Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 78

Jezui predikoi mesazhin për Mbretërinë

Jezui predikoi mesazhin për Mbretërinë

Pak pas pagëzimit, Jezui nisi të predikonte: «Mbretëria e Perëndisë është afër.» Dishepujt e ndiqnin teksa ai udhëtonte përreth Galilesë dhe Judesë. Kur Jezui u kthye në qytetin ku ishte rritur, në Nazaret, shkoi në sinagogë, hapi rrotullën e Isaisë dhe lexoi me zë të lartë: «Jehovai më ka dhënë frymë të shenjtë që të predikoj lajmin e mirë.» Çfarë do të thoshte kjo? Do të thoshte se, edhe pse njerëzit donin që Jezui të bënte mrekullira, arsyeja kryesore pse Jezui kishte marrë frymë të shenjtë ishte që të predikonte lajmin e mirë. Pastaj u tha atyre që po dëgjonin: «Sot kjo profeci u përmbush.»

Më pas, Jezui shkoi në detin e Galilesë ku takoi katër peshkatarë të cilët më vonë u bënë dishepuj të tij. Ai i ftoi: «Hajdeni me mua dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.» Ata ishin Pjetri, Andrea, Jakovi dhe Gjoni. Menjëherë lanë punën e tyre si peshkatarë dhe e ndoqën. Ata shkuan në mbarë Galilenë duke predikuar për Mbretërinë e Jehovait. Predikonin në sinagoga, në sheshe pazari dhe në rrugë. Një turmë e madhe i ndiqte kudo që shkonin. Lajmi për Jezuin u përhap gjithkund, madje edhe në vende shumë të largëta, si Siria.

Me kalimin e kohës, Jezui u dha disa prej dishepujve fuqinë për të shëruar njerëz dhe për të dëbuar demonë. Të tjerë vajtën me Jezuin ndërsa predikonte qytet më qytet dhe fshat më fshat. Shumë gra besnike, përfshirë Maria-Magdalenën, Joanën, Suzanën dhe të tjera u kujdesën për Jezuin dhe dishepujt e tij.

Pasi i stërviti dishepujt, Jezui i dërgoi që të predikonin. Ndërsa udhëtonin nëpër Galile, shumë të tjerë u bënë dishepuj dhe u pagëzuan. Kaq shumë veta donin të bëheshin dishepuj, saqë Jezui i krahasoi me një fushë gati për korrje. Ai tha: «Lutjuni Jehovait të dërgojë më shumë punëtorë që të korrë prodhimin.» Më vonë zgjodhi 70 dishepuj dhe i dërgoi dy e nga dy që të predikonin në mbarë Judenë. Ata mësuan çdo lloj njeriu për Mbretërinë. Kur dishepujt u kthyen, mezi prisnin t’i tregonin Jezuit gjërat që u kishin ndodhur. Djalli nuk mund të bënte asgjë për të ndalur veprën e predikimit.

Jezui u sigurua që dishepujt do të vazhdonin këtë vepër të rëndësishme edhe pasi ai të kthehej në qiell. Ai u tha: «Predikoni lajmin e mirë në mbarë tokën. Mësojini njerëzit për Fjalën e Perëndisë dhe pagëzojini.»

«Duhet t’ua shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë edhe qyteteve të tjera, sepse për këtë u dërgova.»​—Luka 4:43