të jesh më mbret.»

Deri atëherë mendohej që askush nuk mund ta mposhtte Babiloninë, pasi mbrohej nga mure të trasha dhe nga një lumë i thellë. Por, pikërisht atë natë, medët dhe persët sulmuan qytetin. Mbreti pers, Kiri, devijoi lumin që ushtarët të marshonin drejt e te portat e qytetit. Kur arritën te portat, ato ishin të hapura! Ushtria vërshoi brenda qytetit, e mposhti dhe vrau mbretin. Tani sundimtari i Babilonisë u bë Kiri.

Brenda vitit ai lajmëroi: «Jehovai më ka thënë të rindërtoj tempullin e tij në Jerusalem. Kushdo nga populli i tij që dëshiron të ndihmojë, është i lirë të shkojë.» Prandaj, siç kishte premtuar Jehovai, shumica e judenjve u rikthyen në vendin e tyre 70 vjet pasi Jerusalemi u shkatërrua. Kiri riktheu kupat e arta dhe të argjendta, si dhe pajisjet që Nabukodonosori kishte marrë nga tempulli. A arrin ta dallosh mënyrën si e ndihmoi Jehovai popullin e tij me anë të Kirit?

«Ra! Ra Babilonia e Madhe! Ajo është bërë vendbanimi i demonëve.»​—Zbulesa 18:2