Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 68

Elizabeta u bë me një fëmijë

Elizabeta u bë me një fëmijë

Kishin kaluar mbi 400 vjet që kur muret e Jerusalemit u rindërtuan. Afër këtij qyteti jetonin një prift me emrin Zakaria dhe gruaja e tij, Elizabeta. Kishin shumë vite të martuar, por ishin pa fëmijë. Një ditë, teksa Zakaria ofronte temjan në të Shenjtën e tempullit, iu shfaq një engjëll që quhej Gabriel. Zakaria u tremb, por Gabrieli i tha: «Mos ki frikë. Kam lajme të mira nga Jehovai. Gruaja jote, Elizabeta, do të lindë një djalë dhe emri i tij do të jetë Gjon. Jehovai e ka zgjedhur Gjonin për një caktim të veçantë.» Zakaria iu përgjigj: «E si mund të të besoj ty? Unë dhe gruaja jemi shumë të moshuar për të pasur fëmijë.» Gabrieli i tha: «Mua më ka dërguar Perëndia që të të jap lajmin. Por, meqë nuk më besove, nuk do të flasësh dot deri pas lindjes së fëmijës.»

Zakaria qëndroi në të Shenjtën më shumë se zakonisht. Kur më në fund doli, populli që po priste jashtë, donte të dinte ç’kishte ndodhur. Zakaria nuk mund të fliste. Bënte vetëm shenja me duar. Kështu njerëzit kuptuan se Zakaria kishte marrë një lajm nga Perëndia.

Me kalimin e kohës, Elizabeta ngeli shtatzënë dhe lindi një djalë, ashtu siç kishte thënë engjëlli. Miqtë dhe të afërmit e saj erdhën të shihnin bebin. Atyre iu bë shumë qejfi për Elizabetën. Ajo u tha: «Do ta quajmë Gjon.» Por ata ia kthyen: «Asnjë nga fisi yt nuk quhet Gjon. Vëri emrin Zakaria, emrin e të atit.» Por Zakaria shkroi fjalët: «Emri i tij është Gjon.» Në atë moment, Zakaria filloi të flasë përsëri! Lajmi për foshnjën u përhap në gjithë Judenë dhe njerëzit thoshin me vete: «Ç’do të bëhet vallë ky fëmijë kur të rritet?»

Pastaj Zakaria u mbush me frymë të shenjtë dhe profetizoi: «Bekuar qoftë Jehovai! Ai i premtoi Abrahamit se do të dërgonte një shpëtimtar, Mesinë, për të na çliruar. Gjoni do të jetë profet dhe do të bëjë gati udhën për Mesinë.»

Diçka e veçantë i kishte ndodhur edhe Marisë, kushërirës së Elizabetës. Le ta zbulojmë në kapitullin tjetër.

«Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë gjithçka është e mundur.»​—Mateu 19:26