Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 71

Jehovai e mbrojti Jezuin

Jehovai e mbrojti Jezuin

Në një vend në lindje të Izraelit kishte njerëz që besonin se yjet mund t’u tregonin rrugën. Një natë, disa burra nga Lindja panë diçka që ngjante me një yll të shndritshëm që lëvizte në qiell dhe e ndoqën. «Ylli» i drejtoi për në Jerusalem. Burrat filluan të pyesnin njerëzit: «Ku është fëmija që do të jetë mbreti i judenjve? Kemi ardhur të përkulemi para tij.»

Kur Herodi, mbreti i Jerusalemit, dëgjoi për mbretin e ri, u shqetësua shumë. Ai pyeti krerët e priftërinjve: «Ku mendohet të lindë ky mbret?» Ata iu përgjigjën: «Profetët thonë se do të lindë në Betlehem.» Prandaj Herodi thirri burrat nga Lindja dhe u tha: «Shkoni në Betlehem dhe gjejeni këtë fëmijë. Pastaj kthehuni e më thoni ku është. Edhe unë dua të përkulem para tij.» Por kjo ishte një gënjeshtër.

«Ylli» filloi të lëvizte përsëri. Burrat e ndoqën deri në Betlehem. «Ylli» ndaloi sipër një shtëpie dhe ata hynë brenda. Atje gjetën Jezuin me mamanë, Marinë. U përkulën para fëmijës dhe i dhuruan ar, temjan të bardhë dhe mirrë. A i kishte dërguar vërtet Jehovai burrat që të gjenin Jezuin? Jo.

Atë natë, Jehovai i tha Jozefit në ëndërr: «Herodi do që ta vrasë Jezuin. Merre fëmijën dhe gruan tënde e ik në Egjipt. Qëndro atje derisa të të them se rreziku kaloi.» Menjëherë, Jozefi dhe familja e tij shkuan në Egjipt.

Jehovai u kishte thënë burrave nga Lindja se nuk duhej të ktheheshin te Herodi. Kur Herodi kuptoi se ata nuk do të ktheheshin, u xhindos. Përderisa nuk e gjente dot, urdhëroi që në Betlehem të vriteshin të gjithë djemtë e vegjël të moshës së Jezuit. Por Jezui ishte i sigurt, shumë larg, në Egjipt.

Me kalimin e kohës, Herodi vdiq. Jehovai i tha Jozefit: «Tani mund të kthehesh, sepse nuk ka rrezik.» Jozefi, Maria dhe Jezui u kthyen në Izrael dhe e ndërtuan shtëpinë në qytetin e Nazaretit.

«Fjala që del nga goja ime, . . . do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.»​—Isaia 55:11