Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 72

Kur Jezui ishte 12 vjeç

Kur Jezui ishte 12 vjeç

Jozefi dhe Maria jetuan në Nazaret me Jezuin dhe djemtë e vajzat e tjera. Jozefi e mbante familjen duke punuar si zdrukthëtar dhe i mësonte për Jehovain dhe Ligjin e tij. Familja shkonte rregullisht në sinagogë që të adhuronte Jehovain dhe çdo vit në Jerusalem për Pashkën.

Kur Jezui ishte 12 vjeç, familja bashkë me farefisin bëri si zakonisht udhëtimin e gjatë për në Jerusalem. Qyteti ishte plot me njerëz që kishin ardhur për të festuar Pashkën. Kur festa mbaroi, Jozefi dhe Maria morën rrugën për në shtëpi dhe menduan se Jezui ishte me të afërmit. Por, kur filluan ta kërkonin mes tyre, nuk e gjetën.

U kthyen në Jerusalem dhe e kërkuan djalin për tri ditë. Në fund, shkuan në tempull. Ja tek ishte Jezui, ulur mes mësuesve, duke dëgjuar me vëmendje dhe duke bërë pyetje të mençura. Mësuesve u bëri kaq përshtypje, saqë filluan t’i bënin pyetje Jezuit. U mahnitën nga përgjigjet e tij dhe panë se ai e kuptonte Ligjin e Jehovait.

Jozefi dhe Maria ishin shumë të shqetësuar. Maria i tha: «Të kemi kërkuar gjithandej mor bir! Ku ishe?» Jezui i tha: «A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?»

Jezui u kthye me prindërit në shtëpi, në Nazaret. Jozefi i mësoi Jezuit zanatin e zdrukthëtarit. Si mendon, ç’lloj njeriu ishte Jezui në rininë e tij? Ndërsa rritej, Jezui fitonte gjithnjë e më shumë mençuri dhe pëlqimin e Perëndisë dhe të njerëzve.

«O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd, dhe ligji yt është thellë brenda meje.»​—Psalmi 40:8