Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 79

Jezui kreu shumë mrekulli

Jezui kreu shumë mrekulli

Jezui erdhi në tokë që të shpallte lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Për të treguar se çfarë do të bënte Jezui si Mbret, Jehovai i dha frymë të shenjtë që të kryente mrekulli. Ai mund të shëronte çdo sëmundje. Kudo që shkonte, të sëmurët vinin tek ai për ndihmë dhe i shëronte të gjithë. Të verbrit mund të shikonin, të shurdhrit mund të dëgjonin, të paralizuarit mund të ecnin dhe ata që ishin të pushtuar nga demonët, çliroheshin. Sikur vetëm cepin e rrobës t’i kapnin, shëroheshin. Njerëzit e ndiqnin Jezuin kudo që shkonte. Jezui nuk largoi kurrë askënd, edhe kur donte të rrinte vetëm.

Një herë, njerëzit sollën një të paralizuar në shtëpinë ku po qëndronte Jezui. Por në shtëpi kishte aq shumë njerëz, saqë nuk futeshin dot brenda. Kështu ata hapën një të çarë në çati dhe e zbritën te Jezui. Pastaj Jezui i tha burrit: «Ngrihu dhe ec.» Kur ai bëri siç i tha Jezui, njerëzit u mahnitën.

Në një rast tjetër, kur Jezui po hynte në një fshat, dhjetë të lebrosur i thirrën nga larg: «O Jezu, na ndihmo!» Në atë kohë, nuk lejohej që të lebrosurit t’u afroheshin të tjerëve. Jezui u tha të shkonin në tempull, siç përmendej në Ligjin e Jehovait se duhej të bënin të lebrosurit pasi të shëroheshin. Rrugës, ata u shëruan. Kur njëri prej të lebrosurve, pa se ishte shëruar, u kthye të falënderonte Jezuin dhe të lëvdonte Perëndinë. Nga të dhjetë, vetëm njëri e falënderoi Jezuin.

Një grua që kishte qenë e sëmurë për 12 vjet, donte me gjithë shpirt të shërohej. Ajo i erdhi Jezuit nga pas përmes turmës dhe, me të prekur cepin e rrobës, u shërua. Kur kjo ndodhi, Jezui pyeti: «Kush më preku?» Gruaja ishte e trembur, por erdhi përpara tij dhe i tha të vërtetën. Jezui i dha zemër duke thënë: «Bijë, shko në paqe.»

Një burrë me pozitë që quhej Jair iu përgjërua Jezuit: «Hajde në shtëpinë time! Vajza ime e vogël është shumë sëmurë.» Por, para se Jezui të shkonte në shtëpinë e Jairit, vajza vdiq. Kur Jezui mbërriti, pa që kishin ardhur shumë njerëz për të vajtuar me familjen. Jezui u tha: «Mos qani. Ajo po fle.» Pastaj i kapi dorën vajzës dhe i tha: «Vajzë, ngrihu!» Në çast ajo u ngrit dhe Jezui u kërkoi prindërve të saj t’i jepnin diçka për të ngrënë. Vetëm mendo si duhet të jenë ndier prindërit e saj!

«Perëndia e mirosi me frymë të shenjtë e fuqi . . . [dhe] ai përshkoi vendin, duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë të shtypurit nga Djalli, sepse Perëndia ishte me të.»​—Veprat 10:38