Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 69

Gabrieli takoi Marinë

Gabrieli takoi Marinë

Elizabeta kishte një kushërirë të re në moshë që e quanin Mari. Ajo jetonte në Nazaret, një qytet në Galile. Maria ishte e fejuar me Jozefin, një zdrukthëtar. Kur Elizabeta ishte gjashtë muajshe shtatzënë, engjëlli Gabriel iu shfaq Marisë. Ai i tha: «Mirëdita Mari! Ke gjetur shumë hir para Jehovait.» Ajo nuk e kuptoi ku e kishte fjalën. Prandaj Gabrieli i tha: «Ti do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe emrin duhet t’ia vësh Jezu. Ai do të jetë Mbret dhe mbretëria e tij do të qëndrojë përgjithmonë.»

Maria iu përgjigj: «Por unë jam e virgjër. Si mund të kem fëmijë?» Gabrieli i tha: «Asgjë nuk është e pamundur për Jehovain. Fryma e shenjtë do të vijë te ti dhe ti do të kesh një djalë. Edhe kushërira jote e moshuar, Elizabeta, është shtatzënë.» Pastaj Maria shtoi: «Unë jam skllavja e Jehovait. Le të më ndodhë ashtu siç the.»

Maria shkoi te një qytet kodrinor për të takuar Elizabetën. Kur Maria e përshëndeti, Elizabeta ndjeu se foshnja hovi në bark. E mbushur me frymë të shenjtë, tha: «Mari, Jehovai të ka bekuar. Është një nder të kem në shtëpi nënën e Mesisë.» Maria qëndroi me Elizabetën rreth tre muaj dhe pastaj u kthye në Nazaret.

Kur Jozefi mori vesh se Maria ishte shtatzënë, donte ta prishte fejesën. Por një engjëll iu shfaq në ëndërr dhe i tha: «Mos ki merak të martohesh me të. Ajo s’ka bërë asgjë të gabuar.» Kështu Jozefi e mori Marinë për grua dhe e çoi në shtëpi.

«Jehovai ka bërë gjithçka që i ka pëlqyer, në qiell e në tokë.»​—Psalmi 135:6