Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 66

Ezdra u mësoi Ligjin e Perëndisë

Ezdra u mësoi Ligjin e Perëndisë

Kishin kaluar rreth 70 vjet që kur pjesa më e madhe e izraelitëve ishte kthyer në Jerusalem. Por kishte akoma të tjerë që jetonin në pjesë të ndryshme të Perandorisë Perse. Ndër ta ishte një prift që e quanin Ezdra, i cili u mësonte të tjerëve Ligjin e Jehovait. Ezdra mori vesh se njerëzit në Jerusalem nuk po e zbatonin Ligjin, prandaj donte të shkonte e t’i ndihmonte. Mbreti pers, Artakserksi, i tha: «Perëndia të ka dhënë mençuri që t’u mësosh Ligjin e tij. Shko dhe merr me vete cilët duan të vijnë me ty.» Ezdra takoi të gjithë ata që donin të ktheheshin në Jerusalem. Iu lutën Jehovait që t’i mbronte gjatë udhëtimit të gjatë dhe pastaj u nisën.

Katër muaj më vonë, arritën në Jerusalem. Princat i thanë Ezdrës: «Izraelitët nuk i janë bindur Jehovait dhe janë martuar me gra që adhurojnë perëndi të rreme.» Çfarë bëri Ezdra? Përpara popullit, ai ra në gjunjë dhe u lut: «Jehova, ti ke bërë shumë për ne, por ne kemi mëkatuar ndaj teje.» Populli u pendua, por u nevojitej akoma ndihmë që të bënin atë që ishte e drejtë. Ezdra zgjodhi pleq dhe gjykatës që të shqyrtonin këto çështje. Gjatë tre muajve pasues, ata larguan nga vendi këdo që nuk i shërbente Jehovait.

Kaluan 12 vjet. Muri rrethues i Jerusalemit u rindërtua. Pastaj Ezdra mblodhi popullin në sheshin e qytetit që t’u lexonte Ligjin e Perëndisë. Kur Ezdra hapi librin, populli u çua në këmbë. Ai lëvdoi Jehovain dhe ata ngritën duart për të treguar se ishin dakord. Pastaj Ezdra lexoi dhe shpjegoi Ligjin, kurse populli dëgjonte me vëmendje. Ata pranuan se përsëri ishin larguar nga Jehovai dhe qanin. Të nesërmen Ezdra u lexoi prapë nga Ligji. Ata mësuan se së shpejti duhej të bënin festën e Kasolleve. Menjëherë filluan të përgatiteshin për festën.

Gjatë shtatë ditëve të festës, populli gëzoi e falënderoi Jehovain për të korrat e bollshme. Që nga koha e Josiut, nuk kishte pasur asnjë festë Kasollesh si kjo. Pas festës, populli u mblodh dhe u lut: «Jehova, ti na shpëtove nga skllavëria, na ushqeve në shkretëtirë e na dhe këtë vend të bukur. Por sa e sa herë ne nuk t’u bindëm. Dërgove profetë që të na paralajmëroje, por ne nuk dëgjuam. Prapëseprapë ti tregove durim. E mbajte premtimin që i bëre Abrahamit. Tani të premtojmë se do të të bindemi.» Ata e shkruan premtimin dhe princat, levitët e priftërinjtë e vulosën.

«Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!»​—Luka 11:28