Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 64

Danieli në gropën e luanëve

Danieli në gropën e luanëve

Një mbret tjetër i Babilonisë ishte medi Dar. Ai e kuptoi që Danieli ishte i veçantë dhe e vuri në krye të burrave më të rëndësishëm në vend. Këta burra ishin xhelozë për Danielin dhe donin ta hiqnin qafe. Ata e dinin se Danieli i lutej Jehovait tri herë në ditë, prandaj i thanë Darit: «O mbret, duhet të dalë një ligj ku të gjithë duhet të të luten vetëm ty. Kushdo që nuk i bindet ligjit, duhet të hidhet në një gropë plot me luanë.» Darit i pëlqeu ideja, prandaj e firmosi ligjin.

Sapo Danieli e mori vesh ligjin e ri, vajti në shtëpi. Para një dritareje të hapur, ra në gjunjë dhe iu lut Jehovait. Burrat xhelozë hynë vetëtimthi në shtëpinë e tij dhe e gjetën duke u lutur. Ata vrapuan te Dari dhe i thanë: «Danieli nuk po të bindet. Ai i lutet Perëndisë së tij tri herë në ditë.» Dari e pëlqente Danielin dhe nuk donte që ai të vdiste. Gjithë ditën vrau mendjen të gjente një mënyrë për ta shpëtuar Danielin. Por as mbreti nuk mund ta ndryshonte një ligj që tashmë e kishte firmosur. I duhej të urdhëronte shërbëtorët ta hidhnin Danielin në gropën me luanë grabitqarë.

Atë natë Dari ishte aq i shqetësuar për Danielin, sa i iku gjumi. Në mëngjes, nxitoi për te gropa dhe i thirri Danielit: «A të shpëtoi Perëndia yt?»

Dari dëgjoi një zë. Ishte Danieli! Ai iu përgjigj Darit: «Engjëlli i Jehovait ua mbylli gojën luanëve. Ata nuk më kanë bërë asgjë.» Dari ishte shumë i lumtur! Urdhëroi që ta nxirrnin nga gropa. Danieli nuk kishte asnjë të gërvishtur. Mbreti urdhëroi: «Hidhni në gropë burrat që akuzuan Danielin.» Kur ata burra i hodhën te gropa, luanët i përpinë.

Dari i dha këtë urdhër popullit të tij: «Të gjithë duhet t’i frikësohen Perëndisë së Danielit. Ai e shpëtoi Danielin nga luanët.»

A i lutesh Jehovait çdo ditë siç bënte Danieli?

«Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor.»​—2 Pjetrit 2:9